Projekti 538: Klinton 49% – Tramp 45%

Gjatë zgjedhjeve presidenciale bëhen numër tejet i madh anketash me parashikime kontradiktore. Më i sakti deri tani është modeli 538, që hë për hë parashikon fitore të lehtë të Klintonit

Anketa të panumërta. Politika amerikane është e fiksuar pas numrave. Gjatë gjithë kohës kur zhvillohej gara brendapartiake, e sidomos tani që mirëfilli nis gara presidenciale, publiku amerikan bombardohet me anketa të panumërta që pretendojnë të matin rejtingjet e kandidatëve dhe gjasave të tyre për fitore. Brenda ditës ndodh që të publikohen 4-5 anketa në nivel nacional dhe po aq anketa në nivel shtetesh. Nuk ka medium të madh që nuk publikon anketë të paktën një herë në javë, ndërsa disa anketues të specializuar bëjnë anketë çdo ditë, të ashtuquajtur “tracking poll”. Të këtillë janë për shembull anketat e Reuters/Ipsos, Rasmussen, YouGov/Economist e të tjera.

Problemi më i madh gjithsesi është se anketues të ndryshëm japin rezultate të ndryshme. Vetëm brenda javës së kaluar Reuters për shembull ka dalur me anketë që tregon Klintonin me epërsi 11 pikëshe, 44%-33%. Por një ditë më parë anketa e Rasmussen tregonte rezultat krejt të ndryshëm: Klinton 40%, Tramp 42%, apo epërsi dy pikëshe për Trampin. Pasi bëhet fjalë për anketues seriozë, por me metodologji të ndryshme, është e vështirë që ndonjëri të merret më i saktë se tjerët. Prandaj ata që ndjekin me seriozitet zgjedhjet presidenciale kryesisht përcjellin të ashtuquajturit agregatorë të anketave.

Agregatorët e anketave. Koncepti pas agregatorëve të anketave është shumë i thjeshtë. Sipas tij disa anketues do të gabojnë në anën e Trampit, disa tjerë në anën e Klintonit. Për të zhdukur dallimet agregatorët thjeshtë marrin mesataret e të gjitha anketave.

Agregatori i parë dhe më i njohur është sajti RealClearPolitics (shkurt i njohur si RCP). Ky agregator megjithatë nuk merr parasysh anketat e zhvilluara online. Sipas tij Klinton për momentin udhëheq me 5 pikë, gjegjësisht rezultati është 45.6% – 40.9% në favor të saj.

Agregatori tjetër i njohur është HuffPost Pollster, që mbahet në kuadër të sajtit të njohur politik Huffington Post. Për dallim nga RCP, ky agregator përfshin të gjitha llojet e anketave, pa marrë parasysh nëse bëhen online, me telefon, apo në terren. HuffPost për momentin jep avantazh gjashtë pikësh për Klintonin, 45.8% me 40%.

Të dy agregatorët pra tregojnë avantazh të ngjashëm për Klintonin. Megjithatë edhe ata kanë dobësitë e veta. Pikë së pari si mesatare ata janë të pasaktë nëse ka ndonjë fenomen që i bën të gjitha anketuesit të anojnë nga njëra parti. Këtë problem nuk mund t’a rregullojë mesatarja.

Problemi i dytë është se anketuesit nuk tregojnë asgjë për gjasat për fitore të ndonjërit kandidat. Kyçe është çështja që president amerikan nuk është ai që fiton më tepër vota në zgjedhje, por ai që fiton më tepër vota në kolegjin elektoral. Këto anketa e agregatorë tregojnë mbështetjen me vota në nivel nacional, e kjo mund të jetë e ndryshme nga situata në kolegjin elektoral.

 

Projekti 538. Tetë vite më parë statistikani i njohur Nejt Silver për gazetën Nju Jork Tajms ndërtoi një model që adresonte problemet e anketuesve dhe agregatorëve tjerë. Ndryshe nga ta, modeli i njohur si 538 (nga numri total i votave në kolegjin elektoral) ndërton parashikime për secilin shtet veçmas dhe pastaj i mbledh ato në një total për gjithë Amerikën. Modeli poashtu përfshin të dhëna tjera jashtë anketave, si situatën ekonomike, përbërjen demografike të shteteve e të tjera. Përveç se del me rezultat total në nivel të SHBA-ve, modeli 538 jep edhe numrin e pritur të votave elektorale.

Modeli fitoi famë që në vitin 2008 kur parashikoi me sukses se Obama do të mundë Klintonin në garën brendapartiake demokrate për nominim. Ai vazhdoi sukseset edhe në zgjedhjet e vitit 2012 dhe garat brendapartiake të sivjetshme. Mu për këtë modeli 538 merret si më precizi për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Për momentin Projekti 538 parashikon se Klinton do të fitojë 48.6% të votave totale, Tramp 44.7% dhe kandidati libertarian Geri Xhonson 5.4%.

Përkthyer në vota elektorale, ku duhen 270 vota për t’u zgjedhur kryetar, sipas projektit Klinton do të fitojë 313 vota, ndërsa Tramp 225 vota. Sipas 538 kjo do të thotë se Klinton ka gjasa 72% për të fituar (në gjuhën e bastoreve ka koeficient 1.38), ndërsa Tramp 28% gjasa (apo koeficient 3.57). Gjasat për barazim janë 0.4% (koeficient 250). Më tutje ka shans 5.2% që Klinton të fitojë më tepër vota në total por të humbë në kolegjin elektoral (siç i ndodhi Al Gorit në 2002), ndërsa për Trampin kjo gjasë është 1.4%.

sHillary-ClintonKlinton sDonald-TrumpTramp
Vota në total 48.6% 44.7%
Vota kolegji elektoral 313 225
Gjasat për fitore 78% 22%
Koeficienti për fitore 1.38 3.57

Sido që të jetë e kaluara tregon se anketat individuale nuk janë gjithaq të besueshme. Pasqyrë diçka më të mirë fitojmë nëse ndjekim agregatorët që marrin mesataret e gjithë anketave. Por padyshim modeli më i mirë për t’u ndjekur është ai i projektit 538. Në vazhdim të kampanjës presidenciale edhe ne do t’i referohemi më tepër pikërisht këtij modeli.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP