Shoqata e Turizmit në Shqipëri shpërndan alarm

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) jep alarmin se punimet që po kryhen nga qeveria në disa zona bregdetare, papastëritë dhe ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike do ta dëmtojnë seriozisht turizmin këtë vit.

“Ndërsa në këto 3 vite nuk u mbajt premtimi për stimulim të industrisë me një paketë dinjitoze fiskale, sikundër fqinjët, të paktën sot nuk duhej të kishim ndërprerje të energjisë elektrike, rritje të çmimi të energjisë në mënyrë abuzive, kjo e konfirmuar edhe nga ERE, si dhe luhatje tensioni dhe dëmtim pajisjesh në të gjithë vendin”, thuhet në një deklaratë të ATA, transmeton lapsi.

Shoqata shpreh gjithashtu shqetësimin se plazhet janë të papastra, si pasojë e mbetjeve urbane të pa-mbledhura dhe punimeve që po kryhen në mes të sezonit. Infrastruktura rrugore, lë gjithashtu për të dëshiruar.
“Qytetet kryesore bregdetare janë kthyer dhe kanë mbetur në kantiere ndërtimi. Prania e plehrave dhe papastërtitë kanë krijuar vatra insektesh dhe sëmundjesh dhe kafshë rrugësh në shumicën e rasteve të pa-vaksinuara. Akset rrugore që furnizojnë zonat strategjike bregdetare janë më të ngushta se shëtitoret e këmbësorëve buzë detit. Ende ka një situatë të paqartë për administrimin e plazheve. Industria nuk e meritonte këtë perfomancë dhe sforcim në vigjilje të një sezoni delikat”, shprehet ATA.

Në deklaratë kritikohet edhe mungesa e stimujve fiskalë nga qeveria. “Në një skenar të ri, i cili përmban sfida dhe mundësi të padiskutueshme, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia unifikojnë politikat dhe veçanërisht stimujt fiskalë për të tërhequr sa më shumë turistë nga Europa. Të tre këto vende subvencionojnë deri në 15 euro për çdo natë qëndrimi për çdo turist. Në veçanti Maqedonia vë në dispozicion një fond prej 5 milionë eurosh për të stimuluar fluturimet “low cost” dhe qëndrimet në vend. Mali i Zi po ndërton resortin më luksoz në Mesdhe. Serbia investon në pasurimin e portofolit të eventeve, ndërkohë që Shqipëria fillon sezonin e vonuar me energji 48 % më të shtrenjtë dhe shërbime ri-konstruktuese të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vijën bregdetare nga 15 – 30 korrik dhe 12 orë ndërprerje të energjisë në ditë”, vijon më tej deklarata.

Punime po kryhen në plazhin e Vlorës për ndërtimin e lungomares dhe po ashtu edhe në Himarë, për ndërtimin e shëtitores së re. Ne veçanti banorët e Himarës e kanë kundërshtuar ndërtimin e shëtitores, pasi e konsiderojnë si betonizim të ranishtes dhe prishje të harmonisë së qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button