SHËNIME NGA ZVICRA (III)

QYTETI I FONTANAVE. Cyrihu (Zürich) është qytet i fontanave, i objekteve kulturore e historike, që joshin vizitorë nga bota mbarë. Sa adhurim ka këtu për trashëgiminë kulturore! Bëni një krahasim me qytetet tona shqiptare, ku mungojnë shtëpitë muze të shkrimtarëve, në të cilën, bie fjala, do të ruheshin gjërat e shenjta të tij, mbi të gjitha dorëshkrimet, që janë më shumë se sa fleta të shënuara prej dorës së një shkrimtari koka e të cilit, teksa janë shkruar ato, ka qenë e mbështjellë me re mendimesh, dilemash, e çka jo tjetër…

Në Cyrih, në këtë qytet bankash të shumta, në këtë qendër të rëndësishme tregtare, 30 përqind e banorëve janë të huaj, shumica nga Gjermania, kurse besohet se komuniteti i dytë janë shqiptarët. Është ky vend ku sundojnë si monarkë të padukshëm rregulli, disiplina dhe jeta e organizuar; vend ndër më të shtrenjtit dhe njëkohësisht ndër më të mirët për të jetuar në mbarë botën; një vend me shumë kujtesë, vend muzesh (mbi 50) dhe galerish (mbi 100). “Rietberg” është ndër muzetë më të njohur të artit europian. Në “Kunsthaus” gjenden piktura gjenish të artit pamorë, sikurse: Van Gogh-ut, Gauguin-it, Picasso-s, Dalit, Matisse-t, Dürer-it, Monet-it, Cezanne-t, Kokoshka-s, Kandinsky-t, Munch-ut…

BRITMA. Edvard Munk, një sivëlla. “Klithja” apo “Britma”. Nuk gjendet në këtë muze ajo madhështorja, e bukura dhe e frikshmja vepër arti, që  mund ta ndjejnë ndryshe vetëm ata që janë përballur me luftëtarët e zi e të padukshëm të ankthit e melankolisë; vetëm ata që kanë ndjerë të dridhurat e pavullnetshme dhe frikën e pashpjegueshme që të err sytë, që të shkakton rrahje të forta zemre, që të nxin botën e dukjeve dhe ta shndërron në diçka të pakuptimtë, të pavlerë; vetëm ata, pra që nuk rrezikohen nga askush e megjithatë bota u duket e rrezikshme, aspak miqësore, e pastaj kjo botë befas i ndërron ngjyrat, ngjyra të çuditshme për shumëkënd, që mund të shihen vetëm nga ata që e kanë përjetuar ankthin e melankolinë. Gabojnë ata që thonë se kjo pikturë nuk shpreh frikën njerëzore… O njeri që klith si në pikturën e Munch-ut dhe me kokë të rënduar si të kitaristit plak të Picassos, që e ke ndjerë se si ankthi përplaset në qelqe mendimi dhe bota sakaq mbështillet me ngjyra melankolie, je nga soji që erdhe në këtë botë të këndosh një këngë që s’do të duartrokitet. Erdhe i keqkuptuar dhe i tillë do të mbetesh edhe kur të gjithë do thonë se të kuptojnë mirë. Mos u gënje se je i veçantë, por as i zakonshëm nuk mund të jesh. Dhe bota është plot me budallenj…

Në djall Munku. Në djall edhe gjithçka tjetër që vjen nga bota ime, që po e mbart me vete kudo ku shkoj dhe, herë pas here, kur mendoj se e kam harruar më shfaqet me pamje të trishtë, plot me ngjyra ankthi e melankolie. Mbase duhet të pajtohesh me fatin se je i detyruar, ashtu si gurin Sizifi apo ashtu si Ankisin Eneu, ta mbartësh këtë botë në supe apo më saktë të të rëndojë në shpirt kudo ku të shkosh… Edhe këtu… në këtë vend ku besoje se nuk do të torturoheshe nga përgjegjësia mizore e racës…

RRUGA E GJATË. Para meje shtrihet rruga e gjatë. Tejet e gjatë. “Langshtrase”. Filozofë, drogmenë, hamletë, donkishotë, punëtorë që rendin të heshtur drejt punëve të përditshme. Një rrugë që ditën fle e droguar dhe zgjohet natën për të marrë dozën e çdoditshme… “Ajri është i rëndë e ditët e shkreta… / në çdo rrugë dhembje, veçse dhembje ndjej, / e ditët i heq pa këngë e gjallni”. Janë vargje të poetit gjerman Stefan George (1868-1933), që në mos gabofsha ka ndërruar jetë në Zvicër. E kanë krahasuar me Lasgush Poradecin.

I rëndë më duket ajri. Dita është e shkretë dhe bosh. Udhëtari vetmitar e merr me vete edhe atë që dëshiron ta harrojë: brengën. I vetmuari është paksa më ndryshe, sikurse e përshkruan Niçe: “Urrej të ndjek si dhe të prij. / Të bindem? Jo as edhe të sundoj! / Kush s’është i tmerrshëm për veten / tmerr kujt nuk mund t’i bëjë: / veç ai që tmerron, të tjerëve di t’u prijë! / Urrej madje dhe vetes vetë t’i prijë!”… Dhe këmbët e mia ecin pa e ditur se ku e çojnë trupin tim. E gjatë është kjo rrugë, emrin e së cilës e kisha dëgjuar para shumë e shumë vitesh. Përmendja e saj përherë ishte shoqëruar me njëfarë përçmimi nga mërgimtarët tanë. Njëfarë simbolike për ata që e kanë humbur rrugën e tyre jetësore. Në mendjen time, kjo rrugë e gjatë, idiotësish e gjatë, si e pafundme, qe përfytyruar si njëfarë përbindëshi që gëlltit fate, dashuri, jetë. Mbase një përfytyrim i gabuar, por tani më ngatërrohet gjithçka dhe më nuk e di çfarë është reale e çfarë është e përfytyruar, çfarë është “realitet objektiv” e çka është shajni, sajim, realitet simbolik, i mundshëm, realitet i përfytyruar.

RÜTI (Ryti), një qytezë afër Zurichüt. Vend idilik, i qetë, i heshtur, me rrugë të pastra, me shtëpi moderne e tradicionale, me kopshte të rregulluara mrekullisht, me parqe të gjelbëruara, me fusha të shumta sporti, me shkolla mbresëlënëse. Vend ku të çlodhet mendja e pastaj ajo bredh drejt hemisferave të harruara, të fëmijërisë, “parajsës së humbur”, drejt së cilës rendim gjithë jetën. Një vend ku banorët pa dallim kombi, race, feje, bëjnë jetë dinjitoze, me mirëqenie dhe sërish ka ambicie për jetë më të mirë. Dua të bëj krahasime ndërmjet vendit ku jetoj dhe kësaj qyteze, por çdo krahasim duket i pamundur. Çuditem se si disa politikanë, që kanë jetuar në kësi vendesh, nuk kanë mbartur asnjë përvojë në vendlindje. Marrëzi e krim. Ku i kanë idealet për të cilët kanë folur dikur nëpër tubime, këtu, në Zvicër? Nuk doja t’i pyesja disa miq të tyre të dikurshëm. Nuk doja t’i vija në siklet. Idealistët janë ende në Zvicër. Nuk u kthyen për t’u bërë politikanë. Kishin zgjedhur të ishin ministrat e përhershëm të kombit dhe jo të partive. Vetëm mund t’i paramendoj se si janë çjerrë këta hipokritë. Nuk çuditem përse mërgimtarët ende i presin politikanët t’u mbajnë fjalime. Mërgimtari ka shpirt misionari. Prandaj…

I lëmë mënjanë politikanët. Nuk humbet koha me ata. Madje ku? Në Zvicër! Në këtë vend që duhet shijuar.

Ky vend i bukur, i përralltë, i ëndërrt nuk i josh shumë të rinjtë. Atyre, përgjithësisht, nuk u pëlqen qetësia, por ritmi i shpejtë, zhurma. Bota e tyre është dinamike. Për moshën time ky është vend i adhuruar, vend i idilës, i qetësisë, që të jep mundësinë të bisedosh me vetveten dhe të jesh në paqe me të. Me gjasë nuk e josh shumë Diellin dhe Mexhitin, dy të rinj, të zgjuar, të sinqertë, të dashur, që nuk dallojnë prej të rinjve zviceranë për nga kultura. I kanë ëndrrat, iluzionet e vizionet e tyre rinore. Flasin një toskërishte të këndshme dhe një gjermanishte të rrjedhshme. Falë prindërve të mrekullueshëm dhe të fisëm, Abasit dhe Valmirës, janë të lidhur me vendlindjen e tyre. Të dy janë të zgjuar dhe kanë kuptim për jetën. I kanë dëshirat e tyre, ashtu sikurse i patëm edhe ne tonat. Por jeta jonë qe më e trishtë. Për shumëçka ma kujtojnë rininë time. Më pëlqen t’i ngacmoj herë pas here. Me ata, sikurse edhe me fëmijët e mi, kemi “konflikt” artistik. Ata e pëlqejnë RAP-in, kurse unë jam brez i ROCK-ut. Në këtë “konflikt” s’ka kompromis. Mua RAP-i më hyn në nerva, kurse atyre muzika ime e preferuar. Të dy palët besojmë se kemi të drejtë. Kam bindjen se kjo farë muzike getosh nuk do t’i mbijetojë kohës, teksa roku veçse e ka dëshmuar se vlen edhe për kohën tonë. Të rinjtë nuk pajtohen me mua dhe nuk i gjykoj. Edhe djemtë e mi më quajnë “i dalë mode” për shkak të kësaj joshjeje artistike. Janë të rinj për t’ua sqaruar se arti i modës asnjëherë nuk më ka pëlqyer. Ka aq shumë shkrimtarë bestsellerë që nuk mund t’ua lexojë më shumë se dy tre faqe të librave… Ka shumë libra që shiten në miliona kopje po nuk thonë gjë, ashtu sikurse ka libra që lexohen shumë pak, por janë një univers i tërë… Jetojmë në kohë  të ndryshme… Ndoshta të rinjtë jetojnë në një geto që ne të rriturit nuk e shohim. Në një botë të çuditshme sikurse e përshkruan Kavafisi te “Muret”… Mbase…

UJVARA. Uji. Gjithçka për jetën. Gjithçka për shpirtin. Pranë ujit dëgjojmë të tjerë zëra. Mendja njerëzore i kërkon aty dhe zanat. Rheinfall, një ujëvarë me 23 metra lartësi, në territorin e komunës Neuhausen am Rheinfall, rreth katër kilometra pranë qytetit Schaffhausen. Mrekulli ujore, ku njeriu arrin paqe me vetveten dhe krijon komunikim të heshtur me natyrën e gjelbëruar rreth e rrotull. Iliriani ma tregon në detaje këtë vend të bukur, të qetë, magjepsës. Gjendet pranë kufirit me Gjermaninë, po nuk shohim ndonjë pikë doganore. Këtu edhe kur ekzistojnë ato sërish janë të pahetueshme dhe kalohen, sikurse thuhet në një varg të Podrimjes, “me ‘i trandofile në dorë”.

Para kësaj bukurie përrallore, mahnitëse deri në ekstazë, ke ndjesinë sikur nga strajcat e shpirtit i shkarkon shqetësimet e brengat e shtresuara me vite. Uji i rrëmbyeshëm është një tjetër bukuri e frikshme. Të zgjon po aq mejtime sa edhe lartësia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button