Vështirësohet situata politike në Maqedoni, bisedimet e partive në regres

Mbarojnë edhe bisedimet e sotme, në mes partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos- BDI, LSDM, PDSH dhe VMRO-DPMNE, pa asnjë rezultat konkret të dalur nga palët, raporton Portalb.

Ambasadori i BE-së në një deklaratë të shkurtër për media tha se partitë kanë nevojë për konsultime shtesë, derisa partitë politike ose nuk flasin për këtë çështje ose fajin ia hedhin njëra tjetrës për bllokadë.

“I përfunduam negociatat për sot. Partitë kanë nevojë për më shumë konsultime”, tha Orav pas përfundimit të takimit.

“Koha është para”, ishte përgjigjja e shkurt e ambasadorit Orav ndaj pyetjes së gazetarit, se a po humbet kohë duke i pasur parasysh negociatat e mëparshme.

Ndërprerjen e bisedimeve e vërtetuan edhe nga LSDM-ja. “Gjithmonë kur vijmë deri te dy temat e dhimbshme të VMRO-DPMNE-së, e që janë: pastrimi i Listës zgjedhore, respektivisht 33 mijë regjistra kontestuese dhe rregullimi i sferës mediatike, bisedimet ndërpriten. VMRO-DPMNE ikë nga zgjedhjet fer dhe demokratike. Ata duan të kenë zgjedhje si duan vetë. LSDM këtë nuk do ta lejojë. Republika e Maqedonisë duhet të mbaje zgjedhje fer dhe demokratike”, theksoi zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, raporton Portalb.

Imer Aliu, përfaqësues i PDSH-së në bisedime, nuk ka dashur që para opinionit të zbulojë detaje rreth bisedimeve. As nga BDI nuk kanë qenë të kapshëm për të zbardhur ndonjë detaj nga bisedimet.

Sipas informatave jo-zyrtare, VMRO – DPMNE fuqishëm qëndron në atë se pastrimi i Listës Zgjedhore ka mbaruar dhe se mediat do të rregullohen me vetë-rregullim.

A po bisedohet për koalicion të zgjeruar?

Shilegov nuk ka dhënë përgjigje konkrete në pyetjen se vallë në tavolinën e bisedimeve është edhe qeveria e re me koalicion të zgjeruar.

“Po bisedohet për krijimin e kushteve, në përputhshmëri me Marrëveshjen e Përzhinos, të cilat mbeten të hapura që nga dhjetori i vitit të kaluar- pastrimi i Listës zgjedhore dhe mediat”, potencoi ai.

Rreth takimeve mes partive dhe faktorit ndërkombëtar ka folur edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli.

“Po takohemi me partitë dhe po bisedojmë për shumë tema. Punojmë për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos, e cila dha udhëzime për përcaktuar përgjegjësi, duke i pasur parasysh akuzat e rënda që dalin nga materialet e përgjuara. Shpresojmë që do të vijojnë reforma dhe zgjedhje kredibile dhe se popullata do të merr pjesë në këtë proces. Kjo është baza e Marrëveshjes së Përzhinos dhe ajo që SHBA dhe BE po bëjnë përpjekje që ta arrijnë si miq të Maqedonisë”, u shpreh Bejli./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button