Liderët partiak nuk mund t’a bindin veten për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve

Partitë politike në parim janë pro dialogut politik, por u mungon iniciativa. Së paku kështu vërehet nga retorika e tyre rreth mundësisë për takim liderësh dhe vazhdim të dialogut politik, që do të ketë synim daljen nga kriza, shkruan Portalb.

“Me plotësimin e parakushteve, anulimin e zgjedhjeve dhe tërheqjen e abolimeve kriminele të presidentit Ivanov, mundet të fillojë dialogu politik me qëllim që të krijohen kushte për të organizuar zgjedhje fer dhe demokratike. LSDM vlerëson se dialogu politik është i domosdoshëm për dalje nga kriza”, tha zëdhënësi Petre Shilegov.

Edhe nga radhët e BDI-së vlerësojnë se është në interes të qytetarëve dhe shtetit që të ketë dialog politik.

“Për zgjedhje duhet të ulen të gjithë palët që marrin pjesë në zgjedhje për të krijuar ambient politik që zgjedhjet të jenë të pranueshme për të gjithë. BDI cdohere ka bërë thirrje për takime. Ne kemi konstatuar se vetëm nëpërmes dialogut mund të dilet nga kriza”, potencoi Rafis Aliti, deputet i BDI-së.

Në një linjë është edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, por ky i fundit kërkon që paraprakisht të dihet se për çfarë do të dialogohet.

“Do të kisha marrë pjesë në takim liderësh, por duhet paraprakisht ta dijë temën dhe planin për takim. Ne nuk jemi kundër mbajtjes së takimeve mes liderëve. Deri tash askush nuk na ka kontaktuar për takim”, deklaroi Gruevski.

Ndryshe, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi vlerëson se në takimin e liderëve që po paralajmërohet ditëve të fundit nuk ka se çfarë të ofrohet për dalje nga kriza.

“Takimi i tillë do të ishte joserioz dhe nuk besoj se do të mbahet. PDSH-ja konsideron se duhet të formohet qeveria e gjerë e koalicionit, në të cilën gjysma e posteve ministrore që deri tani i ka BDI-ja do të duhej t’i takojnë PDSH-së. Zgjidhja e këtillë për rrugëdalje nga kriza do të thoshte edhe mbajtje të zgjedhjeve parlamentare në terminin e rregullt në vitin 2018”, ka thënë dje Thaçi./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button