Komisioni për impiçment “sa për sy e faqe”

Insistimi i VMRO të ketë shumicën në Komisionin për impiçment kundër Ivanovit është argument i mjaftueshëm, i cili dëshmon se nisma do të dështojë. Përgjegjësia morale është parakusht për demokratizimin e shtetit. Ivanov që moti është dashur vet të jep dorëheqje nga funksioni i kryetarit të shtetit. Kështu thonë për Portalb njohësit e rrethanave politike dhe punës së Kuvendit, pas formimit të Komisionin për vlerësimin e përgjegjësisë politike- impiçment të kryetarit Gjorge Ivanov.

Mehmeti: Mungon ndjenja elementare për përgjegjësi morale

Njohësi i çështjeve politike, Ibrahim Mehmeti në deklaratën e tij për Portalb thotë se është e ditur se komisionet, qoftë për impiçment ose për shqyrtimin e çështjeve tjera, nuk mund të japin rezultate përderisa partitë që e kanë shumicën nuk e kuptojnë rëndësinë e temës në fjalë.

“Edhe më me rëndësi është se këtu mungon ndjenja elementare për përgjegjësi morale që është parakusht për demokratizimin e një shteti. Sidoqoftë, vet fakti që impicmenti dhe sidomos arsyeja për këtë impicment, bëhen teme diskutimi, do të jetë një mundësi për opozitën që t’i demaskojë motivet e kryetarit të shtetit lidhur me abolicionin të cilin e dënuan të gjitha forcat demokratike në vend dhe jashtë vendit”, u shpreh për Portalb Mehmeti.

Selmani: Procedura për impiçment në Kuvend është një cirk politik

Gazetari Naser Selmani, njohës i cështjeve politike dhe gazetar që një kohë të gjatë ndjek punën e parlamentit pohon se vendimi për abolim është i VMRO-DPMNE-së, e jo i Ivanovit.

“Ai është vetëm një zbatues i dëgjueshëm i politikave të partisë në pushtet. Ivanov nuk sillet si një prësident shteti, por si aparatçik, i cili gjatë ushtrimit të funksionit, nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por nga interesat e partisë në pushtet. Kjo dëshmon për partizimin e skajshëm të të gjitha institucioneve shtetërore. Për të më e rëndësishme ishte lëkura e krerëve të qeverisë se sa Kushtetuta e vendit, e cila kërkon që qytetarët të trajtohen njësoj para ligjit. Në çdo vend tjetër demokratik, Ivanov nuk do të priste procedurë impiçmenti për shkarkim, por vetë do të dorëhiqej. Por ai dëshmoi se Maqedonia nuk është shtet normal, ku bartësit e funksioneve shtetërore janë të përgjegjshëm dhe kanë moral politik”, tha Selmani për Portalb.

Sipas tij, procedura për impiçment në Kuvend është një cirk politik, i cili nuk i shërben askujt. Insistimi i VMRO të ketë shumicën në Komisionin për impiçment kundër Ivanovit është argument i mjaftueshëm, i cili dëshmon se nisma do të dështojë.

“VMRO-DPMNE padyshim se do ta merr në mbrojtje Ivanovin dhe nuk do të lejojë që ai të shkarkohet nga posti i presidentit. Unë mendoj se kjo përbërje parlamentare nuk ka kredibilitet politik të vendos për përgjegjësinë e Ivanovit, sepse deputetët e VMRO ishin ato që në mënyrë të verbët kishin mbështetur qeverisjen kriminale të Gruevskit. Sikur ato me nder dhe përgjegjësi të ushtronin funksionin e deputetit, nuk do të ndodhte përgjimi, apo të gjitha keqpërdorimet e pushtetit nga Gruevski. Deputetët e VMRO-DPMNE, si kukulla të pushtetit të Gruevskit, do ta refuzojnë nismën për marrjen në përgjegjësi të Ivanovit”, theksoi Selmani.

Për Selmanin mbetet e paqartë se pse opozita dhe partitë shqiptare pranuan insistimin e VMRO-DPMNE të ketë shumicën në Komisionin, kur dihet se kjo parti nuk ka shumicën e deputetëve në Kuvend.

Ndryshe, ka filluar me punë Komisioni për vlerësimin e përgjegjësisë politike- impiçment të kryetarit Gjorge Ivanov. Komisioni numëron 11 anëtarë. Kryetar është deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski, nga grupi i deputetëve të së cilit janë edhe pesë anëtarë, ndërsa nga dy anëtarë janë të BDI-së dhe LSDM-së dhe një i PDSH-së.

Vendimin eventual për nisjen e procedurës para Gjykatës Kushtetuese për përcaktimin e përgjegjësisë së Ivanovit duhet ta sjellin të paktën 82 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë.

Në këtë rast, është e pamundur që të arrihen 2/3 (82) e votave në parlament kur kemi parasysh qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, për vendimin e faljes së Ivanov.

“Kjo procedurë është e pabazuar. Ju po tentoni ta goditni çdo institucion, tani edhe kryetarin e shtetit. Nuk po zgjidhni metoda për të ardhur në pushtet. Të njëjtën e bëtë në vitin 1993, të njëjtën në vitin 2002, të njëjtin po tentoni ta boni edhe sot. Me aktivitetin e Ivanovit Maqedonia po kalon krizën e migrantëve pa pasoja. Vendimi është Kushtetues”, deklaroi Kërsto Mukoski nga VMRO-DPMNE n mbledhjen e parë të Komisionit kuvendor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button