Lulishtarja dhe McRaven

E shtunë, fundi i kësaj jave plot gjallëri, por edhe me shënjime të çuditshme lidhur me atë se ku jemi si komunitet shqiptar. Ora 9:30 dhe trokas në dyert e floktarëve, berberëve dhe lavazheve të siqytezës Saraj, dhe s’gjej njeri të gjallë që të përmbush dy nevoja, qethja dhe larja e makinës, që janë pjesë e përgatitjes për skenën ceremonialit të paradiplomimit, pranimi i çertifikatave dhe i hedhjes së kapelave, pjesë e së cilit ishte edhe vajza jonë, një juriste e re nga shkolla e UEJL-së. Mendoj me vete, në çfarë shkalle të gjallërisë rinore dhe më tej kemi rënë. Në sa ora vallë duhet të fillojë jeta në një shoqëri të hiperglobalizimit, të ekonomisë si determinante e kohës sonë, në një epokë të konkurrencës “vrastare”? Si e kërkojnë rizkun këta njerëz, ky brez nga i cili pritet të mbartë mbi supet e veta përgjegjësi të shumta? Dhe duhet të pish një kafe të gjatë (jo të çastit) a të ikësh e të kthehesh që të shfaqet ndonjë ‘trim’ që do të të ndihmojë në këtë “minikrizë”, kur “lufton me kohën”. Dhe vendos të punën e fundit ta bëj të parën, zbres deri në lagjen “maqedonase” të Gjorçes për të blerë një tufë lule – buqetë, siç kërkohet për raste të tilla dhe ndalem te lulishtja e parë. Me të hyrë, përshëndetje dhe pas rrëfimit se çka më duhet, fillojmë të bisedojmë me zonjën mbi 50 vjeçare, e cila pas uratave, më tregon se edhe ajo është e diplomuar në juridik për marrëdhënie ndërkombëtare. Dhe them me vete, “një e diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare punon në lulishte, dhe në atë moshë dhe nuk e sheh për nënçmim të jetë lulishtare e mbishkolluar për atë shërbim”. Ja ku është dallimi mes nesh dhe atyre. Ata kanë kuadro me diploma edhe për në lulishte, ndërsa ne jemi në rrugë për të profilizuar kuadro në lëmë të ndryshme, nganjëherë me bollëk dhe kuantitet, e kanë thyer egon, janë më modestë se ne. Një mik para do kohe më tregoi për një të ri maqedonas që punonte me si distributor me biçikletë i simitave dhe byrekëve për vetëm 300 denarë që ia jepte furra si mëditje. Në Maqedoninë lindore thuhet se njerëzit opunojnë edhe për 5000-7000 denarë. Te ne shqiptarët? Bisedoj me veten sërish lidhur me numrat, hiperproduksionin akademik-studentor dhe them: “Me kalimin e kohës do vijë edhe cilësia”. Le të mbushet tregu njëherë me të diplomuar, pa i lënë mënjanë sferat deficitare. Jo vetëm ekonomi, mjekësi, juridik. Konkurrenca do t’i japë rezultatet e veta, të dobëtit ose do duhet të rikualifikohen ose do duhet t’ua lëshojnë vendin cilësorëve dhe të merrem me ato punë që dinë t’i bëjnë më së miri. Nuk do mundet edhe gjatë që prijatarët të rrijnë mbrapa, e të dobëtit “ta heqin vallen”. Nuk mund të vazhdojë devalvimi i vlerave deri në pafundësi. Nuk mundet që vija partiake, nepotizmi të dominojnë gjithnjë. Mjafton që të shkollojmë dhe të përgatisim njerëz. Të arrijmë që të kemi të diplomuar edhe në lulishte, madje edhe kamarierë. S’është kjo për t’u turpëruar. Puna e bën njeriun njeri.

Dhe arrij në 11:45 arrij në Tetovë. Një masë e madhe njerëzisht, një pompozitet që të përkujton ritet e këtilla akademike europiane dhe amerikane. Studentë, profesorë, dekanë, ministra, ambasadorë, figura publike, prindër të entuziazmuar që presin defilimin e fëmijëve të tyre, që i gëzohen suksesit të përbashkët, investimit jetik, shkollimit të një të riu, të një njeriu, që kapërcen investimin në oriz, pemë, siç do të kishin thënë kinezët. Veshjet më të bukura për çastin më të bukur akademik, togat dhe kapelat. UEJL si zgjua, institucioni më eurpioan të  Ballkanit (Oli Rehn), një hapësirë ekstraterritorriale. Gëzim gjithandej, shoqëruar edhe me lotë, sepse arsimi vërtet është forcë, madje edhe pushtet. Kemi qenë të qeverisur sepse s’kemi qenë të arsimuar, dhe tani punët dalëngadalë po ndryshojnë, në saje të dijes. Ekstazë kulturore. “Gaudeamus Digitur”. Fjalime, të shkurtra dhe përmbajtësore. Shpallen studentët më të mirë. Evokohen kujtime. Hutia e ditëve të para në akademi: “Ku janë mësonjtoret, ku janë zyrat e mësimdhënësve, administrata?” “Si bëhet regjistrimi elektronik, si funsksionon Libri?” “Kriteret e evaluimit?” Provimet e para. Stresi. Pikët e larta, kalimi i provimeve një nga një, regjistrimi i vitit vijues. Dhe hapërimet drejt shtigjeve të suksesit. Tre vite sa tri ditë. Dhe ja, paradiplomimi. Më në fund, fjalimi i njeriu të parë të universitetit, Rektorit, i cili studentëve u jep ca porosi jetike, i mëson si më tutje.  Flet duke iu referuar fjalimit të admiralit William H. McRaven nga Universiteti i Teksasit, Austin, mbajtur në vitin 2014 në një ceremoni si kjo e 28 majit 2016 në “Shtul”: “1. Rregullojeni shtratin tuaj çdo mëngjes. 2. Gjeni dikë t’ju ndihmojë në lundrim. 3. Njeriun mateni në bazë të madhësisë së zemrës e jo të dorës. 4. Gjithnjë mbajeni në mend se jeta nuk është gjithnjë fer, nuk sjell gjithherë drejtësi. 5. Do t’ju ndodhë që të dështoni, kjo është pjesë e jetës, mos u dëshpëroni.  6. Përballuni me pengesat e problemet me kokën lart e pa hezituar. 7. Mos tërhiqeni para ‘peshkaqenëve’ dhe dhunuesve. 8. Jepeni më të mirën tuaj (maksimumin) në çastet më të zeza. 9. Thuajani këngës kur e keni qafën në baltë, kur keni telashe të mëdha. 10. Kurrën e kurrës mos u dorëzoni.” Ja kështu, arena e kësaj kremte u përmbyll me fjalë urtësie, me filozofi, me mësime të thella, me mentorim jetik. Me fjalë që vlejnë jo vetëm për studentët por edhe për ne më të rriturit. Universitet qark frymëzimi. Dikur thonin “Të na rrojë partia”. Sot themi “Të na rrojë universiteti!” I pavarur, bashkëkohor, konkurrent. I gjeneratës së tretë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button