promovohen në athinë romani “1803” dhe vëllimi poetik “Besa” të autorit Besim Xhelili

Në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, me pjesëmarrjen e kënaqshme të bashkatdhetarëve që jetojnë në Greqi, artdashësve dhe përcjellësve të letrave të shkruara, u promovuan dy librat më të rinj të autorit tetovar me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xhelilit. Bëhet fjalë për romanin e tij të parë “1803”, i cili sipas autorit do të vazhdojë edhe me dy pjesë, dhe për vëllimin e tij të pestë me poezi “Besa”. Përndryshe këto dy libra dolën nga botimi në mars të këtij viti, dhe u promovuan në Takimet Tradicionale Poetike “Pavarësia Poetike 2016”, nën organizim të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, kësaj radhe në qytetin Hamburg të Gjermanisë, si dhe muajin e kaluar në Ambasadën e Kosovës në Vjenë.

Programin e udhëhoqi gazetarja e mirënjohur e Radio Athinës Bardha Mançe, e cila po bën një punë të madhe përmes valëve të kësaj radioje, për promovimin dhe afirmimin e vlerave që krijohen nga krijues, artistë e poetë shqiptarë gjithandej globit. Në sallë ishin edhe më të vegjlit, duke treguar kështu një maturi të madhe edukative-estetike familjare, për edukimin e brezave më të rinj në frymën atdhetare dhe kombëtare.

Në emër të Ambasadës përshëndeti z. Florian Nova, Ministër Fuqiplotë, i cili tha se ndjehet shumë i nderuar dhe ka kënaqësinë që në emër të Ambasadorit z. Dashnor Dervishi, t’i përshëndet të pranishmit, duke shtuar se Ambasada është shtëpia e të gjithëve dhe do të jetë e hapur gjithmonë për aktivitete kulturore dhe letrare, kurse për çështjet organizative u përkujdes znj. Entela Gjergo.

Një vështrim për anën filozofike të romanit bëri profesori Thanas Boçi i cili u shpreh: “Romani i tij “1803”, me një titull tepër sinjikativ është i zhanrit social-erotik, por përditshmëria përbëhet edhe nga elementët e saj si: puna, familja, mërgimi, etnia, kultura, arti, poezia, jeta urbane apo edhe dashuria, duke kaluar në filtrin e talentit të autorit, përbëjnë edhe atë që quhet plotësim i përbërësve të subjektit; ndaj thjeshtësia e të rrëfyerit dhe fabulës nis me lindjen e ndjenjës së dashurisë më 18 mars (18-03), dhe vazhdon me luftën, peripecitë për të mposhtur pengesat, mentalitetet, zakonet, disi tashmë të tejkaluara në kohë, gjersa arrin finishin e zgjidhjes së çështjes në funksion të dëshirës të të dyve: Besarit dhe Samirës. Dhe të gjitha këto përshkohen fund e krye nga përshkruarja e të gjitha ngjarjeve a rrethanave nga dimensioni i lirisë të mendimit, e shfaqur në mesazhe të qarta, konkrete dhe të kapshme nga lexuesi.

Në anën tjetër për tematikën dhe vlerën letrare si dhe për gjuhë dhe nivelin e romanin foli filologia Marinela Duri duke thënë: “Fjalori i pasur, stili narrativ, përshkrimet romantiko-erotike të ngarkuara emocionalisht me figura letrare si: epifora, metafora, alegoria, krahasimi, epiteti, aforizmat, simbolizimi i shenjave të pikësimit (tre pikat, thonjëzat etj.) drama, suspens-i, anatropia – thyerja kronologjike e ngjarjeve, që ndryshe fillojnë, ndryshe rrjedhin e ndryshe përfundojnë, romanca, informacioni dhe sigurisht një fund i lumtur-HAPPY-END, këto kërkon lexuesi bashkëkohor. Më konkretisht: drama shfaqet në roman që në fazën e parë kur protagonistët fillojnë e ndjejnë për njëri-tjetrin; që të dy kanë familje. Vetëkuptueshëm që vështirësitë e pengesat për përjetimin fshehtas të një ndjenje të tillë do t’i shoqërojnë gjithnjë e kudo, deri në fund, kur protagonisti ka të sigurt vdekjen dhe në atë shtrat i duhet t’i rrëfehet së shoqes dhe protagonistja, së shoqit. Romanca pa fund përshkon tejendanë romanin. Lojërat e fjalëve, tematologjia e bisedave të tyre e bën më tërheqës librin e më të ngutshëm leximin duke nxjerrë në pah njëkohësisht nivelin e lartë të tyre intelektual, diturinë, mprehtësinë e zgjuarsinë e tyre”.

Atmosferën e zbukuruan me instrumentet e tyre Gerta Selmani-Katemi dhe Edi Katemi, kurse disa vargje nga vëllimi poetik “Besa” i lexuan shkrimtari Bledi Ylli dhe disa nxënës nga Shtëpia Shqiptare Athinë “Porta” Një fragment nga romani e lexoi artisti i njohur Armando Dauti, kurse të pranishëm ishin edhe artisti i dalluar Nikolla Llambro si dhe personalitete të tjera nga jeta intelektuale e shoqërore e komunitetit shqiptar në Greqi.

Në fund të pranishmit patën mundësinë që në një bisedë të lirë të flasin me autorin e librave si dhe të shijojnë koktejin modest të rastit, shtruar nga Ambasada.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP