Shkup, prezantohet projekti i BE-së “Forcimi i Sundimit të së Drejtës”

Në zyrat e Bashkimit Evropian në Shkup zyrtarisht u prezantua projekti “Forcimi i Sundimit të së Drejtës”, projekt ky i zbatuar nga Ministria e Drejtësisë së Lituanisë dhe Kroacisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë, ku në Shkup erdhën ministri kroat i Drejtësisë, Ante Shprlje dhe ministri lituanez i Drejtësisë, Dzintars Rasnaçs, për ta promovuar projektin bashkë me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë, Valdet Xhaferi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij hyrës, ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha se funksionimi i së drejtës është thelbësor për secilin shtet i cili dëshiron të gëzojë një demokraci jetëgjate, prosperitet dhe paqe.

Ai the se procesi i zgjerimit të BE-së, ka vendosur sundimin e së drejtës në shtyllat kryesore të tij, ndërkohë që kritikoi ashpër vendimin e presidentit Ivanov të falë, siç tha Orav, të gjithë zyrtarët kryes potencial të krimeve, i cili vendim sipas tij, seriozisht rrezikon sundimin e së drejtës si dhe krijon atmosferë të rrezikshme në shtet.

Duke shtuar se nuk dëshiron të dekurajojë kolegët nga Kroacia dhe Lituania të cilët erdhën në Shkup, Orav tha se “shpreson që liderët politik do të veprojnë me përgjegjësi politike dhe të fillojnë të zgjidhin krizën e thellë politike në mënyrë që krijuesit e politikave bashkë me ekspertët do të mund të bëjnë punën e tyre dhe të kthejnë procesin e reformave në binarë të shëndoshë”.

Ministri i Drejtësisë të Maqedonisë, Valdet Xhaferi tha se pranimi dhe respektimi i standardeve më të mira të Bashkimit Evropian nga kapitulli 23 i jurisprudencës dhe inkorporimi i tyre në jurisprudencën e vendit gjejnë reflektimin edhe përmes këtij projekti.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ndihmohet Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e gjyqësorit në mënyrë që profesionalisht të kryejnë detyrat në procesin paraqasës dhe qasës në BE” tha ministri Xhaferi për të shtuar se njëri nga benefitet është edhe harmonizimi i legjislacionit të Maqedonisë me atë të BE-së.

Ministri lituanez i Drejtësisë, Dzintars Rasnaçs, nga ana e tij tha se Lituania dhe Kroacia kanë bashkuar forcat në mënyrë që të ndihmojnë Maqedoninë aty ku ka nevojë. Ai tha se përvoja e shtetit të tij do të jetë e mirëseardhur për Maqedoninë, sidomos nga fakti se bashkë me atë kroate, Maqedonia do të përfitojë dy përvoja të ndryshme evropiane.

Ministri kroat i Drejtësisë, Ante Shprlje falënderoi autoritetet e Maqedonisë të cilët, sipas tij, kanë pasur besim në potencialin e Kroacisë në këtë drejtim. “Jam i sigurt se historia e përbashkët dhe ngjashmëria e bekgraundit gjyqësor do të rezultojë me një përfitim të dyfishtë për Maqedoninë dhe Kroacinë” tha ai për të shtuar se në vitet e kaluara Kroacia kë bërë reformat e konsiderueshme në përputhje me standardet e BE-së.

Vlen të theksohet se në mesin e qëllimeve kryesore të projektit janë edhe avancimi i njohurive dhe kapaciteteve të vepruesve në gjyqësorin e BE-së dhe institucioneve të tjera relevante për tu nxitur bartja e tyre në legjislacionin e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button