Zoran Zaev nuk pranon zgjedhjet, ja ‘lufta’ që ai do e udhëheqë (VIDEO)

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp, ka folur për ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, duke vlerësuar se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor sepse nuk është pastruar Lista Zgjedhore dhe nuk janë bërë reformat në media, raporton Portalb.

Njëkohësisht, Zaev ka bërë thirrje për front të përbashkët të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, duke thënë se nga rruga për të  dalë, siç thotë ai nga kjo krizë politike, nuk do të heqin dorë.

“Ftoj në bashkim, për front qytetarë. Së bashku me qytetarët ta kthejmë demokracinë. Bëhet fjalë për Maqedoninë. Maqedoni të lirë për kthimin e vlerave evropiane. Ose Gruevski ose Maqedonia”, tha Zaev.

Zaev tha se ai bashkë me partinë e tij, do të luftojë me të gjitha “armët” dhe mundësitë, duke mos e përjashtuar edhe atë të protestave, duke shtuar se në ditët në vijim opinioni do të njoftohet me hapat e mëtejmë të LSDM-së “.

“Me siguri se ne nuk do t’i ndjekim zgjedhjet duarkryq dhe nga televizioni, por do të angazhohemi që “luftën”, për liri dhe demokraci ta vazhdojmë me të gjitha mënyrat dhe format demokratike, duke mos i përjashtuar edhe protestat”, tha Zaev.

Sipas Zaevit, pushteti i ka robëruar ministrat dhe zv/ministrat e LSDM-së në Qeveri, me këtë rast, kryeministri i Maqedonisë Emil Dimitriev nuk i ka konstatuar dorëheqjet e tyre.

Megjithatë ai njoftoi, se ka marrë garanca nga faktori ndërkombëtarë për zbatimin e reformave në Maqedoni.

Gruevski i kundërpërgjigjet Zaevit

“Opozita nuk do të merr pjesë në zgjedhje sepse e di se do t’i humb”, kështu tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në konferencën e sotme për shtyp duke folur për ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, raporton Portalb.

Sipas Gruevskit, kushtet janë plotësuar dhe zgjedhje duhet të ketë dhe siç tha ai “do të ketë”.

“Zaev po ik nga frika se do t’i humb zgjedhjet, nuk është e vërtetë se s’ka zgjedhje. Ne të gjithë jemi angazhuar që shtetin ta heqim nga kjo krizë e gjatë politike dhe  të ky shtet të frymojë lirë. Është e qartë se opozita nuk ka kurrfarë argumente që po dëshiron të ikë nga zgjedhjet, të gjitha pikat e Marrëveshjes së Përzhinos janë plotësuar dhe më 5 qershor duhet të plotësohet edhe kushti kryesor i marrëveshjes, mbajtja e zgjedhjeve”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button