Prokuroria hapë lëndë për përgjimet e funksionarëve të BDI-së
Nga Prokuroria Publike e Shkupit për “Dnevnik” kanë konfirmuar se kanë hapur lëndë për inçizimet e bisedave privatë mes funksionarëve të BDI-së, mes të cilave janë publikuar edhe biseda mes zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi dhe deputetes Ermira Mehmeti, njofton Portalb.
Të dy, dje për mediat e kanë mohuar autenticitetin e bisedave të publikuara, duke thënë se inçizimet në fjalë janë të montuara me qëllim të cenimit të kredibilitetit të tyre dhe të partisë.
Me gjasë publikimi i këtyre bisedave, mund të jetë njëra ndër arsyet që mbrëmë kryesia e BDI-së vendosi që t’i tërheqë ministrat e saj nga Qeveria.
Ermira Mehemti mbrëmë në emisionin “Opinion”, të udhëhequr nga Blendi Fevziu, nëpërmjet telefonit, ka sqaruar, sipas saj, të vërtetën e videos.
“Nga janari i këtij viti, tre katër veta më janë paraqitur për të ma shitur këtë material, por unë nuk kam pranuar. I di edhe emrat e atyre personave që janë përfshirë në montim dhe për këtë rast jam duke bashkëpunuar me prokurorinë. Nuk dua të bëjë rolin e prokurorin. Por them se diku aty dëgjohet edhe zëri im, mirëpo ajo është e montuar dhe përgatitur nga kuzhinat e nëntokës. Unë jam shumë e bindur se këto lloj montime janë asgjë e pa njohur për shqiptarët e Maqedonisë, të përgatitura nga shërbimet e shtetit. Kam qenë e shantazhuar që nga janari këtij viti”, shpjegoi Mehmeti.
Dje edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka komentuar në lidhje me audioinçizimet e publikuara në “Youtube”, duke thënë se janë shantazhe dhe kërcënime nga qarqe të caktuara antishqiptare dhe se nuk janë të vërteta.
“Audioinçizimet janë të pavërteta dhe janë të inskenuara nga njerëz të cilët shantazhojnë funksionarët e BDI-së”, ka deklaruar ai duke shtuar se BDI-ja ka ngritë iniciativë në prokurori që të zbardhë të vërtetën për materialet komprometuese”, tha Xhaferi.
Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë Rafis Aliti, kuadër i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, është i vetmi funksionar i kësaj partie që sot e ka hapur telefonin për redaksinë e Portalb-it për të komentuar vendimin e fundit të tyre në lidhje me tërheqjen e ministrave të BDI-së nga Qeveria. Ministrat e kontaktuar nuk janë të qasshëm për komente.
LEXО: Përgjimet apo betonimi i zgjedhjeve së 5 qershorit? Çka e tërhoqi BDI-në nga Qeveria!?
Ai për Portalb.mk vërtetoi se ministrat e BDI-së sot kanë deponuare dorëheqjet e tyre në Qeverinë e Maqedonisë, pas vendimit të mbrëmshëm të kësaj partie për dorëheqje të tyre.
“U deponuan dorëheqjet ndërsa të hënën në Parlamentin e Maqedonisë do të shqyrtohen ato” tha për Portalb, Aliti.
Ai më tej nuk deshi të komentojë për arsyen e miratimit të këtij vendimi të BDI-së.
Aktualisht, të gjitha kompetencat ekzekutive dhe vendimmarrëse i ka kryetari Ali Ahmeti për të vendosur mbi hapat e mëtutjeshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Si komentohet veprimi i BDI-së nga aspekti juridik?
Vendimi i kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që t’i tërheqë ministrat në Qeverinë e Maqedonisë dhe t’i shqyrtojë politikat e saj në ditët në vazhdim është praktikë e re në politikën e Maqedonisë për të cilën, ligjvënësi nuk parasheh vendim, njofton Portalb.
Askush sot në nuk di të thotë se në Maqedoni a ka tani Qeveri funksionale, kush udhëheqë me shtetin, a është ende kryeministri Emil Dimitriev i obliguar dhe kompetent për t’i organizuar zgjedhjet apo ajo i ngelet kryetarit të Kuvendit ose kryetarit të shtetit i cili ka kompetenca të mbrojtjes (komandant suprem) dhe politikës së jashtme.
Edhe më shumë është e paqartë deklarata e BDI-së se partia ka vendosur t’i “tërheqë” ministrat, ndërkaq jo “të del nga Qeveria”, “ta lëshojë koalicionin”, ose funksionarët “të japin dorëheqje” nga funksionet e deritanishme.
Më së afërmi, për këtë që ndodhi mbrëmë, sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, është e paraparë sipas nenit 94 në të cilin qëndron se nëse kryetari i Qeverisë propozon shpërbërje të më shumë se 1/3 të anëtarëve të përbërjes primare, Kuvendi vendosë si do të krijohet Qeveria e re, transmeton Portalb.
BDI në Qeveri nga 26 ministra resorë, ka nëntë ministra, që përbën 1/3 e përbërjes së përgjithshme.
Sipas nenit 90 të, kryetari i shtetit të Republikës së Maqedonisë në këtë rast do të duhet patjetër që në afat prej 10 ditëve krijimin e Qeverisë t’ia lë partive që kanë shumicë në Kuvend, transmeton Portalb.
Qeveria, pastaj e zgjedhë Kuvendin me shumë të votave parlamentare nga numri i përgjithshëm.
LEXO: Përgjimet apo betonimi i zgjedhjeve së 5 qershorit? Çka e tërhoqi BDI-në nga Qeveria!?
Në mbledhjen e mbrëmshme të BDI-së, përveç vendimit për tërheqjen e ministrave nga Qeveria, kryesia e BDI-së konfirmoi se kryetari Ali Ahmetit i ka marrë kompetencat e plota që të sjellë vendime për hapat e mëtejme të partisë.
“Partia e riafirmoi ligjin statutor që ta autorizojë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti që të vendosë për veprimet e mëtejshme të BDI-së. Bashkimi Demokratik për Integrim, në ditët në vijim do t’i informojë komunitetin ndërkombëtarë dhe lokal për politikat e mëtejshme”, shkruhet në kumtesën e BDI-së. /Portalb
LEXO: Trajanov: BDI e lëshoi qeverinë sepse nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhjet e 5 qershorit