Blushi: Ngjarja e Elbasanit e ka burimin nga selia e PS-së

Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi të hënën, menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, se ngjarja e Elbasanit e ka burimin pikërisht nga selia e partisë në të cilën bën pjesë.

“Ngjarja e Elbasanit e ka burimin në këtë seli. Unë i kam falur ata djemtë në Elbasan sepse e di që janë nën ndikimin e një presioni psikologjik që i bëhet nga selia, kur i flitet për armiq të partisë. Unë do të doja që PS-ja të distancohej nga kjo vijë politike”, u shpreh Blushi, njofton Top Channel.

Deputeti shtoi se Partia Socialiste “jo vetëm qeveris, por ka edhe rol të edukojë njerëz”.

“Nëse partia nuk mban distancë nga këto sjellje, kemi një problem të madh pedagogjie politike. Njerëzit po nxiten për të urryer dhe për të kundërshtuar me dhunë ata që nuk mendojnë si ata. Në Elbasan pati dhunë dhe PS-ja duhet të distancohet nga kjo tendencë”, shtoi deputeti.

Në lidhje me dekriminalizimin, Blushi tha: “PS-ja ka votuar një ligj për dekriminalizimin. Nëse nuk do të kishte asnjë kriminel në parti, nuk kishte pse e votonte fare”.

Ndërkohë, Taulant Balla tha se mbledhja e grupit parlamentar socialiste pati debate të ashpra: “Pati diskutime të nxehta për faktin se në mënyrë të vazhdueshme një deputet ka hedhur baltë mbi grupin parlamentar të cilit i përket. Ai thotë se në grup ka kriminelë. I kërkuam emrat, emra nuk kishte”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button