Filloi fushata folklorike-patetike për manipulimin e ndjenjave kombëtare shqiptare

Duhet të ndërpritet vendosja klandestine e statujave që kanë për qëllim manipulimin e ndjenjave kombëtare për qëllime politike. Kështu porosisin njohësit e çështjeve politike në vend. Sipas tyre, BDI-ja pas shumë dështimeve dhe sipas tyre dëshmisë si parti frikacake ndaj partisë maqedonase në pushtet, të kot e ka tentimin për të treguar se nuk e pyet partnetin e koalicionit.

Nën inspektimin e punimeve nga kreu i degës së BDI-së për Çair, Beqir Asani, herët në mëngjes dhe pa asnjë paralajmërim të dielën u vendos një shqiponjë prej metali, e njëjtë me atë të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, e cila ndodhet afër urës së Bit Pazarit në afërsi të shkollës “Zef Lush Marku”. Shqiponja është pjesë e manifestimeve katër ditore që Komuna Çair dhe Ambasada e Kosovës i realizon për pavarësinë e Kosovës.

Analisti politik Xhelal Neziri, pohon për Portalb se para çdo cikël zgjedhor keqpërdoren ndjenjat kombëtare të shqiptarëve për të fshehur dështimet konkrete të partive në pushtet.

“Naracioni folkloriko-patetik në politik, i cili shpesh përdoret për të mbuluar korrupsionin, mendoj se nu do të kalojë më. Shqiptarët presin nga politika që të përmirësojë standardinn e tyre të jetesës, e jo të transformojë injorantët në biznesmenë duke keqpërdorur pronën publike dhe tatimet që i paguajmë të gjithë ne. Përfundimisht duhet të ndërpritet vendosja klandestine e statujave që kanë për qëllim manipulimin e ndjenjave kombëtare për qëllime politike”, tha për Portalb Neziri.

Në vijë të njëjtë të mendimit është edhe publicisti Iljasa Salihu.

“Unë mendoj se shtiret si njëra palë ashtu edhe tjetra. Për të parin e Shkupit vendosja e shqiponjës është e paligjshme, kurse për të parin e Çairit gjithçka është në rregull. Ngjashëm si për presidentin e shtetit. Për njërën palë ai është i ligjshëm dhe legjitim, kurse për palën tjetër është i ligjshëm, por jo edhe legjitim, kurse ajo që është me rëndësi, presidentit askush nuk ia turbulloi ujin. BDI-ja pas shumë dështimeve dhe dëshmisë si parti frikacake ndaj partisë maqedonase në pushtet, pikërisht tani dëshiron që ndaj palës shqiptare të paraqitet dhe shfaqet si parti e cila për vendosjen e simboleve kombëtare nuk e pyet fare partinë maqedonase, kurse ajo maqedonase për hir të qindra lëshimeve që ia bëri BDI-ja në kurriz të shqiptarëve, mes tyre edhe përkrahjen e luanit si simbol shtetëror, tani mendon ta shpërblejë me një dhuratë simbolike që nuk paraqet fare problem për maqedonasit, ngaqë vendoset larg sheshit të Shkupit dhe në mënyrë jo të ligjshme, gjë që parimisht pandehet si projekt joserioz”, potencoi për Portalb Salihu.

Ndërkaq, paralajmërimet se shqiponja dykrenare e vendosur në Çair mund të shkaktojë incident ndëretnik, analistët i vlerësojnë si tendencë për ta defokusuar opinionin dhe për të krijuar mjegullnajë.

“Vendosja jolegale e këtyre objekteve që provokojne sentimente kombëtare në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk mund të interpretohen në mënyrë tjetër veçse si një tentim për mjegullimin e realitetit të zymtë që shpërfaqet me aktivitetin e Prokurorisë Publike Speciale”, theksoi Neziri..

“Sa i përket zënkave apo ndonjë konflikti të mundshëm, duhet ditur se këta edhe kur duken se po ia thyejnë dhëmbët njëri-tjetrit, në të vërtetë puthen, ndaj çdo zënkë a konflikt mes tyre, qytetarët duhet ta shohin si një film të shëmtuar me aktor mesatarisht të përgatitur për filma të tillë, qytetarë këto të cilët fatkeqësisht po duhet ta paguajnë shtrenjtë biletën për shikimin e këtyre filmave!”, tha Salihu.

Në lidhje me vendosjen e bazamentit me shqiponjën dykrenare ka reaguar edhe aktivisti Bekim Bina.

Ja postimi i plotë i tij në rrjetin social Facebook:

Vendosja e bazamentit dhe shqiponjës në rrethërrotullimin në f.Topane në Komunën e Çairit për mua është një ofendim i inteligjencës si qytetar i Çairit dhe si shqiptar. Pse ? Për shkak se:

  1. Ashtu si shtatoret tjera, u vendos në mënyrë klandestine, pa konsultim publik paraprak dhe krejtësisht në formë jashtinstitucionale. Me këtë ata (BDI) po na trajtojnë si “pleme” dhe “indian”
    2. Vendosja e shqiponjës nga ata është kopje bajate e patriotizmit turbofolk, provincial dhe me plotkomplekse mu si patriotizmi i Gruevskit! Ata janë në marrëveshje me Gruevskin!
    3. Shqiponja vendoset nga ata të cilët hapësirën publike të Komunave urbane me shumicë shqiptare e trajtuan, si hordhitë e Xhingis Kanit që i trajtuan territoret dhe popujt të cilët i mundën në beteja.
    4. Shqiponja vendoset nga ata të cilët në bazë të raportit të fundit për transparencë buxhetore (Nëntor 2015) ishin të fundit. Komunat urbane të BDI-së janë të fundit.
    5. Shqiponja vendoset nga ata të cilët e shkatërruan USHT-në dhe tani duan ta hedhin si leckë dhe të formojnë USHSH-në.
    6. Shqiponja vendoset nga ata të cilët nuk janë në gjendje një ujësjellës të rehabilitojnë në komunën urbane më të madhe me popullatë shqiptare.
    7. Shqiponja vendoset nga ata të cilët do ta helmojnë dhe shkatërrojnë Pollogun nga bomba ekologjike, për shkak se nuk janë në gjendje të ndërtojnë një Deponi Rajonale. Të gjitha komunat dhe Ministria e Ambientit I takojnë BDI-së.
    8. Shqiponja vendoset nga ata të cilët në FB shesin patriotizëm duke e sharë bile edhe thyer me shkop të gomës Car Dushanin ndërsa në Kuvend e votonin po të njëjtin.
    9. Shqiponja vendoset nga ata të cilët nuk janë në gjendje një ent parashkollor të hapin në ndonjë komunë urbane që ata e menaxhojnë.
    10. Shqiponja vendoset nga ata të cilët menaxhojë gjimnaze që tregojnë rezulltate shumë të dobëta në testet e maturës shtetërore
    11. Shqiponja vendoset nga ata të cilët e dhunuan Marrëveshjen Kornizë për të mbetur në pushtet dhe si rezultat u zbrazën vendbanimet shqiptare.
    12. Shqiponja vendoset nga ata në të cilët dyshojmë se kanë marr miliona euro për t’a zgjatur monopolin e Telekomit dhe për shkak të kësaj ne duhej të paguajmë fatura më të shtrenjta për telefoni mobile me vite të tëra.

Ka edhe shumë arsye se pse më bën nevrik vendosja e shqiponjës nga ata që na ofendojnë dhe bëjnë budallenj me mijëra nesh që shkojmë e votojmë, ata që me arrogancë falsifikojnë procesverbal të votimeve.

 

Pas vendosjes së Shqiponjës dykrenore ka reaguar Qyteti i Shkupit. Në një njoftim me shkrim thuhet se është kërkuar nga Inspektorati shtetëror i ndërtimit që të heq shqiponjën. Nga qyteti i Shkupit kanë theksuar se shpresojnë se inspektorati në afat sa më të shkurtër do të zgjidhë këtë rast./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button