A jemi eksperiment i reformës ne arsim?

Arsimimi  është pjesa më e rëndësishme e njeriut, ku mund të formohemi si moralisht ashtu edhe profesionalisht. Për tu bërë sa më të suksesshëm në këtë jetë ne duhet me patjetër të mbështetemi tek shkolla. Tre vitet e gjimnazit mbeten vitet më të rëndësishme , pasi cilësohen si hallka për të hedhur një hap gjigand drejt një të ardhmeje sa më të përkryer. Në shumë vende të Evropës, në Amerikë apo edhe në vende të tjera të rinjve ju kushtohet shumë rëndësi, sidomos nga ana e shtetit. Ju kushtohet shumë rëndësi formimit të tyre, pasi ata sigurisht do të jenë e ardhmja, dhe atyre ju hapet çdo rrugë, ku gjëja e vetme që duhet të bëjnë dhe duhet të mendojnë, mbetet studimi.

Çfarë ndodh në Shqipëri? Çfarë është reforma që ndodhi në arsim kohët e fundit?

Në Shqipëri kohët e fundit ndodhi një reformë në arsimim. Ministrja Lindita Nikolla i bëri me dije maturantëve se, për Maturën Shtetërore, asgjë nuk ka ndryshuar këtë vit, sa i përket miradministrimit të saj dhe zhvillimit të pesë provimeve, atyre të detyruara dhe atyre me zgjedhje. Sipas Ministres së Arsimit, ajo që ndryshon këtë vit është mënyra e aplikimit për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, ku risi është plotësimi i formularit A1 nga të gjithë maturantët, edhe nga ata që do vijojnë studimet në universitete publike, por edhe nga ata që dëshirojnë të studiojnë në universitete private. Ligji i ri i Arsimit të Lartë detyron Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që të përcaktojë përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave vetëm nivelin dysheme të notës mesatare që duhet për të hyrë në universitet.  Pra me pak fjalë rëndësi do të ketë mesatarja e tre viteve të gjimnazit, ku mesatarja dysheme e vendosur nga Ministria mendohet të jetë rreth 6.5,  por gjithashtu çdo universitet do të përcaktojë kritere të tjera përveç mesatares dysheme. Disa universitete kanë filluar të vendosin kriteret për pranimin e studentëve si Universiteti i Tiranës , i mjekësisë etj.

Por si u përcoll ky ndryshim te të rinjtë Shhqiptarë?

Në Shqipëri shumë të rinj shqiptarë, por edhe shumë njerëz të tjerë nuk e vlerësonin sistemin e mëparshëm, pasi sipas tyre “goditej” nxënësi i mirë. Pra që do të thotë se dikush mund të studionte për tre vjet, dhe të arrinte mesatare maksimale, por dikush i cili mund të studionte shumë pak, ditën e provimeve, për shkak të mikut mund të përfitonte nota maksimale provimesh, aq maksimale, sa mund t’ia kalonte dhe atij studenti që kishte derdhur djersë tre vjet për të arritur aty ku është. Pra që do të thotë se provimet e maturës nuk zhvilloheshin në mënyrë të drejtë, ku çdokush merrte atë që s’meritonte, ku nxënësi i 10 merrte 7 apo 8, dhe nxënësi i 5 apo 6 merrte 9 dhe 10. Por a është e mundur kjo gjë? Sigurisht që po, sepse Shqipëria fatkeqësisht është vendi ku ndodhin fenomenet negative nga më të ndryshmet. Por pavarësisht se ky sistem ndryshoi, shumë të rinj përsëri nuk ndihen mirë. Por pse ndodh kjo?

Cilat janë pikat negative të këtij sistemi?

*Vonesa e shpalljes së reformës:

Gjëja e parë ku të rinjtë u stresuan dhe u mërzitën ishte vonesa e shpalljes së kësaj reforme. Burime të ndryshme thoshin se do kishte konkurse, thoshin se do bëjmë vetëm provimet me detyrim, ndërsa disa të tjerë flisnin se do bëjmë edhe provimet me zgjedhje etj. Por a është normale kjo gjë? A nuk krijonte kjo çoroditje, ankth apo stres tek të rinjtë, sidomos tek maturantët? Disa filluan të mësonin vetëm provimet që kishin me detyrim pasi nuk ishin në dijeni se do zhvilloheshin dhe ato me zgjedhje. Dhe kur doli më në fund reforma, shumë të rinj përsëri mbetën shumë konfuzë, pasi kjo reformë përsëri ka shumë paqartësi. Pra dhe pak muaj i ndajnë maturantët nga gjimnazi dhe përsëri ka shumë paqartësi, situata mbetet konfuze dhe e ngatërruar.

* Eksperiment me të ardhmen e nxënësve:

Pra siç e thamë, ky ligj është shumë i ngatërruar. Shumë nxënës mbetën të  hutuar dhe të papërgatitur përballë këtij ndryshimi. Dhe mënyra më e mirë duhej të ishte se ky ndryshim duhet të fillonte për nxënësit që aktualisht ndodhen në vitin e parë ose për ata që akoma studiojnë në 9-vjecare pasi, do të kishin kohë më shumë të përgatiteshin. Pra gjëja më e keqe që po ndodh është se po kryhet një “eksperiment” me të ardhmen e shumë të rinjve.

*Rritja e korrupsionit:

Për shkak se ky ligj kërkon një mesatare të tre viteve të lartë, shumë mësues në pjesë të ndryshme të Shqipërisë mund të korruptohen nga individë të ndryshëm. Disa mund të nxjerrin mesatare të lartë me anën e “mikut” , ndërsa disa të tjerë me anën e parave. Por çdo ndodhi me ata të rinj, të cilët përpiqen me shpirt të mësojnë tre vitet, dhe në fund nxënësit e dobët të barazohen me ta, vetëm me anën e korrupsionit? Por fatkeqësisht këta nxënës që kanë “armë” të forta si “mikun” apo paratë, në të ardhmen mund t’ju zënë vendin e shkollës apo të punës të rinjve të talentuar. Por a nuk e meritojnë  këta nxënës të talentuar më të mirën , një të ardhme të madhe të cilën e kanë merituar me forcat e veta? Pse duhet tu priten krahët atyre?

Por fatkeqësisht këta nxënës që përpiqen të korruptojnë, në fund mund të përfundojnë duke punuar si doktorë apo gjykatës et. Po sa jetë njerëzish do të varen nga ata? A do të jemi të sigurt në duart e korruptuara të tyre? E pra si mund të pretendojmë të bëjmë një Shqipëri të zhvilluar, pjesë të B.E , kur akoma hasim këto probleme? Kur akoma nuk kemi zhdukur korrupsionin, por e rrisim atë me reformat që bëjmë?

Këto pika negative por edhe shumë të tjera janë pasojë e një reforme të papritur, të papërgatitur mirë dhe që fatkeqësisht do rrezikojë shumë të ardhmen e mijërave të rinjve.

Pra shteti ynë duhet të mendojë më seriozisht për të ardhmen e njerëzve të tij, duhet t’ju mësojë si të ecin në rrugën e drejtë, dhe të godasin në çdo formë ata që përpiqen të përfitojnë me forcat e të tjerëve. Shpresa jonë varet tek shteti, dhe në qoftë se ai nuk na e hap rrugën tonë drejt një të ardhmeje të drejtë, atëherë çfarë do të ndodhi me ne?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button