Maqedonia: Imponim apo natyrshmëri

Gjithçka nuk është e vërtetë por e vërteta është gjithcka. Sado të vështira të jenë disa të vërteta, e vetmja formë për të ecur përpara dhe për të tejkaluar dilemat është të dalim përpara pasqyrës dhe t’ia pranojmë vetes këtë të vërtetë. Mendoj që ka ardhur momenti që të pranojmë të vërtetën e qenies tonë si shtet, apo e qenies tonë në këtë shtet. Sado paradoksale, sado kontraverze dhe politikisht jokorrekte të jetë kjo. Mendoj që gjithcka që rrotullohet në këtë shtet, të gjitha krizat dhe të gjitha problemet, situatat ku nuk shohim rrugëdalje rrjedhin nga kjo e vërtetë parimore, nga kjo aksiomë do kisha thënë.

Kjo e vërtetë për të cilën po flas, është që këtë shtet nuk e ndjejmë tonin. As maqedonët, as shqiptarët. Shqiptarët për arsye sepse është tentuar gjithmonë t’ju imponohet një identitet i ri i cili për ata ka qenë i pakuptueshëm, i paqëndrueshëm dhe i parealtë – identiteti maqedonas; sepse asnjëherë nuk iu është lejuar të zhvillojnë identitetin e tyre shqiptar përbrenda këtij shteti, si një sistem autonom i cili nuk bën dëm – përkundrazi dhe i cili lejon përparimin e një grupi të madh shoqëror që jeton këtu.

Ndërkaq tek maqedonasit, ndjenja e përkatësisë ndaj këtij vendi është e lëkundur, tek ata akoma është e nxehtë dilema e të qenurit sllav apo antik. Si një kombësi e privilegjuar nga vetë fakti që e kanë patur në dorë aparatin shtetëror, në mënyrë gati ekskluzive, është e vështirë të kuptohet se si nuk kanë arritur të krijojnë identitet të qëndrueshëm nacional. A është fashiste, raciste kjo që e them? Ndoshta! Por e vërteta zakonisht nuk është e lehtë për t’u gëlltitur. Unë veten e konsideroj si liberal dhe asnjëherë nuk nis mendimet e mia me pretekste fashiste, as nuk mendoj në rrjedhoja të atij lloji.

Ajo që më shtyri të mendoj në këtë drejtim është fakti që në gjithë këto lëvizje politike, me gjithë këto analiza e analistë dhe të gjitha intervenimet politike nga jashtë, nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje, apo më mirë të gjejmë rrugëdaljen nga situata në dukje e pamundshme e krijuar nga korrupsioni i madh politik që ka përbirë këtë shtet që nga krijimi i tij.

Sepse sado që të mundohem, me gjithë kapacitetin tim intelektual, as edhe me bashkëbiseduesit e mij poashtu intelektualë, nuk arrijmë të themi që: ja ky është problemi dhe po, pikërisht kjo është rruga të cilën duhet ta ndjekim për të krijuar një shtet stabil politikisht dhe një shoqëri që ka të ngopura nevojat e veta ekonomike, financiare, arsimore, kulturore dhe shëndetësore. Por vazhdimisht pështjellemi dhe mbështillemi në të njejtën reth vicioz të identifikimit permanent të gabimeve dhe të mos dhënieve të zgjidhjeve analitike dhe progresive.

Në një situatë të tillë të konfliktit të identitetit, Maqedonia është në një gjendje klinike dhe e ardhmja e saj duket e paqartë. Rrugëdaljet nuk shihen kund, sepse mungon konsensuzi për t’i gjetur ato. Poqese me të vërtetë duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për vetveten, atëherë duhet të kuptojmë që pa njëri tjetrin dhe duke mos krijuar marrëdhënie të sinqerta mes maqedonasve dhe shqiptarëve ky shtet që ka marrë tatëpjetën, do të vazhdon të rrokulliset derisa të fundoset në një greminë nga e cila nuk ka dalje.

Edhe këtë nuk e them me idealizmin e krijimit të një “bashkim-vëllazërimi” të ri të tipit komunist jugosllav, sepse ajo ka qenë farsa më e madhe e historisë së këtyre tokave dhe gjeneza e të gjitha problemeve. Ajo që ne duhet të kuptojmë, është që pa shqiptarët ky vend nuk bëhet. Sa më parë arrijnë maqedonasit të na respektojnë si të barabartë dhe si qenësorë për ekzistencën e këtij shteti, sa më parë edhe ne shqiptarët arrijmë të definojmë marrëdhëniet tona me maqedonasit dhe për rrjedhojë të pranojmë që qenshmëria jonë si pjesë e këtij shteti është dicka natyrore, aq më shpejt do të krijojmë themelet për një të ardhme më të mirë dhe më stabile.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button