Kaluan dy muaj, ndërtesa 10 katëshe në lagjen shqiptare të Shkupit, ende pa rrymë!

Objekti i ri banesor i ndërtuar në lagjen Serovë të komunës së Çairit në Shkup, vazhdon të jetë pa energji elektrike gati dy muaj, gjegjësisht që nga muaji dhjetor i vitit që lamë pas. Banorët e revoltuar thonë se në këtë gjendje nuk jetohet dhe se një ndërtesë kaq e madhe (10 katëshe pa shitoret në përdhesë) pa energji elektrike të tmerron, transmeton Portalb.

Ata thonë se pronari nga i cili i kanë blerë banesat, iu premton që problemi do të zgjidhet, mirëpo një gjë e tillë tani më dy muaj nuk po realizohet.

“E telefonojmë pronarin, ndonjëherë e hap e ndonjëherë nuk e hap telefonin, kur bisedojmë na thotë që së shpejti do të rregulloret mirëpo u bën dy muaj. Nga EVN na thonë që pa pasur tapitë e feltëpronësit secili, nuk ka vendosen orët e rrymës. Është e tmerrshme, është një gjendje që shkakton kaos”, thonë banorët.

Pronari i banesës edhe për Portalb është i pakapshëm për prononcim.

Problemi qëndron në faktin që ndërtesa nuk është e legalizuar, ndërkaq nga komuna thanë se nuk dinë gjë për këtë problem.

“U bënë dy muaj që nuk kemi energji elektrike, është tmerr, nuk mundemi të përgatisim ushqim, të ngrohemi, është errësirë në të gjitha vendet. Kjo është banesë e madhe, ashensori nuk punon nga kati i nëntë njerëz zbresin disa herë në ditë. Si mund të ndodh kjo në këtë kohë, jemi duke jetuar si në kohën kur energjia nuk ka ekzistuar fare”, tha S.T., banor.

Ata shprehen se disa nga familjet që banojnë në këtë ndërtesë janë larguar duke shkuar tek kushërinjtë pasi që nuk mund ta përballojnë mungesën e rrymës, madje disa edhe kanë dalë me qera, mirëpo kjo nuk është zgjidhje afatgjate.

Nga EVN thonë se janë të informuar për rastin ku kanë pasur edhe takime me investitorin si dhe me disa banorë mu të kësaj ndërtese. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Qendrës Energo të Konsumatorëve pranë Vasil Gllavinovit ishte në vendngjarje gjatë shkyçjes, pra demonstrimit të orëmatësit.

“Ndërtesa në fjalë është e lidhur me një orëmatës në mënyrë ilegale, ku të gjithë janë furnizuar me një orëmatës, ndërsa orëmatësi ka qenë i shfrytëzuar në emër të një harxhuesi tjetër, i cili ka qenë pronar i shtëpisë së mëparshme, ku borxhi ka arritur afër 17.000 euro. Investitori prej çdo pronari të banesës ka faturuar çmim paushall dhe të njëjtat sjanë paguar për harxhimin e rrymës, me çka dyfish është dëmtuar kompania EVN.  Sa për të sqaruar, orëmatësi direkt ka kapacitet të shfrytëzohet vetëm për një kyçje (maksimum 40kË të njëkohshme), gjithçka që është mbi këtë standard rrezikon edhe infrastrukturën e EVN-së, si rrjetin, kabllon, trafostacionin i cili nuk është planifikuar për kapacitetin e kësaj ndërtesës. Njëkohësisht rrezikohen edhe vetë banorët që jetojnë në këtë ndërtesë, sepse vjen deri tek nxemja e kabllove dhe vetë orëmatëst,i me çka shkaktohet edhe zjarr ku kemi dhe raste konkrete”, tha për Portalb, Vlera Gjakova, zëdhënëse e EVN-së .

Ajo shton se për t’u rregulluar kyçja, investitori në fjalë duhet të bëjë kërkesë për kyçje të ndërtesës, kërkesës duhet t’ia bashkangjisë edhe dokumentacionet e nevojshme: leje ndërimi ose vendim legalizimi., çertifikatë të planit detal urbanistik, plan të parcelës, projekt të elektrifikimit të EVN-së (rrjetit, kabllo por edhe të trafostacionit për shkak se nuk është ilegale, pra është pa leje ndërtimi.)

“Në rast të kompletimit të dokumentacioneve do të duhet: 1. Të paguhet borxhi i bërë në orëmatësin që ka qenë ilegalisht i montuar. 2. Të bëhet zgjidhja teknike që nuk është aspak problem nga ana e EVN-së, pra trafostacion i ri; si dhe 3. Të paguaj llogarinë e kyçjes për 85 orëmatës, aq sa ka kapacitet ndërtesa”, shtoi Gjakova.

Udhëheqësi i sektorit për urbanizëm pranë komunës së Çairit, Xhengis Hani kohë më parë tha për Portalb se nuk janë të njoftuar për rastin në fjalë.

“Nuk kemi informacion lidhur me këtë rast. Te ne askush nuk është ankuar lidhur me mungesën e rrymës apo diçka të tillë, sidoqoftë do shqyrtojmë problemin”, tha Hani./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button