Partitë opozitare shqiptare: Pa zgjidhje, zgjedhjet janë të kota!

Qëndrimi i dy partive shqiptare në bisedimet e Përzhinos, BDI dhe PDSH, në lidhje me datën e zgjedhjeve u bë i njohur qysh gjatë bisedimeve bilaterale të tyre me komisionerin Johanes Han. Mirëpo, ndryshe nga këto dy parti mendojnë partitë tjera shqiptare, raporton Portalb.

Lëvizja LR-PDSH, RDK, UNITETI dhe Lëvizja BESA janë të mendimit se zgjedhjet nuk do të kishin kuptim pa u zgjidhur çështjet kruciale, si: pastrimi Listës zgjedhore dhe çështja e mediave.

“Për ne si subjekt politik është me rëndësi thelbi i marrëveshjeve dhe jo zgjedhjet. Listat duhet të jenë të hapura, kjo as që është diskutuar. Deri kur ne do të jemi peng të figurave kriminale. Pa ndodhur reforma në KSHZ, jo me kësi emërime shkel e shko, pa u pastruar Lista zgjedhore do të përsëriten rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. Një lider politik që vazhdimisht përsëriste se ka vjedhje të zgjedhjeve tani është bë bashkë me të njëjtit që i akuzonte. Do të thotë se ky njeri nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për t’i fituar zgjedhjet. Ne kërkojmë kritere të pranueshme për të gjitha palët, për të gjithë aktorët politik jo vetëm ata që janë pjesë e bisedimeve”, tha për Portalb Ziadin Sela, kreu i Lëvizjes për Reforma-PDSH.

Nga Rilindja Demokratike Kombëtare nuk lëvizin nga qëndrimi që e kanë spikatur edhe më herët e që është se nuk mund të organizohen zgjedhje pa zgjidhur paraprakisht problemet kruciale me të cilat ballafaqohet vendi.

“Ne që nga tetori i vitit të kaluar kemi deklaruar se pa zgjidhje s’ka zgjedhje. Ne edhe sot e përsërisim qëndrimin tonë, nuk lëvizim nga qëndrimet tona. Shtetit ka probleme kruciale, prandaj duhen zgjidhje për të ardhur deri te zgjedhjet dhe jo e kundërta. Zgjidhja e problemeve nuk vjen pas zgjedhjeve, pavarësisht se kur caktohet data e zgjedhjeve”, theksoi për Portal numri një i RDK-së, Vesel Memedi.

Edhe nga Partia UNITETI thonë se zgjedhjet nuk kanë kuptim pa u pastruar lista zgjedhore, pa u zgjidhur çështja e mediave dhe pa ardhur në shprehje puna e Prokurorisë speciale.

“Partitë politike shqiptare pjesëmarrëse në Marrëveshjen e Përzhinos kanë qenë kukulla, nuk i kanë realizuar kërkesat reale të shqiptarëve. Ardhja e Hanit dhe qëndrimi i partive shqiptare në bisedime pro zgjedhjeve flet shumë. Për ne, nuk ka kuptim të ketë zgjedhje pa u pastruar listat zgjedhore. Nuk ka kuptim që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. Thelbi i Marrëveshjes është zgjidhja e krizës, nuk ka kuptim që pa zgjidhje të mbahen zgjedhjet. Ende nuk është pastruar lista zgjedhore, çështja e mediave nuk është zgjidhur e as prokurorja special nuk ka dal me rezultate konkrete”, është shprehur për Portalb deputeti Zylfi Adili, nënkryetar i partisë UNITETI.

Për Lëvizjen BESA Implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës është më i rëndësishëm sesa çështja e datës së zgjedhjeve. Ata gjykojnë se zbatimi i plotë i Marrëveshjes dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike e nënkupton edhe caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Prandaj, insistimi i njërës palë që zgjedhjet të mbahen me çdo kush më 24 prill, pra edhe pa implementimin e plotë të saj, dhe insistimi i palës tjetër që zgjedhjet të shtyhen me çdo kusht, për neve më shumë flet për panikun e tyre nga data e zgjedhjeve sesa që flet për gatishmërinë e tyre për zgjedhje të drejta dhe të lira.

Sa na takon neve, ne jemi të gatshëm që edhe nesër të dalim në zgjedhje, por jo në ato zgjedhje që do t’i organizojnë ata që tash duhej të ishin në burg për shkak të manipulimeve në zgjedhjet e kaluara dhe me kushtet që ata i diktojnë që të mund të manipulojnë edhe një proces zgjedhor”, theksoi për Portalb kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Ai madje shton se subjekti i tij është i interesuar që ato zgjedhje të mbahen edhe para prillit, sepse kjo është një mundësi më shumë që t’i japim fund kësaj klase politike, që deri tash e ka nëpërkëmbur kaq ulët vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button