BDI arsyetohet për votimin e kontroversit Naunovski (VIDEO)

Emërimi i profesorit universitar Toni Naunovski anëtarë i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi ka ngjallur reagime në opinion, duke pasur parasysh se Naunovski është i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare, raporton Portalb.

Mirëpo, qëndrimet antishqiptare të Toni Naunovskit nuk u pengojnë deputetëve të BDI-së. Xhevat Ademi, Rexhail Ismaili, Vjollca Nuredini – Mehmeti, Ermira Mehmeti, Ramiz  Merko, Ejup Rustemi, Alim Bilali, Selvie Saliu, Jamin Sinani, Shpresa Hadri, Musa Ibraimi dhe Mervan Xhemaili, janë deputetët që kanë votuar që Naunovski të jetë pjesë e Komisionit për mbrojtje të diskriminimit.

“Unë jam propozues i Irfan Deharit dhe Bekim Kadriut dhe me fanatizëm i mbrojë emrat e tyre. Unë mendova se do të më pyëtni për kuadro cilësore shqiptare për mesazhin që ne përcjellim për vlera. Çdokush përgjigjet për ofertën e vet. Unë mbajë përgjegjësi vetëm për këto dy emra”, kështu u përgjigj Xhevat Ademi nga BDI në pyetjen e Portalb se pse është votuar Toni Naunovski në Komisionin për mbrojtje të diskriminimit.

Ndryshe, kundër përfshirjes së Naunovskit në Komision nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim ka qenë vetëm Rafiz Haliti. Ky i fundit për redaksinë tonë ka sqaruar se pse nuk e ka votuar Naunovskin.

“Kam respekt për anëtarët tjerë të Komisionit, unë kam votuar kundër përbërjes së Komisionit për shkak Toni Naunovskit, sepse kam përcjell qëndrimet e tij nëpër debate dhe ai ka kaluar vijat e kuqe. Unë kam votuar kundër një njeriu që angazhohet për diskriminim të propozohet në një Komision ku ai duhet t’i mbrojë qytetarët nga diskriminimi”.

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare Orhan Ibrahimi, për këtë vendim ka akuzuar partinë e Ali Ahmetit, BDI, e cila – sipas tij, – është e pafuqishme për të penguar vendimet antishqiptare të qeverisë.

“Është subjekti shqiptar, ai që duhet t’i ndalë propozimet e VMRO-së që janë kundër bashkëjetesës në Maqedoni. Por, meqë Bashkimi Demokratik për Integrim ka shkelur ditë më parë mbi marrëveshjen e garantuar nga faktori ndërkombëtar, me të cilën parashikohej që sekretari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të ishte shqiptar, vendimi i sotëm nuk i bën fare përshtypje BDI-së, pasi nuk e ka problem emërimin e këtij individi”, tha Orhan Ibrahimi.

Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë prej të cilëve 5 maqedonas dhe dy shqiptarë, këta të fundit të propozuar nga BDI-ja.

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi e ka cilësinë e personit juridik. Mbrojtja dhe ndalimi nga diskriminimi ka të bëjë me të gjithë personat fizike dhe juridike, në procedurën e realizimit të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Maqedonisë.

Sa për ilustrim, dëgjoni një nga qëndrimet e Toni Naunovskit për propozimet që kryeministri duhet të jetë shqiptarë.

“… Për të formuar Qeverinë përmendin emra të nacionalistëve shqiptarë. Kryeministër shqiptarë vetëm në Shqipëri, në Maqedoni mund të jetë kryeministër vetëm maqedonasi”, ka deklaruar Naunovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button