Bora mund të bllokojë fshatrat malor të Komunës së Likovës

Viteve të kaluara pas reshjeve të mëdha të borës, u bllokuan disa fshatra malor të Komunës së Likovës. Fshatarët deklaruan për Portalb se ata janë munduar të gjejnë zgjidhje alternative, pasi komuna nuk ka intervenuar. Ndërsa nga ndërmarrjet përgjegjëse thanë se tashmë janë të përgatitura për stinën e ftohtë, porse është e mundur që bora të bllokojë sërish ndonjë nga fshatrat malor.

Fshati Allashec
Fshati Allashec

“Kur të bie borë e të ngrihet, në fshat nuk hy askush më. Nuk ka shancë të hyjë askush gjatë tërë dimrit atje. Lartë në fshat, afër rrugës që po ndërtohet mund të lëvizim vetëm nëse nuk bje 20cm, nëse bie 20-30cm më u kry. …janë duke e ndërtuar rrugën deri në Kosovë, por i kanë lënë 5 bandera keq, menjëherë u bllokua , tash bora e parë kur ra, u bllokua dy ditë.”-u shpreh një 48 vjeçar nga fshati Allashec.

I pyetur se sa vështirësohet jeta kur bie borë, ai tha: “Plotësisht vështirësohet. Vitin e kaluar nuk kanë dalur fare për ta pastruar. Para dy viteve ka ndodhur që një bashkë-fshatare është sëmurë për vdekje, por për dy ditë nuk ka arritur të marrë shërbimet shëndetësore: fshatarët nuk arritën dot ta dërgojnë jashtë fshatit, e asgjë nuk bëri as shtabi i krizës, as policia e as ndihma e shpejtë.  Në atë rast nevojitet ndonjë Jeep i fortë a ndonjë helikopter!”

Në rast të reshjeve të shiut, rruga më e frekuentuar bëhet e pakalueshme nga veturat për një javë, ndërkohë që banorët mundohen të gjejnë zgjidhje, sipas fshatarit. “Janë 3 përronj, duhet t’u vendosen ose gypa ose ura për të lëvizur njerëzit më lirë. Por aty nuk ka shancë të kalojnë njerëzit, nëse bie shi bëhet 1 m thellë. Fshatarët e mbushin me gurë a drurë diçka… Në atë rrugë e kemi patjetër të kalojmë.”-shtoi, “Disa llamba elektrike na janë dashur, për fëmijët kur shkojnë në shkollë.”

Sipas tij, fshatarët kanë bërë kërkesë në komunë rreth 10 herë deri tani, por se komuna nuk ndërmorri asnjë masë e gjendja e tyre nuk ndryshoi asnjëherë.

Fshati Runicë
Fshati Runicë

Mevludin Sulejmani nga fshati Opajë deklaroi “Personalisht brenda muajit deri dy herë-tre herë zakonisht e vizitoj fshatin Runicë, por prindi im shkon më shpesh sepse ai atje është lindur, rritur dhe e ka kaluar pjesën më të mirë të rinisë.”

“Gjysma e rrugës është e shtruar me asfalt dikund 3km, ndërsa 4 km është e pa shtruar. Asfaltimi është bërë një pjesë në v.2002 nga një donacion i huaj në bashkupunim me BDI-në, kurse pjesa tjetër në v.2007 nga PDSH-ja.”-sqaroi Sulejmani, “Pjesa e pa asfaltuar zakonisht është e vështirë gjatë stinës së dimrit sepse dëmtohet, por duke e faleminderuar ndërmarrjen ‘Kemo Bau’ me pronar Qemal Limani, i cili me punë vullnetare e mbulon pjesët e dëmtuara të rrugës së pa asfaltuar, të rralla janë ato raste kur fshati Runicë është bllokuar nga bora.”

“Po, po tashmë janë marrë masat e duhura. Ka pasur edhe borë edhe mjegull. Deri tani komunikacioni është realizuar pa probleme, në rrugët, të cilat janë në kompetencë të NP ‘Rrugët e Maqedonisë’. Janë në dispozicion të gjitha mekanizmat e duhura, krypa.”-thanë nga NP ‘Rrugët e Maqedonisë’-Kumanovë, të cilët njëherit sqaruan se për dallim nga rrugët rajonale, rrugët lokale janë në kompetencë të komunës.

Nga Komuna e Likovës konfirmuan se këtë kompetencë ia kanë besuar NP ‘Pisha’.

I pyetur se a janë marrë masat e nevojshme për dimër Gazmend Bakiu, drejtor i NP ‘Pisha’ sqaroi: “Po janë marrë, kemi bërë hedhjen e krypës në terrenet që janë të papërshtatshme. Dhe tani janë rrugët të gjitha të kalueshme. Në rast se paraqitet nevoja, ne do të intervenojmë me makineritë dhe mjetet që i kemi.”

I pyetur nëse duke i marrë parasysh masat e ndërmarra mund të bllokohet ndonjë prej fshatrave malore ai tha: “Nëse ka sasi të mjaftueshme të borës në fshatrat e Malësisë mund të vijë edhe deri te bllokimi i tyre. Po ne pa dyshim se duhet të intervenojmë, për atë punë edhe jemi të përgatitur dhe besoj se do t’ia dalim mbanë.”

“Nuk kam qenë vitet e kaluara drejtor por sipas informatave që kam, kanë qenë të bllokuara fshatrat Goshincë dhe Allashec, por kanë intervenuar dhe e kanë pastruar.”– u përgjigj në pyetjen se a është bllokuar ndonjë fshat në të kaluarën.

Ndryshe, sipas Ligjit për organizim territorial, Komuna e Likovës i përfshin fshatrat: Allashec, Bellanoc, Vaksincë, Vishticë, Gllazhnjë, Goshincë, Dumanoc, Zllakuqan, Izvor, Likovë, Llojan, Mateç, Nakushtak, Opajë, Orizare, Hotël, Ërkoc, Ropalcë, Runicë, Sllupçan, Strazhë dhe Strimë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button