Maqedoni, shumë pak lexojmë, jemi ngujuar në sferën e rrjeteve sociale

Thuhet se asgjë nuk e zëvendëson librin, por interesimi i qytetarëve të Maqedonisë ulet dita-ditës. Mes tjerash, teknologjia ndikon në rënien drastike të interesit për të lexuar thonë të anketuarit e Portalb-it. Këtë madje e thonë edhe statistikat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës. Nga ana tjetër, në luftën mes teknologjisë e gazetës, e vetmja shpresë për mbijetesë është besueshmëria.
Sipas statistikave më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistika: Njerëzit mbi moshën 10 vjeçare (viti 2014/15) lexojnë mesatarisht 4% të kohës ditore (46 minuta);
Numri i shfrytëzuesve të bibliotekave ishte 1 409 388 në vitin 2007, 3 330 185 më 2010, kurse 478 326 në vitin 2013;
Numri i gazetave të botuara ishte 27 në vitin 2012, 22 në 2013, 20 në vitin 2014;
Numri i revista të botuara ishte 138 në vitin 2012, 87 në 2013, kurse 82 në vitin 2014
.
Nga ana tjetër shfrytëzues të internetit (të moshës 15-74) gjatë këtij viti janë 70.4%.

“Më herët kam lexuar më shumë.Gjatë pushimit veror lexoj 3 libra e gjatë atij dimëror 1. Përndryshe lexoj rreth 4 orë në ditë për t’u përgatitur për në shkollë. Ndërsa nga bashkëmoshatarët që njoh unë, pak ka që lexojnë.”-tha Fetije Ademi, nxënëse e Shkollës së Mesme Gjimnazi “Sami Frashëri”-Kumanovë, “Lektyrat obligative i lexojmë 3 nxënës në klasë dhe i shpjegojmë, ndërsa të tjerët i përshkruajnë prej nesh.” E pyetur se a mendon që kaq lexim mjafton, ajo u përgjigj “Jo… Për të lexuar asnjëherë nuk është shumë.”

Vildane Ismani, studente në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup tha: “Leximi duhet ta përcjellë njeriun gjatë gjithë jetës, por kohën e fundit kjo gjë vihet në pikëpyetje. Personalisht mund të them se relativisht lexoj, por jo edhe aq sa kam mundësi. Teknologjia mundëson të dhëna më të shkurtëra dhe më direkte, andaj si qenie njerëzore padyshim që edhe te unë pak a shu është e shprehur përtacia. Gjithsesi mundohem që të lexoj sidomos libra ku informacionet janë të dhëna në mënyrë të saktë, të kristalizuar dhe ndikojnë në ngritjen intelektuale.

Sipas saj, pavarësisht kushteve më të vështira gjeneratat e mëparshme kanë lexuar më shumë. Të rinjtë sot janë të dhënë pas daljeve, ahengjeve, rrjeteve sociale, ndërsa leximin e shohin si ngarkesë, si diçka të lodhshme dhe joprofitabile. Ismani theksoi: “Kjo dukuri kërkon studim të thellë, të gjenden faktorët stimulues që çojnë drejt avancimit të vlerave, siç është leximi. Pasi kultura e një populli vërehet se sa ai popull lexon.”

Shkëlqim Ajdari, i cili ka 3 vite që punon në ‘Librarinë e Çarshisë’ deklaroi: “Rreth 90% e klientëve vijnë për të pirë diçka. Dikush interesohet për libra, por ky interes nuk është i mjaftueshëm. Më shumë libra blejnë njerëzit mbi moshën 40 vjeçare, ndërsa më së paku të rinjtë (të cilët atëherë kur blejnë, blejnë romane të autorëve të huaj ose libra psikologjik). Të  rinjtë kryejnë fakultete, por janë të papunësuar, nuk kanë të ardhura. Ka ndodhur që ndonjë të riu t’i ketë pëlqyer ndonjë libër, por nuk ka mundur ta blejë… Ata që kanë interes thonë se çmimet janë të larta në krahasim me standartin jetësor. Ndonjëherë ka lirime në librari, megjithatë lirimet nuk kanë ndonjë efekt.”   

“Nuk pajtohem se faktori ekonomik ndikon në uljen e vullnetit për të lexuar, ngase sot libri në përgjithësi nuk është i shtrenjtë, aq më tepër kur kafenetë përqark fakulteteve dhe rrugëve të ndryshme i shohim të stërmbushura me studentë. Vetëm heqja dorë pesë ditë prej makiatove ose ndonjë pije tjetër, do të thotë një libër më shumë në bibliotekën e studentit, ose edhe e atij të shkollës së mesme.”-deklaroi publicisti, Iljasa Salihu, “Rrethi familjar dhe ai shoqëror është një faktor tejet i rëndësishëm i uljes ose edhe i ngritjes për të lexuar. Nëse në familje libri nuk duket asgjëkund, nuk bisedohet për librin fare, nuk shikohet ndonjë emision rreth librit, nuk jepet dhe nuk pranohet fare dhuratë libri, mungon në shtëpi një bibliotekë, atëherë vështirë është ta zgjosh prej letargjisë vullnetin për të lexuar.”

Sipas Salihut ndikim negativ në këtë aspekt kanë: shembulli që përcjellin disa mësimdhënës, të cilët siç theksoi “shumë më lehtë mund t’i gjesh në kafene, sesa brenda vetë godinës së fakultetit”; kapitalizmi, në saje të të cilit një i ri përveç pasurisë nuk ka dëshirë të sheh diçka tjetër, përbuz librin dhe shkencën; partizimi i shkollave, kompjuterizimi i tyre derisa mungojnë kushtet e domosdoshme dhe sistemi i atillë arsimor ku nxënësit pranohen pa asnjë kriter; zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe mosgatishmëria për t’u përballur me këtë uragan. “Sociologët duhet të merren me gjetjen e mënyrave, se si ta mirëpërdorin të rinjtë internetin dhe si të ruhen nga keqpërdorimi i tij… Duhet theksuar se ndikimin e librit në letër askush nuk mund ta zëvendësojë.”

 “Realiteti i kohës sonë është ai kur libri banalizohet, kur PC është kryeshtëpiaku teknologjik që po përjashton leximin, bisedën rreth librit, shkrimit; Bibliotekën dhe librarinë i vë jashtë pikave të orientimit dhe të gravitimit. Bota adoleshente e kohës sonë librin e ka out, ajo merret me iPAD, iPhone, me Facebook, me Walkman etj. S’ka kohë për librin, të cilin e konsideron si një gjë demode. Kjo është për fat të keq gjendja e brezit të ri të globalizuar dhe të teknologjizuar, të e-shoqërisë, të e-mjerimit do të kisha thënë. Një brez që s’di as termat elementarë të komunikimit, që ka një gjuhë të thjeshtë dhe të varfër, një gjuhë plot idiotizma gjuhësorë, plot barbarizma, pa shije e pa takt. Internetmania rinore dita ditës po varëson individë të shumtë që kreativitetin e tyre e shprehin duke komunikuar nga largësia me botën, duke shkruar e rishkruar “fjalëza e fjali të gjymta” e shumë pak duke lexuar tekste.-deklaroi sociologu, Ali Pajaziti.

Të theksojmë se për fat të keq tek ne interneti nuk përdoret shumë për dijesim, por më tepër për zbavitje e kohëhumbje, kurse në vendet e ngritura më tepër përdoret për kërkime, hulumtime etj. Disa internetin e kanë përshkruar si më i mirë se qumështi i nënës (Better than mother’s milk!), por në fakt, marrë në përgjithësi, ai prodhon ignoramusë, të ditur injorantë, ai sa ofron informim aq edhe deformim, kështuqë s’mbetet dallim mes Librit të Artë dhe një vepre klasike si ajo e Dostojevskit, Hygosë, Shekspirit etj. Me një fjalë, libri është në krizë, shkolla dhe arsimi janë në krizë”.

Rreth interesit të bashkë-qytetarëve për të lexuar gazetë, Vedat Memedaliu, zëvendës-kryeredaktori i gazetës ‘KOHA’ deklaroi:
Përkundër asaj se, rrjetet sociale po bëjnë të veten, leximi i gazetave në një pjesë të madhe te qytetarët ka krijuar tashmë traditën e pasjes së letrës (gazetës) para vetes, sapo të nisin ditën me pirjen e kafes. Lexueshmëria e gazetave shqipe sot, megjithëse janë pak, shënon një stabilitet sadopak stabil. Kjo dëshmohet dhe me anketën e fundit te IRI-it, sipas të cilës, gazeta KOHA kryeson për besueshmëri dhe lexueshmëri në nivel republikan sa i përket mediave të shkruara në Maqedoni. Kjo njëherësh dëshmon se, popullata shqiptare, në mos secila familje, megjithatë lexojnë dhe përcjellin zhvillimet në vend dhe gjithandej. Fundja, ndryshe nga lexuesit e portaleve, ka të atillë lexues që duke lexuar gazetën, duan të sigurohen për burimin e informacionit dhe autorin se kush u drejtohet. Kështu që, edhe në një të ardhme pak më të gjatë, do të ketë numër te madh lexuesisht të ‘letrës’, pasi tradita e krijuar tashmë, nuk zhduket dhe aq lehtë. Kryesorja, në Maqedoni, më shumë se 7 % e shqiptarëve lexojnë median e shkruar, që sipas standardeve evropiane, jemi popull që premtojmë zhvillim (standardet evropiane parashikojnë që, nëse një popull lexon më shumë se 5 % media të shkruar, atëherë është popull me perspektivë).” /Portalb.mk

Shfrytezues te bibliotekave

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button