ANALIZË: Maqedoni, 3 të punësuar e financojnë 1 të papunësuar!

Për dhjetë vite, papunësia në vend u zvogëlua prej 30,9% në 25,5%, aq sa është në tremujorin e tretë të këtij viti. E shprehur me numra kjo do të thotë se për pesë vjet numri i të papunësuarve është zvogëluar për 52.100 njerëz, ndërsa në periudhln e njëjtë numri i të punësuarve është shtuar për 51.800 njerëz. Sipas qeverisë trendi i rritjes së punësimit është rezultat i politikave aktuale ekonomike. Një pjesë e ekonomistëve për analizën javore ekonomike të Portalb-it thonë se gjendja varet nga shumë faktorë, në mesin e të cilëve edhe nga “legalizimi” i një pjese të punësimeve në të zezë, mirëpo edhe nga shpërngulja e popullsisë së aftë për punë.

Çka e zvogëlon papunësinë ndërsa e rrit punësimin… 

Analizat në nivel tremujor dhe vjetor tregojnë rritje të punësimit dhe zvogëlim të papunësisë. Për nëntë muaj, ose në shtator të këtij viti, në krahasim me gjendjen në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në vend është rritur për 15.334 njerëz. Të dhënat më të reja të Entit për statistikë tregojnë se në tremujorin e tretë përqindja e papunësisë ka qenë 25,5%, dhe ajo është njëra nga përqindjet më të ulëta historike të papunësisë që janë matur në Maqedoni.

“Ëndrra ime realizohet. Përqindja e papunësisë ka rënë në nivelin e ulët historik prej 25.5 për qind. Prej rreth 38 për qind sa ka qenë papunësia në vitin 2006, në 25.5 përqind sa është sot, deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vetëm për një tremujor u zvogëlua për 1.3 për qind. Njëkohësisht, rritet numri i të punësuarve në vend, prej rreth 560 mijë të punësuarve në Maqedoni kur erdhëm në qeveri, sot kemi 711 vende të reja të hapura të punës, që është për pothuajse 150 mijë më shumë. Ato janë 150 mijë vende të reja të hapura të punës”, shkroi në profilin e tij në Facebook, kryeministri Nikolla Gruevski.

Në vend ka gjithsej 711.380 të punësuar

Sipas të dhënave të publikuara të Entit shtetëror të statistikave, në vend ka gjithsej 711.380 të punësuar, prej të cilëve 555.554 janë të punësuar në sektorin privat, ndërsa 155.826 janë në “pronësi tjetër”, ku dominon sektori shtetëror. Në krahasim me gjendjen në fund të vitit 2014, është regjistruar rritje e numrit të të punësuarve për diçka më shumë se 15 mijë njerëz.

“Te punësimet e reja simptomatike është ajo se dy të tretat e kësaj rritjeje është regjistruar në një veprimtari – në tregti (rreth 8.000 njerëz). 8.000 punësime të reja në tregti, për tre muaj, me të vërtetë është numër i madh.Kjo është rreth 8% e rritjes tremujore, gjegjësisht 37% në nivel vjetor. Akoma nuk ka të dhëna për tregtinë në tremujorin e tretë, kështu që nuk mund të bëj krahasim me to, mirëpo është e çuditshme që tregtia të rritet aq shumë në kushte të krizës politike dhe të aktivitetit të ngadalësuar ekonomik”, thotë për Portalb, ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Papunësia do analiza të thukta

Sipas një pjese të ekonomistëve, çështja e zvogëlimit të papunësisë ka shumë dimensione dhe që të fitohet pasqyrë reale për gjendjen, duhet të analizohen disa faktorë: a bëhet fjalë për punësime të reja në sektorin privat, sa është përqindja e punësimeve në sektorin shtetëror, pastaj sa kushtojnë punësimet e subvencionuara dhe si reflektohet largimi i njerëzve të aftë për punë jashtë vendit mbi gjithë këtë situatë.

“Përqindja e zvogëluar e papunësisë është rezultat i disa masave, gjegjësisht faktorëve. Së pari, këtu janë punësimet në administratë. Pastaj vijnë masat e qeverisë për punësim në sektorin privat, të cilat quhen masa aktive, mirëpo ato kanë efekt afatshkurtër dhe janë me përkrahje buxhetore. Tani është duke u realizuar edhe operacioni i transformimit të të punësuarve në sektorin shtetëror, dhe të gjitha këto masa kanë më tepër dimension kozmetik sesa ekonomik”, deklaroi para do kohësh profesori universitar, Vanço Uzunov.

Hulumtuesi ekonomik Jovanoviq, konsideron se rritja e punësimit që e regjistroi Enti shtetëror i statistikës sqarohet jo me punësime “të reja”, por me kalimin e punëtorëve tashmë të angazhuar prej ekonomisë joformale në atë formale.

“Prandaj, sqarimi im është se kjo rritje është rezultat i kalimit prej punësimit joformal në punësimin formal, gjegjësisht i zvogëlimit të ekonomisë së zezë. Dihet shumë mirë se ekonomia zezë është më e përfaqësuar në tregti. Ata që nuk kanë qenë të paraqitur deri tani, i kanë paraqitur menjëherë. Kjo është në përputhje me punimin tim, në të cilin argumentoj se një nga shkaqet kryesore për zvogëlimin e papunësisë në kohën e kësaj qeverie është pikërisht kalimi prej punësimit joformal në punësimin formal”, thotë për Portalb, Jovanoviq dhe shton:

“Pse punëdhënësit përnjëherë do të fillonin t’i paraqesin ata që kanë punuar si të paparaqitur deri tani? Për shkak të projektit “Maqedonia punëson”. Ky projekt filloi pikërisht në këtë periudhë. Me të plotësisht janë të liruar nga kontributet (e ndonjëherë edhe nga tatimi personal) disa kategori të të punësuarve. Rritja e punësimit me 12.000 punësime, në përgjithësi përputhet me numrat e qeverisë, prej rreth 10.500 punësimeve nëpërmjet projektit “Maqedonia punëson”. Kështu, në formë të përmbledhur, kësaj radhe do të pajtohesha me qeverinë – po, rritja e punësimit është për shkak të projektit “Maqedonia punëson”, mirëpo këto nuk janë punësime të vërteta, ato janë vetëm paraqitje të atyre që kanë punuar deri tani në të zezë”.

Si është gjendja reale me papunësinë?
Përderisa për nëntë muaj, punësimi është rritur për 15.334 punësime të reja, në periudhën e njëjtë papunësia është zvogëluar për 25.579, që do të thotë se dallimi ndërmjet punësimit të shtuar dhe papunësisë së zvogëluar është diçka mbi 10.000 njerëz.

Për këtë vit nëpërmjet Planit operativ të Agjencisë për punësim është planifikuar të harxhohen 8,5 milionë euro për rritjen e punësimit, gjegjësisht për zvogëlimin e varfërisë, e cila është më e theksuar pikërisht te kategoria e të papunësuarve. Sipas të dhënave që i bëri publike ministri për financa, Zoran Stavreski, këtë vit kompanitë e huaja kanë hapur 16.000 vende të reja të punës, ndërsa me projektin “Maqedonia punëson”, firmat vendore kanë punësuar edhe 10.400 njerëz të tjerë, ndërsa duke i shfrytëzuar masat e tjera që i ofron Agjencia për punësim janë hapur edhe 24.000 vende pune, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse të dhënat tregojnë zvogëlim të nivelit të papunësisë, edhe më tej dallimi ndërmjet të punësuarve dhe të papunësuarve zvogëlohet ngadalë. Në fakt, në vitin 2010, 2,2 të punësuar kanë financuar një të papunësuar. Tani, në 2,9 të punësuar ka një të papunësuar, që sipas ekonomistëve ky raport edhe më tej flet për kushtet e këqia në tregun e punës dhe akoma problemin kronik që akoma është i pranishëm, i cili Maqedoninë e vendos në grupin e vendeve me numër më të madh të të papunësuarve./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button