Kumanovë, zanatet drejt zhdukjes, të rinjtë të painteresuar

Ka rënë interesi i të rinjve për zeje, veçanërisht që kur arsimi i mesëm u bë i obligueshëm. Më shumë drejtime të zejtarisë, rekomandojnë zejtarët nga Kumanova, duhet të përfshihen në programin arsimor dhe t’u ofrohen të rinjve, jo vetëm si mundësi për t’i realizuar aftësitë e tyre por njëherit edhe si zgjidhje për të ulur papunësinë. Nga Oda regjionale e zejtarisë-Kumanovë  për Portalb, ndër tjerash bëjnë të ditur se një numër i konsiderueshëm zejesh janë në zhdukje e sipër.

“Të rinjtë nuk kanë interes. Interesi ka rënë qysh prej vitit 2001, kur filluan ta kalojnë kohën  në shkollë e në kompjuter. Jo vetëm për artari, por nuk kanë interes për asnjë zanat.”-tha artari Mevlan Asani  nga artaria ‘En Gold’.
“Më herët nëse jo në shkollë, prindërit i kanë orientuar fëmijët nëpër zanate. Por sidomos që kur u bë shkollimi i mesëm i obligueshëm, mësuan a s’mësuan, të gjithë duhet të shkojnë në shkollë. Ndërsa pasi e kryejnë shkollimin, nuk mund të gjejnë punë.”  Sipas artarit me përvojë 25 vjeçare, zanati do të ishte zgjidhje për të ulur papunësinë “Momentalisht cilido zanat është shumë i dobishëm, se edhe zanati është një lloj shkolle, një lloj shkolle e fortë biles. Patjetër duhet të përfshihen lëndë zanati nëpër shkolla, që të rinjtë të mund të hapin bizneset e tyre private.”
Kumanovë

“Tani ka shumë të rinj që duan të mirren me fotografi.”-deklaroi  fotografi Abil Ademi, nga FotoStudio ‘Drita’. Megjithatë sipas Ademit, i cili ka 29 vjetë përvojë pune, ky profesion nuk është po aq fitim-prurës sa më parë “Më herët jo secili ka mundur ta punojë këtë punë, por tani gjithkush mendon se mundet. Mendojnë se sapo ta blejnë një aparat menjëherë bëhen profesionistë! Për shkak të konkurrencës jo të realtë, ky profesion nuk e ka më atë vlerë që e ka pasur dhe është më pak fitim-prurës.”

“Të rinjtë nuk kanë fare interes, thënë të drejtën. Askush nuk dëshiron të mirret me këtë profesion.”-tha Ridvani, rrobaqepës me përvojë 25 vjeçare, “Në përgjithësi të rinjtë janë nëpër shkolla e nuk kanë kohë për zanat, po bëhet vonë.” Sipas tij, rrobaqepsia është zanat fitimprurës, ndërsa nevoja për rrobaqepës në Kumanovë është shumë e madhe.

Bukëpjekësi, Isa Ramadani nga furra “Bereqeti Ideal” tha: “Ka interes, por interesi i të rinjve është i kufizuar, pasi ata duan të punojnë pak e të fitojnë shumë. Punojnë vetëm disa muaj apo një vit në furrë, duke pretenduar të ndërtojnë të ardhmen jashtë shtetit. Zgjidhja se ku do të jetojnë është e tyre, por kudo që të jetojnë e kanë patjetër të punojnë. Ndërsa ka të rinj që nuk duan të punojnë për 100-200 euro e mendojnë se do të fitojnë në bastore; të rinj që do të mbesin parazitë, pa lindur parazitë.” Sipas bukëpjekësit me përvojë pune 25 vjeçare nëse i riu është i aftë për ndonjë zanat, arsimi nuk duhet të jetë pengesë, “Përkundrazi në vendet perëndimore të rinjtë 7-8 orë i kalojnë në shkollë, 2-3 tjera në zanatin, për të cilin punëdhënësi apo profesori vlerëson se është i aftë. Ky sistem është shumë i mirë.”

Bajram Sulejmani, kryetar i Odës regjionale të zejtarisë-Kumanovë, tregoi se numri i zejtarëve këtë vit është rritur në 387, për dallim nga viti i kaluar kur ishin 335 por se për shkak të varfërisë dhe për shkak se shoqëria nuk krijon kushte për punësimin e të rinjve që kryejnë shkollë për zejtari, rinia kërkon rrugëdalje në vetëpunësim.

“Rinia nuk është e interesuar të merret me zanate, pasiqë ata duan të fitojnë shumë, por të mos punojnë fare.”-tha Sulejmani. Sipas Sulejmanit obligueshmëria e shkollimit të mesëm i pengon të rinjtë të profesionalizohen në zeje dhe se argument sipas tij, është dëshira e shumë të rinjve për të hapur dyqane zejesh pasi ata e kryejnë arsimimin formal, por u mungojnë kualifikimet përkatëse e të cilat orvaten t’i fitojnë përmes kurseve të ndryshme. Rastet e tilla, tha, janë të shpeshta, si psh: një i ri i diplomuar në Fakultetin Ekonomik ka hapur byrektore, dy të diplomuara në Fakultetin e Shkencave politike kanë hapur sallon bukurie. Sulejmani theksoi nevojën që më shumë zanate të përfshihen në arsim.

Kumanovë“Këtë vit janë mbyllur 12 dyqane ekzistuese, ndërsa janë hapur 25 dyqane të reja. Vendimet për ndërprerjen e veprimtarisë zejtare janë shkaktuar nga mos-pasja e punës, mos-interesi i konsumuesve të veprimtarive zejtare, çmimet e larta të lëndëve të para, politika jo e drejtë tatimore, politika jo-reale bankare, inspektimet e shpeshta dhe politika e vendim-marrjeve të inspektoratit. Dyqanet e hapura janë ndihmuar nga UNDP, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe fondi i aksionit qeveritar ‘Maqedonia punëson’. Megjithatë fondet nuk arrijnë në duart e të destinuarve-në rajonet rurale e aq më pak në rajonet rurale të banuara me shqiptarë. Dhe kjo për shkak të partizimit të njerëzve dhe mos-ndarjes së drejtë të buxhetit shtetëror.”-tha 68 vjeçari, “Nga 37 zejet, drejt zhdukjes shkojnë: farkëtaria (vetëm 3), enë-bërja prej gline, bërja e përgatitjeve për fuqitë tërheqëse (samarxhinjtë, litar-bërësit)… Ndërsa në trend të kohës janë: kozmetika, flokëtaria, manikyri, pedikyri, masazha, rrobaqepësia dhe të tjera.”

Ndryshe, si profile zejtare konsiderohen profilet në shkollën e mesme të bujqësisë “Kiro Burnaz”; të shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov” (Teknik i Konfeksionit, Teknik i Këpucëve); të shkollës së mesme teknike “Nace Bugjoni” (Elektro-teknikë, Makineri)./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button