Analiza e Marrëveshjes së Ohrit për të mbuluar dështimin e MO-së

Marrëveshja e Ohrit përveç që arriti ta ndal konfliktin e 2001-shit, synim thelbësor kishte kohezionin mes komuniteteve në Maqedoni. Marrëveshja nuk është vetëm politike por edhe juridike. Megjithatë ndikimi politik pamundësoi zbatimin juridik të MO-së. Bazuar në dështimin që e përjetoi në zbatim MO brenda këtyre 14 viteve, ata që ishin zotuar për zbatim të saj tentojnë ta mbulojnë dështimin me Analizë të po kësaj Marrëveshje.

Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, në krye me zv/kryeministrin Musa Xhaferi kohëve të fundit dalin me qëndrime se me Analizën për Marrëveshjen e Ohrit “Synojnë arritjen e një kohezioni mes komuniteteve”. Nga këtu parashtrohet pyetja sa janë legjitim të kërkojnë zbatim të marrëveshjeve ndëretnike ata që 14 vite radhazi kanë dështuar në këtë obligim kushtetues?!

Profesori universitar Jeton Shasivari thotë se analiza të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe nuk kanë pasur epilog juridik dhe politik, edhe pse kjo parti  politike (BDI) 12 vite është pjesë e qeverisjes me vendin.

Sipas tij, e vetmja gjë pozitive e kësaj analize është se BDI angazhohet për avancime kushtetuese, me çka edhe ajo e pranon faktin se Marrëveshja e Ohrit është e dështuar dhe jo efikase, dhe kështu radhitet me partitë e tjera politike shqiptare të cilat angazhohen për marrëveshje të re politike.

“Vlerësoj se, kushedi se sa analiza t`i bëhen Marrëveshjes së Ohrit, janë disa të meta të përhershme të këtij dokumenti që ndërlidhen me shprehjet e pa qarta dhe jo precize në të, me faktin se teksti i saj është përpiluar dhe miratuar me ngut, nën presionin e rrethanave të atëhershme si dhe vetë shkrimi në të nuk është në nivelin e duhur profesional. Kështu që, krejt këto të meta të kësaj marrëveshjeje politike, në tërësi i përgjigjen fjalës së urtë popullore se, nuk nxirret dhjamë nga pleshti”, tha për Portalb Shasivari.

Ndërkaq, nga ana tjetër analisti Albert Musliu vlerëson se rishikimi i Marrëveshjes së Ohrit është obligim që del nga Marrëveshja e Përzhinos. Garant i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit është edhe faktori ndërkombëtar.

“Marrëveshja e Ohrit është reflektuar në Kushtetutë. Dhe, në shoqëri normale, kur diçka është në Kushtetutë duhet të respektohet, e pse ne nuk jemi shtet normal është diçka tjetër. Implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit siguron bazë të mirë për zhvillimin harmonik të marrëdhënieve ndëretnike, është një nenë në MO që nuk e komenton askush, që do të thotë se MO është themeli i zhvillimit të marrëdhënieve ndëretnike. MO garantohet me Kushtetutë, defektet janë paraqit te prurja e ligjeve. MO thotë se komunitetet kanë drejt t’i shprehin traditat e tyre, nëpërmes gjuhës, flamurit, kulturës… në Marrëveshjen e Ohrit nuk shkruan se flamuri duhet të jetë më i vogël. Te puna e gjuhëve, sipas MO-së, çdo gjuhë që e flasin më shumë se 20% është gjuhë zyrtare në Maqedoni, nuk përcakton qytetin. Megjithatë, kur e kanë sjell ligjin e kanë sjell me defekt”, u shpreh për Portalb Musliu duke shtuar se në shtet normal Gjyqi Kushtetues do të duhej reagonte për faktin se ligji nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Këto gjëra kanë sjell rishikimin, ku do të shihen defektet.

Portalb ka tentuar që për sqarim të marr edhe zv/kryeministrin Musa Xhaferi që të sqarohet rreth Analizës për Marrëveshjes së Ohrit, por zv/kryeministri ka qenë i pakapshëm.

Ai në deklaratën e tij të fundit në emisionin “200” ka thënë se Analiza është një avancim i Kushtetutës, interpretim i avancuar i Kushtetutës dhe krijon hapësirë për të ndërtuar një kohezion për të relaksuar raportet dhe për t’u ndier të gjitha bashkësitë komod në shtëpinë e tyre, të cilën duhet ta kenë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Deshtimi i MO , ndodhi si rrezulltat i mos emplementimit ,degjenerimit apo popullorçe , shitjes se saj nga ana e Ali Ahmetit dhe struktures udheheqese se saj BDI….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button