AKV “Bajram Shabani” Kumanovë, 70 vjet ruan vlerat kulturore shqiptare (VIDEO)

Ansambli i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” është një nga institucionet kulturore më të vjetra në Maqedoni, e formuar nga intelektualët kumanovarë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, 70 vjet më parë. Ansambli ka për qëllim që përmes këngëve e valleve t’i ruaj vlerat kulturore, traditat e zakonet shqiptare. Pas një pauze, ansambli u riaktivizua para 5 viteve dhe tashmë merr pjesë në festivale të ndryshme edhe jashtë vendit, si në: “Këngë Jeho”, “Odën Dibrane”, Viti, Gjilan, Sarandë, Tropojë, në St Gallen, në festivalin ballkanik një-javor në Bursa etj.

Aktualisht ansambli ka grupin artistik, udhëheqës i të cilit është Ilir Latifi, grupin vallëzuas (me rreth 30 vallëtarë në grupin e parë) që e udhëheq Mustaf Ebibi, ndërsa kryetar i ansamblit është Driton Ramadani. Orkestrën e përbëjnë 16 anëtarë, nga dy persona për çdo instrument. Në grupin e këngëtarëve bëjnë pjesë emra të njohur si: Nuredin Fetahu, Salim Arifi, Drita Musliu, Qerim Hamidi, Memet Bajrami, Xhezair Elezi etj. ndërsa ishte pjesë edhe Ismet Bexheti.
AKA "Bajram Shabani" KumanovëSipas Mustaf Ebibit, grupi vallëzues luan 7 valle, edhe atë: vallen instrumentale, të Rajcës, “Drenicën”, vallen me motive dasme kumanovare, vallen “Rrushja e lalës”, “Pse jem tosk e pse jem geg” dhe vallen me motive nga Malësia e Madhe. “Në ansambël janë të kyçur të rinj të moshave të ndryshme: nxënës të shkollave fillore dhe studentë. Jonida Memeti, nxënëse në klasë të pestë dhe Ermal Shaqiri në klasë të tetë janë talentë të rinj, prej të cilëve pritet shumë. Për shkak të aftësive të tyre shpesh i integroj në grupin e parë, në atë më të mirin. Përndryshe është rast i veçantë valltarja e dalluar dhe njëherit studente e gjermanishtes, Ermira Kadriu; Nuk besoj se ka një tjetër si ajo në Maqedoni.”-tha 52 vjeçari.

Ebibi njëherit arsimtar i sportit në sh.f. “Bajram Shabani”, në pyetjen se cila është lidhshmëria mes sportit dhe kulturës u përgjigj: “Sporti dhe kultura janë ambasadorë të një kombi dhe kanë lidhshmëri. Kam pasur lëndë gjimnastikë ritmike gjatë studimeve, por zanatin e koreografisë e mësova nga i ndjeri maestro, Panajot Kanaçi, legjenda dhe koreografi më i mirë në të gjitha trojet shqiptare, që në vitin 1993 u angazhua në ansamblin tonë.” Sipas tij të rinjtë duhet të merren me valle për dy arsye, edhe atë: së pari sepse edukimi trupor dhe aktivitetet fizike para së gjithash paraqesin nevojë shëndetësore, sidomos tani që të rinjtë pjesën më të madhe të kohës e kalojnë nëpër rrjete sociale, e cila është në dëm të shëndetit të tyre, “pasi për ta kryer një valle 7-8 minuta duhet kondicion dhe përgatitje paraprake, ushtrime të rregullta fizike”-theksoi Ebibi, “Ndërsa së dyti sepse dikush duhet t’i ruajë vlerat kulturore.”

“Kumanova këto 4-5 vitet e fundit duhet të krenohet, pasi vërtetë po punojmë siç duhet dhe kjo u pa në manifestimin e 70 vjetorit të ansamblit, në të cilin ka pasur publikë të mrekullueshme, ka pasur transmetim të drejtëpërdrejtë në RTVM në gjuhën shqipe, të cilëve u jemi shumë mirënjohës. Në të u angazhuan edhe grupet e vjetra të grave dhe burrave, të cilët kanë vallëzuar para 30 viteve.”-tha Ebibi, “Planifikojmë të vazhdojmë, të mos e ndërprejmë aktivitetin dhe në të ardhmen të përgatisim valle të reja dhe të paraqitemi sa më mirë para publikut.” Ai pohoi për Portalb se është shumë i kënaqur nga angazhimi vullnetar që e bën, nuk merr asnjë denar por interesimi i madh i të rinjve për të vallëzuar si dhe kritikat pozitive janë shpërblimi më i madh që ai merr dhe motiv që të mos ndalet së punuari me valle.

Për kostumet e nevojshme ansamblin e kanë ndihmuar sponsorë të ndryshëm si: “Abedini transport”, Autoshkolla “Auto Fer”, ndërsa sipas Ebibit tani janë paraqitur edhe “RC Kola” dhe agjencioni “Debi Tours”. Megjithatë pavarësisht premtimeve të shumta, ansambli 70 vjeçar shqiptar, ndryshe nga ansamblet maqedonase nuk ka një seli të veten. Kështu ushtrimet 3 herë në javë ansambli i ka mbajtur në objektin e bashkësisë lokale të ish-Jugosllavisë, më pas në sallën e edukatës fizike të sh.f.“Bajram Shabani” dhe tashmë 4 vite në lokalet e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Ansambli organizoi manifestimin qëndror për 28 Nëntorin, i cili u mbajt në Shtëpinë e kulturës në Kumanovë me fillim në ora 15:00. Programi ishte i pasur me këngë e valle të ndryshme, një prej tyre edhe vallja në vijim:

Përndryshe, sipas valltarit, në  këtë ansambël kanë kalur gjenerata të shumta, të cilat kanë prezentuar vlera me këngë e valle. Në  kuadër të ansamblit ka ekzistuar edhe grupi dramatik e grupi i këngës zbavitëse. Ansambli për shkaqe politike është mbyllur gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, me preteksin se nuk mund të funksionojë si institucion i pastër etnik shqiptar. Detyrimisht u bashkua me ansamblin maqedonas “Pançe Pehshev”. Por për një kohë e ndërpreu tërësisht aktivitetin dhe u riaktivizua si institucion i pavarur, me ç’rast angazhoi përkohësisht Dilaver Osmanin dhe Emin Gaxhën, koreografë nga Shkupi. Në kohën e Jugosllavisë, në Beograd grupi i valleve ka prezentuar vlerat e Kumanovës dhe ka zënë vendin e parë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button