Darka e Festës, Nishani: Shqiptarë, mos ikni nga vendi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në pritjen zyrtare për festën e Pavarësisë, ka bërë thirrje për bashkëpunim në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara. Nishani tha se duhet të konsolidohet drejtësia dhe institucionet, duke i dhënë fund kohës kur padrejtësitë i bëjnë ata që pretendojnë së bëjnë drejtësi.

Kreu i shtetit tha se përmes dekriminalizimit të largohen nga politika personat me rekorde kriminale, transmeton Oranews.

“Duke respektuar pavarësinë e secilit insistucion është e vetmja mënyrë për të funksionuar harmoninë e institucioneve. Të drejtojmë drejtësinë, të marrë fund koha kur padrejtësitë më të medha i bëjnë ata që pretendojnë se bëjnë drejtësi. Përmes dekriminalizmit ti japim fund strehimit të personave me rekorde kriminale, ti japim debatit politik sensin frymëdhënës me rregulla qytetare, kulturë demokratike dhe pluraliste. Të  përshpejtojmë sa të mundemi afrimin tonë me Europën. T’i bëjmë këto jo me panik dhe me ngut, por në kohën e duhur, mënyrat dhe mjetet e duhura”.

Presidenti tha se sot nuk ka luftë lokale, por globale dhe brenda këtij konteksti edhe shqiptarët duhet të reagojnë.

“Në kohën e sotme nuk ka rrezik, panik, frikë apo luftë, apo çfarëdolloj problematike tjetër lokale, por vetëm globale. Sot gjithcka e mirë i gëzon të gjithë dhe gjithcka e keqe i rrezikon të gjithë.  Brenda këtij konteksti globalizimi duhet të vlerësojmë, interpretojmë dhe reagojmë edhe ne shqiptarët.”

Nishani: Historinë mos ta çojmë në muzeum

Kreu i Shtetit tha se duhet të punojmë në mënyrë që mos humbim ato që kemi fituar dhe merituar. “Mos ta çojmë historinë në muzeum”, tha Nishani.

“Të dashur bashkëatdhetarë, pavarësinë që po festojmë sigurisht që e meritojmë, por nuk duhet të harrojmë se gjithçka që meritohet edhe shpërdorohet, gjithçka që fitohet edhe humbet. Që mos shpërdorojmë dhe mos humbim duhet të punojmë, përndryshe kujtimet e mira të të parëve tanë mund të na shndërrohen në histori dhe pak nga pak historia në arkeologji, çka nuk duhet kurrësesi të ndodhë. Mos ta çojmë historinë në muzeum, por ta mbajmë të gjallë, duke kthyer sytë pas.”

Nishani tha se nëse punojmë nuk është çudi që pas ca kohësh në truallin tonë të kemi më pak shqiptarë. Ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos braktisin Shqipërinë.

“Nëse do punojmë keq, pa krenari politike, pa përgjegjshmëri politike, pa ndjeshmëri njerëzore dhe qytetare, nuk është çudi që pas ca kohësh mund ta kemi shtetin, por mbi truallin tonë të kenë mbetur më pak shqiptarë. Të bëjmë çmos që kjo mos ndodhë. Unë i ftoj qytetarët mos e braktisin Shqipërinë, se me përpjekjen e të gjithëve mund ta shndërrojmë vendim që duam.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button