Pse partitë politike u frikësohen mediave?

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e gazetarëve dhe Instituti maqedonas i mediave dje para Klubit të deputetëve kanë protestuar për mospërfshirjen e gazetarëve në bisedimet e grupeve të punës. Këtë javë grupet e punës me ndërmjetësim të Piter Vanhojtes kanë zhvilluar bisedime duke trajtuar çështjen për mediat.

Mirëpo deri më sot, as Piter Vanhojte e as partitë politike nuk i kanë ftuar gazetarët të jenë pjesë e bisedimeve.

Piter Vanhojte u sot nëpërmes një kumtese u shpreh se partitë politike i kanë parasysh të gjitha propozimet nga konsultimet me palët që u tangon kjo çështje, përfshirë këtu edhe kërkesat e gazetarëve dhe sindikatës.

Gazetarët e kontaktuar nga Portalb vlerësojnë se partitë politike po mundohen ta ruajnë ndikimin e tyre ndaj mediave. Sipas tyre, mediat duhet të jenë të lira dhe gazetarët duhet ta dinë se për çfarë po flitet brenda në bisedime.

Rashidi: Politika duhet ta kuptojë rolin e medias për të kritikuar

Gazetari Nazim Rashidi vlerëson se kërkesa e gazetarëve për të marrë pjesë në bisedime vjen si pasoj e një mosbesimi ndaj politikës për të zgjidhur këtë çështje dhe për vetë faktin se roli i medias po del si një nga momentet e rëndësishme për tejkalimin e krizës.

“Mosbesimi vjen sepse vetë fakti që politika flet për kontroll dhe rregulla të cilat ajo do ti vendosë sipas këndvështrimeve të saj, dhe kur them politika kam parasysh edhe shumicën edhe opozitën, kështu kemi një problem konceptual. Nëse politika do të bjerë dakord që të heqë dorë nga kontrolli atëherë s’ka pse gazetarët të jenë pjesë e bisedimeve. Kaq e thjeshtë është. Le t’i lënë gazetarët të lirë dhe pastaj le të bëjnë gjithë presionin e mundshëm për profesionalizmin e tyre. Dëgjuam për shembull nga ato thashethemet se çfarë thuhet në bisedime, se një parti ka kërkuar “të marrë” Televizionin publik, si me qenë televizioni ministri. Jo! Mediat duhet të jenë të lira. Ku të gjithë duhet të prezantohen ne mënyre të drejtë dhe të duhur. Kaq. Dhe po media duhet të kritikojë dhe ngre pyetje lirshëm”, deklaroi për Portalb Rashidi.

Sipas tij, nëse kjo pranohet nga politika, gazetarët s’ka pse të jenë në bisedime. “Por aty flitet për rregulla të caktuara të cilat mund të jenë forma ndikimi ndaj mediave. Prandaj gazetarët duhet të dinë se ç’ flitet”, përfundon Rashidi.

Zeqiri: Pushteti do që ta ruaj pushtetin përmes gazetarëve

Sipas gazetarit Arben Zeqiri, si pushteti edhe opozita kanë një qëllim, të parët të ruajnë pushtetin përmes gazetarëve, ndërsa të dytët të vijnë në pushtet dhe nesër njëjtë ta ruajnë pushtetin përmes gazetarëve.

“Këtë e kanë dëshmuar partitë aktuale të cilat dominojnë skenën politike, prandaj dhe si njëri tabor edhe tjetri duan të marrin vendime larg syve dhe veshëve të gazetarëve. Unë besimin e vetëm e kam tek faktori ndërkombëtare. Ato ose do të arrijnë të rikthejnë gazetarët në bisedime, ose të paktën të na përfaqësojnë neve si gazetarë sa më denjësisht aty. Por nëse ndodh kjo e dyta sado zgjidhje të mirë të sjellin përsëri ajo do të kontestohet në aspekt të legjitimitetit”, tha për Portalb Zeqiri./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button