Kroacia ia përcjell Kosovës përvojën dhe praktikat për Zbatimin e MSA-së

Me qëllim të shkëmbimit të përvojave ndërmjet të ekspertëve kroat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe homologëve të tyre kosovar, sot në Prishtinë ka filluar konferenca dyditore ‘Marrëveshja për Stabilizim Asociim: Çfarë mund të fitojë Kosova nga përvoja e Kroacisë’, transmeton Anadolu Agency.

Konferenca e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, e përkrahur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) – Zyra në Kosovë dhe Ambasada e Republikës së Kroacisë në Prishtinë, është organizuar në prag të hyrjes në fuqi të MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës, që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt, me synim që t’i mundësojë palëve të interesuara të Kosovës të marrin praktikat më të mira të Kroacisë.

Në konferencë janë mbledhur më shumë se treqind përfaqësues vendor dhe ndërkombëtarë, të cilët do të diskutojnë në detaje për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Konferenca u hap nga Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian i Kosovës, i cili theksoi se zbatimi i MSA-së do të kërkojë reforma gjithëpërfshirëse të sistemit politik dhe ekonomik të Kosovës, dhe nga ana tjetër kërkon përfshirjen e domosdoshme të të gjitha palëve të interesuara në këtë proces.

Mladen Glavina, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kroacisë në Kosovë, gjatë kësaj konference theksoi se përvoja e Kroacisë për zbatimin e MSA-së, si një vend që ka kryer gjithë ciklin e negociatave me BE-në, është relevante për Kosovën e të cilën ka thënë se Kroacia ka kënaqësi ta ofrojë.

Përfaqësuesja tjetër e diplomacisë kroate, Marija Kapitanoviq, Udhëheqëse e Sektorit për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, theksoi se MSA-ja është një hap shumë i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit në BE dhe se është marrëdhënia e parë institucionale me BE-në që ngërthen në vete aspektin institucional, politik dhe ekonomik. Me zbatimin e MSA-së, Kapitanoviq tha se nënkuptohet edhe fillimi i reformave strukturore.

Libor Chlad, Zëvendës Udhëheqës i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë deklaroi se MSA-ja hap një fazë të re të marrëdhënieve kontraktuale që përfshinë të drejta dhe detyrime reciproke në mes të BE-së dhe Kosovës, si dhe ka për qëllim që, në mënyrë progresive, të krijoj një zonë të tregtisë së lirë e cila do të ofrojë mundësi të reja afariste për të dyja palët.

Chlad pohoi se Bashkimi Evropian do të vazhdoj të përkrah institucionet e Kosovës në fuqizimin e kornizës rregullative në përputhje me standardet dhe praktikat e BE-së, dhe se për këtë qëllim janë ndarë 645. 5 milion euro për Kosovën, në kuadër të asistencës së para-anëtarësimit deri në vitin 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button