Bruksel, arrestohen 16 persona të dyshuar për terrorizëm

Autoritetet belge thonë se kanë arrestuar 16 persona në rajonin e Brukselit, gjatë bastisjeve policore lidhur me hetimet që po bëhen për sulmet terroriste, që ndodhën në Paris, më 13 nëntor, njofton REL.

Prokurorët belgë kanë thënë se i dyshuari kryesor, militanti Salah Abdelslam, “nuk ishte në mesin e të arrestuarve gjatë kontrolleve.”

Zyrtarët belgë kanë bërë me dije se “në interes të hetimit”, nuk do të japin detaje rreth identitetit të të arrestuarve dhe as nuk do të ngrejnë akuza specifike ndaj të dyshuarve.

Ndërkohë ata kanë bërë të ditur se operacionet e organeve të sigurisë po vazhdojnë.

Bastisjet që janë bërë vonë gjatë natës, përfshijnë kërkimet në 19 shtëpi në rajonin e Brukselit, si dhe tre kërkime në disa shtëpi në Charleroi, një qytet në rajonin jugor të Belgjikës.

Brukseli mbetet në nivelin më të lartë të sigurisë, si pasojë e asaj që kryeministri i Belgjikës e ka quajtur një kërcënim “serioz” i sulmeve të koordinuara nga militantë islamikë.

Alarmi i sigurisë është në nivelin e katërt në Bruksel, i shpallur që nga data 21 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button