Zgjohuni, o shqiptarë!

Pas ekstazës shpirtërore të pas ndeshjes “el clasico” që ndjej, pyetem se sa objektiv mund të jem në kritikat e mia të rradhës. Është e vështirë të aktivizohem në planin objektiv, ngaqë mendja ime vibron teksa përtyp kujtimin e atij arti futbollistik që shprehën sonte futbollistët e Barcelonës. E si mund të shfryhesh pas kësaj, mund të më pyesë dikush; epo ja që kam qartësinë e mjaftueshme edhe për t’u shfryrë! Ethet e “el clasico” të bëjnë të harrosh realitetin, të largohesh nga ai dhe nga zymtësia e nëntorit të Shkupit, të shkaktuar nga smogu dhe papastërtia që“shkëlqen” anembanë qytetit, posacërisht në rrethin ku unë jetoj.

Përvec kësaj, të bën të harrosh edhe atë ndjenjën që e ke disa ditë me rradhë teksa dëgjon diskutimet parlamentare për buxhetin. E kishe parashikuar që do të ishte një buxhet si të gjithë buxhetet e 10 viteve të kaluara, joreal në pretendimet në anën e të hyrave dhe tepër ambicioz dhe megaloman në anën e shpenzimeve. Një buxhet i cili nuk ju përshtatet nevojave të shtetit për momentin, në derexhen në të cilën ai ndodhet tani – ekonomikisht, se jo politikisht. Një buxhet që premton “investime kapitale” në zbukurimin e kryeqytetit e që harron pjesën tjetër të shtetit. Një buxhet i stërngarkuar nga shpenzimet në rroga dhe dotacionet në penzione dhe në ndihma sociale. Me pak shpenzime produktive të investimeve infrastrukturore, të përmirësimit të kualitetit të shëndetësisë dhe të arsimimit; një buxhet i cili nuk i tangon problemet kryesore me të cilat duhet të merret secili buxhet i cilitdo shtet – ndarja adekuate e pasurisë shtetërore në bazë të nevojave të qytetarëve të atij shteti.

Aq më tepër të ngacmon kujtimi i heshtjes absolute të deputetëve shqiptarë gjatë diskutimeve lidhur me buxhetin, sikur ky buxhet nuk i tangon ata dhe votuesit e tyre. Sikur jua ka ngrënë maca gjuhën – do kishte thënë halla ime 80 vjecare. Me siguri kanë shkuar në “partallament” me idenë që të presim federalizimin dhe të ashtuquajturit “buxhete proporcionalë” dhe pastaj të kycen në diskutime. Ose ndoshta presin informatat e përditësuara të dikastereve ekonomikë dhe  analizave të ekspertëve financiarë të partive të tyre për të krijuar strategjinë e diskutimeve dhe amandamenteve. Por meqë lajmet nga partitë e tyre lidhur me këto koncepte “inovative” vonojnë, ata ia kanë futur gjumit, se ato karriket e “partallamentit” duhet të jenë shumë komforte, të paktën ashtu duken nga pamjet televizive, se nuk jam ulur ndonjëherë në to. Ndërkaq shkollat shqiptare janë katandisur si mos më keq, të stërngarkuara me nxënës dhe me pak hapësira, pa instrumente bazike dhe pa ambiente adekuate për të zhvilluar aktivitetet mësimore (pale pa me sistemin Cambridge). Spitalet me personel të paktë dhe me akoma më pak mjete pune, të papërgatitura për tu bërë ballë problemeve shëndetësore të qytetarëve të cilët dita ditës sëmuhen nga sëmundje të shkaktuara nga pavëmendja e shtetit për t’u marrë me eliminimin e shkaktarëve të sëmundjeve të rënda (ndotja e ambientit jetësor, ushqimi i dobët dhe i pakontrolluar, papastërtia, mungesa brutale e programeve për prevenimin e sëmundjeve etj). Ndarja e padrejtë e të hyrave publike në bazë të nevojave të shtresave që jetojnë buzë varfërisë, mosndërtimi i ndërtesave sociale në territoret e banuara kryesisht me shqiptarë (Po hajt bre se shqiptarët shkojnë në kurbet, bëjnë do pare edhe ndërtojnë vetë shtëpia!).

Pastaj dalin këta burra shteti (si mos qofshin) edhe bëjnë analiza e shkuar analizave, harxhojnë qindra mijëra euro para tonat pale pa duke thirrur edhe ekspertët ndërkombëtarë për të studiuar dhe analizuar kushtetutën dhe realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, implementimin e gjuhës shqipe në sistem e njw Zot e din se cka tjetër. Sikur gjuha shqipe në administratë do të ushqejë gojët e urritura të shqiptarëve që janë në shumicë të papunë; sikur analizat e tyre do të rindërtojnë shtëpitë nëpër fshatrat shqiptare që akoma janë të rënuara edhe sot pas 14 vjetësh që ka përfunduar lufta. It’s the economy, stupid! Shprehje e James Carville, lideri i kampanjës së Bill Clintonit të zgjedhjet presidenciale të 1992. Ideja është, mbushja barkun popullit, e tek mandej fillo mendo për cështjet madhore e kombëtare. Mendo për mirëqenien e tij, kujdesu për popullin tënd sepse atë detyrim e ke marrë nga vota e tyre. Mos fleni, o përgjumsha!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button