Tribunë, “Noli – figurë emblematike për shqipen dhe shqiptarët”

Me rastin e festave të nëntorit dhe 50 vjetorit të vdekjes së Fan S.Nolit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, organizoi tribunën shkencore me temë “Fan S.Noli – figurë emblematike për shqipen dhe shqiptarët”.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se Noli është një figurë madhështore jo vetëm se e letërsisë, por edhe e historisë, kulturës, politikës e religjionit, të cilave u dha një frymë të re në kohën në të cilën jetoi.

“Noli paraqet një shumësi personalitetesh brenda një njeriu të vetëm, patriot i radhëve të para, që bëri ç’është e mundur në fushën e diplomacisë, për ruatjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve, si demokrat i shquar udhëhoqi me Revolucionin Demokratik të Qershorit, e si klerik formoi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare”, tha Asani.

Mysafir special në këtë aktivitet ishte prijësi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, me seli në Elbasan, Nikollë Marku, njëri nga pasuesit e frymës kombëtare të Nolit. Ai tha se ndjehet krenar që figura e Nolit vazhdon të nderohet e kujtohet gjithkah ku ka shqiptarë, si një njeri që gjatë gjithë jetës së tij, punoi dhe veproi në shërbim të popullit të tij që aq shumë e deshti.

Më tej në këtë tribunë, me kontributet e tyre shkencore u paraqitën studiues të njohur të veprës së Nolit, me këto kumtesa: Ali Jashari – “Për Fan Nolin dhe visarin e tij frazeologjik popullor”; Qemal Murati – “Fan Noli – ky lëvrues i madh i fjalës shqipe”; Avzi Mustafa – “Noli në mesin e shqiptarëve të Ukrainës”; Zeqirja Neziri – “Noli dhe epika gojore shqiptare”; Olger Brame – “Përdorimi i simboleve në veprën e Fan Nolit”; Mirlinda Krifca – “Noli mes mitit dhe realitetit”; Myrvete Dreshaj – Baliu & Begzad Baliu – Studimi i Nolit dhe veprës së tij në Kosovë”; Avni Spahiu – “Vatra e shqiptarëve të Amerikës dhe Noli”; Shpëtim Çuçka – “Noli – simboli i përkthimit shqiptar”, Zeqirija Ibrahimi – “Prifti kryeministër Fan S. Noli”, etj. Të gjitha kumtesat do të botohen në një nga numrat e radhës së revistës periodike shkencore “Scupi”.

Gjatë ditës së sotme, njëri nga pjesëmarrësit në triubunë, Prof.dr. Ali Jashari, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë i Universitetit “Fan S.Noli” të Korçës, dhuroi disa botime të vlefshme shkencore të këtij universiteti për nevojat e ITSHKSH-së.  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button