Dysheme të kalbura edhe në shkollën “Kongresi i Manastirit” (FOTO)

Shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”në fshatin Llopat të Kumanovës përveç nevojës për sallë sportive, shtim të klasave, ndërrim të kulmit kancerogjen, përballet me nevojën e ndërrimit urgjent të dyshemeve të kalbura të 8 klasave. Nga drejtoria e shkollës sqaruan se kërkesa për zgjidhjen e çështjes është pranuar nga komuna. Derisa nga sektori përgjegjës komunal konfirmuan ekzistimin e projektit konkret për renovimin e dyshemeve, i cili projekt pritet të realizohet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër shkollor.

Shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”në fshatin Llopat,Kumanovë

Drejtori i sh.f. “Kongresi i Manastirit”, Ramadan Aliu deklaroi:  “Shkolla ka nevojë për renovimin e dyshemeve të 8 klasave, të cilët janë me dërrasa të dëmtuara, në të cilat janë krijuar vrima. Shkaku i gjendjes së dyshemeve është paraqitur si problem edhe mirëmbajtja e kompjuterëve dhe kabllove. Kemi bërë kërkesë në komunë që të ndahen financa të veçanta për renovimin e dyshemeve. Kërkesa është pranuar dhe është në proces shpallja e konkursit publik për renovimin e dyshemeve. Shpresojmë që çështja të zgjidhet gjatë pushimi dimëror, por mbi të gjitha fjalën e fundit e ka komuna.”

Sipas Aliut, shkolla ka nevojë për shtimin e katër klasëve në pjesën e re të objektit, pasi disa paralele aktualisht mësojnë në podrum. Në mungesë të sallës sportive orët nga lënda Arsim fizik dhe shëndetësor realizohen në fushë sportive pjesërisht të rregulluar.  Sipas tij, prej vitit 2004 shkolla ngrohet me nxehje qëndrore dhe nuk ka asnjë problem në këtë aspekt. Me projektin e komunës dhe USAID-it tashmë janë ndërruar të gjitha dritaret. Ndërsa në të ardhmen parashikohet ndërrimi i kulmit, aktualisht me pllaka kancerogjene dhe më vonë rrethimi i oborrit të shkollës. Drejtori theksoi nevojën e shkollës për një rojtar, pasi sipas tij “Shkolla dëmtohet gjatë ndërrimit të natës”, dhe për një psikolog, i cili do të bashkëpunonte me nxënësit dhe kuadrin “Në shërbimin profesional funksionon vetëm pedagogu. Vazhdimisht bëjmë kërkesë për psikolog, por ende nuk kemi asnjë përgjigje prej ministrisë.”-tha ai.

Shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”në fshatin Llopat,Kumanovë

Sipas pedagogut të shkollës, Shpend Muhtari shkolla ka bibliotekë funksionale, “Ka libra, respektivisht lektyra të mjaftueshme si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën maqedonase, sa për t’i plotësuar nevojat e nxënësve.” Megjithatë sipas Muhtarit, mungesa e teksteve obligative shkollore paraqet vështirësi në radhë për nxënësit, të cilët nuk kanë prej ku të mësojnë po edhe për arsimtarët, të  cilët nuk mund ta realizojnë 100% plan-programin arsimor.

“Projekti i imponuar ministror për furnizim të nxënësve me libra, është lehtësim finansiar për nxënësit, respektivisht prindërit e tyre. Por ka ngecje në realizimin e tërësishëm të këtij projekti. Ne si shkollë kemi komision me të cilin paraqesim kërkesën për librat e nevojshme në kontekst me numrin e nxënësve. Vazhdimisht na sjellin libra, por jo me kohë. Te paralelet maqedonase 90% e nxënësve janë të furnizuar me libra, ndërsa te paralelet në gjuhën shqipe vetëm rreth 50 %. Në fillim ishte i paraparë projekti libra falas për nxënësit për afat 3 vjecar, ndërkohë u vazhdua edhe për dy vite më shumë. Por ne kemi ngritur zë, pasi për 5 vite është e pamundur të mirëmbahen librat.”-shtoi drejtori.

4

Ky i fundit sqaroi se shkolla ka dy kabinete, kabinet të informatikës dhe kabinetin e përbashkët për fizikë, kimi dhe biologji, të cilin e shfrytëzojnë arsimtarët sipas nevojës. Por nevojiten mjete bashkëkohore për realizim të orëve mësimore “Kuadri është i mirë, të gjithë arsimtarët janë adekuat për lëndën e tyre. Por paraqet vështirësi furnizimi i arsimtarëve me mjete bashkëkohore për realizimin e mësimit. Ja psh kemi 3 projektorë, dy prej të cilëve nuk janë funksional, ndërsa në të njejtën kohë nuk mund ta shfytëzojnë të gjithë arsimtarët.”-tha.

“E përcjellim realizimin e mësimit, me kontrolle nëpër klasa, bëjmë analizimin e orës, çka konstatojmë se ndikon në rritjen e kualitetit të punës. Kjo dëshmohet edhe me testin ekstern, nuk ka pasur diferencë më të madhe se gjysëm note midis notës mesatare që është arritur brenda shkollës dhe asaj që është arritur gjatë testimit të jashtëm.”-tha Aliu, ndërsa Muhtari shtoi “Suksese nxënësit kanë dëshmuar nëpër gara të ndryshme rajonale.”

Nga Sektori për arsim i komunës së Kumanovës konfirmuan se tashmë janë të njoftuar me gjendjen e dyshemeve të klasave. Sipas udhëheqësit të sektorit, Zhiko Krstevski nga inspektorati është konstatuar se dyshemetë më nuk janë praktike, nuk janë të mira për nxënësit dhe se kjo çështje patjetër duhet të zgjidhet,  ka kaluar në Këshill dhe është pjesë e programit. “Po, ka projekt për dyshemetë në realizimin e së cilës duhet të merr pjesë vetë-qeverisja lokale dhe ndonjë donator. Ka pasur tenderë për këtë. Do të duhej të realizohej gjatë vitit shkollor, por në mënyrë që të mos ndërpritet procesi edukativo-arsimor jemi munduar të gjejmë zgjidhje alternative. Ashtuqë momentalisht nuk mund të ju them konkretisht se kur do të duhet të realizohet ky projekt, se a do të realizohet tani në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër shkollor.”-tha Krstevski.

 

Përndryshe Krstevski sqaroi “Akoma investimet e mëdha kapitale në fushën e arsimit janë kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Dhe është MASH ajo që bën rekontstruime më të mëdha, ndërton shkolla të reja. Ne kemi mundësi që në kuadër të buxhetit të ndarë për çdo vit, në shkolla të caktuara, aty ku është më e nevojshme të investojmë për të përmirësuar kushtet e nevojshme për realizimin e procesit edukativo-arsimor dhe plan-programeve mësimore.”

Në shkollën “Kongresi i Manastirit” vijojnë mësim rreth 300 nxënës, prej të cilave 18 paralele në gjuhën shqipe dhe 7 në gjuhën maqedonase. Kuadrin profesional e përbëjnë 46 të punësuar./Portalb.mk

5

6

7

8

9

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button