3.18 miliardë euro, Stavreski shpalosi buxhetin për vitin 2016

Ministri i financave, Zoran Stavreski shpalosi propozim- buxhetin për vitin 2016-të para deputetëve në Kuvend. Ai pret vitin e ardhshëm të ketë shkallë më të lartë të stabilitetit politike, me çka do të krijohet klimë më e mirë për ekonominë, realizimin e investimeve që qytetarët më lehtë t’i marrin vendimet për shpenzime.

Stavreski siç shpjegoi para deputetëve, pret rritje reale të PBV-së prej 4%. Rritja e ekonomisë vendore, sipas ministrit të financave, do të ndihmohet nga realizimi i projekteve në infrastrukturë, mbështetjes së kompanive përmes kredive të lira dhe rritjen e investimeve të huaja.

“Karakteristika elementare e buxhetit për vitin 2016-të është fillimi i procesit të konsolidimit fiskal, që do të thotë se përmes strategjisë fiskale në tre vitet e ardhshëm do të kemi ulje të deficitit buxhetor dhe mbajtjen në nivel të borxhit publik. Deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm do të jetë 3,2% nga PBV, në vitin 2017 2,9% dhe 2,6% në vitin 2018-të” theksoi Stavreski.

Ai tha se eksporti do të rritet për 8,1% ndërsa importi për 6,8%.

“Presim nivel të lartë të bruto- investimeve. Presim vitin tjetër të kemi sektor stabil monetar, stabilitet të çmimeve dhe kursit devizor. Deficiti i bilancit rrjedhës pagesor do të sillet prej 1 deri 1,5% dhe do të ketë nivel stabil të rezervave devizore prej 4%” shtoi Stavreski.

Sipas tij, buxheti është kombinim i komponentit zhvillimor dhe social. Ai theksoi se investimet kapitale janë në nivelin më të lartë historik, por ka edhe më shumë mjete për mbështetjen e kategorisë së rrezikuar sociale dhe pensionistëve.

Për vitin e ardhshëm, pagesa e transferimeve sociale do të jetë më e madhe për 5%.

Në buxhet janë paraparë më shumë mjete për mbrojtje shëndetësore, rreth 25 miliard denarë. Për mbështetjen e zhvillimit rajonal, janë paraparë 25.578 milion denarë, që është për 15% më shumë se vitin i kaluar.

Për infrastrukturën rrugore gjegjësisht për Korridorin 10, janë paraparë 2.579 milion denarë, 12.384 milion denarë për ndërtimin e dhjetëra akseve rrugore ndërsa për infrastrukturën hekurudhore janë paraparë 2.200 milion denarë.

Për fazën e dytë të sistemit nacional të gazifikimit, janë paraparë 35 milion euro.

Deficiti i planifikuar është 3,2% dhe, sipas Stavreskit, do të financohet nga burimet vendore dhe të huaja gjegjësisht përmes euro- obligacionit dhe letrave me vlerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button