Jahjaga: Ratifikimi i MSA-së moment i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës

Pas ratifikimit të sotëm të Projekt-ligjit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në Kuvendin e Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se ishte e nderuar dhe privilegjuar që sot ishte dëshmitare e një momenti kaq të rëndësishëm për Kosovën dhe për të ardhmen e saj evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sot u bashkuam pavarësisht dallimeve tona dhe orientimit tonë politik, të përgjegjshëm për peshën historike të këtij momenti. E hodhëm bashkërisht këtë hap jetik për qytetarët e Republikës së Kosovës, për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit tonë dhe nisëm rrugën e pakthyeshme për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Jahjaga.

Ajo shtoi se rrugëtimi i Kosovës për në BE vazhdon të jetë plot sakrifica dhe kosovarët duhet të jenë të vëmendshëm për listën e gjatë të prioriteteve që Kosova duhet plotësuar për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne ende jemi duke e konsoliduar shtetësinë e Kosovës, ende jemi duke e forcuar sovranitetin tonë, ende jemi duke u përballur me sfidat e tranzicionit të cilat po vërehen më së shumti në mangësitë në sundimin e rendit dhe ligjit, sistemin tonë arsimor dhe atë të shëndetësisë”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo u shpreh se përtej simbolikës së fuqishme të orientimit pro-evropian, ratifikimi i MSA-së duhet të shihet si fillim i një përkushtimi institucional dhe shoqëror për reforma të thella, të cilat do të forcojnë demokracinë tonë të brendshme dhe do të përmirësojnë nivelin e qeverisjes dhe standardin e jetesës për secilin qytetar.

“Kjo ditë dikur na dukej e paimagjinueshme dhe e paarritshme. Kjo ditë erdhi. Kjo ditë është për gjeneratën e re të Republikës së Kosovës, për të gjitha mundësitë që atyre do t’iu ofrohen për të pasur një të ardhme të sigurt. Ky ratifikim është garanci për të gjithë ata prindër që shpesh herë janë ndier të pasigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këto vite tranzicioni dhe shtetndërtimi. Bashkë, me shumë sakrificë dhe shumë mund, po i arrijmë të gjitha, një nga një”, përfundoi presidentja e Kosovës, Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button