Objekti i ri i shkollës në Slivnik prishet pasi është ndërtuar me gabime!

Shkolla fillore “Vasill Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit, objekti i së cils filloi të ndërtohet kohë më parë, është ndërtuar gabim dhe jo në përputhje me projektin, njofton Portalb.mk.

Mësimdhënësi i kësaj shkolle, Qemal Musa thotë për Portalb se disa përfaqësues të MASH-it kanë vizituar këtë objekt për të parë si po ecin punët dhe aty kanë ardhur në përfundim se shkolla nuk është realizuar ashtu siç është planifikuar.

“Erdhen përfaqësues të MASH-it për të parë punimet e objektit të ri shkollor në Slivnik dhe konstatuan se janë bërë gabime gjatë ndërtimit dhe nuk është bërë ashtu siç ishte projektuar dhe planifikuar dhe tani filluar të bëjnë ndryshime të prishin aty ku kanë gabuar dhe të rindërtojnë sërish”, tha Musa.

Ai shtoi se nuk e di tani se kur do të jetë gati, edhe pse objekti ishte shumë afër përfundimit.

“Objekti ishte pothuajse i përfunduar kishte ngelur vetëm edhe pak punë, mirëpo tani kanë filluar të bëjnë ndryshimet dhe të përmirësojnë gabimet duke rrënuar disa pjesë dhe rregulluar sërish. Nuk e dimë se kur do të jetë gati ky objekt i shumëpritur. Ne duhet të vazhdojmë në këtë gjendje të mjerueshme të zhvillojmë mësimin sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Shpresojmë që së shpejti objekti i ri do të jetë gati” shtoi Musa.

Nga MASH nuk komentojnë gabimet që janë bërë gjatë ndërtimit, por thonë se aty po punohet dhe së shpejti ky objekt shkollor do të jetë gati.

“Është duke u punuar në realizimin e projektit për ndërtimin e objektit shkollor në Slivnik, i cili së shpejti do të jetë gati”, thonë për Portalb, nga zyra për informim në MASH.

Ndryshe, 86 nxënësit e shkollës fillore ‘Vasill Gllavinov’ të fshatit Slivnik të Komunës së Velesit ndjekin mësimin në vetëm 1 klasë në kushte të mjerueshme./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button