Këshilli për etikë në media dënon praktikën gazetareske të “Zhurnal”-it (Dokument)

Me tekstin “Disa media “shqiptare” me pronarë maqedonas” redaksia e “Zhurnal”-it ka shkelur madje 5 nene të Kodit të gazetarëve të Maqedonisë, edhe atë nenet 1, 10, 11, 13 dhe 16. Është vendim ky i marrë dhe publikuar nga Këshilli për etikë në media të Maqedonisë i cili ka për qëllim të evidentojë raportimin jo-profesional të mediave në vend.

Me këtë vendim edhe njëherë vërtetohet dhe tregohet nevoja për respektimin e standardeve profesionale dhe etike që mos të punohet me tendenca nga gazetarët dhe mediat në përgjithësi. Ankesa është bërë nga kryeredaktorja e Portalb-it dhe e njëjta është pranuar nga ekipi gjashtë anëtarësh i Komisionit të ankesave që vendos për shkeljet e gazetarëve, duke u cilësuar si e bazuar.

Gazetarët si çdo njeri mund dhe të gabojnë, megjithatë duhet të kenë virtytin e kërkim-faljes ndërsa këtë mund ta bëjnë vetëm ato media që vërtetë kanë për qëllim gazetarinë dhe jo shantazhet e fyerjet.

Në vijim mund ta lexoni të tërë këtë vendim që “Zhurnali” në frymën e gazetarisë së mirë duhet ta botojë dhe me këtë të dëshmojë atë që pretendon të jetë-medium profesional, por që për fat të keq nuk e ka bërë. KLIKO PËR TA LEXUAR TEKSTIN NË PDF.

LEXO: Shpifjet janë të patolerueshme në gazetari
LEXO: 
Për reagimet e tërbuara të Zhurnalit
LEXO: 
Reagim: Profesionalizmi dhe dinjiteti i gazetarisë mbi të gjitha!

 

Këshilli për etikë në media i Maqedonisë

03.09.2015

V E N D I M

I Komisionit për ankesa pranë Këshillit për etikë në media të Maqedonisë (KEMM), për ankesën e Elida Zylbearit për tekstin “Disa media “shqiptare” me pronarë maqedonas”, të publikuar më 10.07.2015 në portalin në internet, zhurnal.mk.

A N K E S A    Ë S H T Ë    E    B A Z U A R

Është shkelur Kodi i gazetarëve të Maqedonisë, edhe atë nenet 1, 10, 11, 13 dhe 16.

Neni 1.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit që janë me interes publik. Gazetari duhet të publikojë informata të sakta, të verifikuara dhe nuk do të fshehë të dhëna thelbësore dhe nuk do të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të vërtetohet, ose bëhet fjalë për supozim, gjegjësisht spekulim, kjo duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të verifikohet sa më shumë që është e mundur.”

Neni 10.

“Gazetari nuk do të krijojë me vetëdije e as që do të përpunojë informacione që i rrezikojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urretjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim në çfarëdo qoftë baze (nacionale, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, të orientimit seksual, politike…).”

Neni 11.

“Gazetari do t’u përmbahet edhe standardeve të pranuara shoqërore të korrektësisë dhe do t’i respektojë dallimet etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni (…).”

Neni 13.

“Gazetari duhet të bëjë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komentit.”

Neni 16.

Gazetari do ta ruajë nderin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do ta nxisë solidaritetin e ndërsjellë dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë medien e tij për t’i qëruar hesapet me individë, duke i përfshirë edhe kolegët e tij.

 

A R S Y E T I M

Më datën 10.07.2015, personi Elida Zylbeari parashtroi ankesë deri te Zyra ekzekutive e Këshillit për etikë në media të Maqedonisë, për tekstin “Disa media “shqiptare” me pronarë maqedonas”, të publikuar më datën 10.07.2015 në portalin në internet, zhurnal.mk. Në ankesë thuhet se teksti është i bazuar në supozime, përmban shpifje, ofendime dhe spekulime. Pastaj, në ankesë thuhet se teksti është manipulues në dëm të një medie tjetër, duke përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nacionalizëm. Ankuesja thotë se teksti nuk përmban informata të verifikuara, e as nuk janë konsultuar të dyja palët, gjegjësisht konstatohet se ka vetëm një bashkëbisedues i cili supozon dhe spekulon. Prandaj, ankuesja kërkon që teksti të tërhiqet, ndërsa autori të kërkojë falje.

Zyra ekzekutive e KEMM-së, në pajtim me nenin 12 të Rregullores së Komisionit për ankesa, pas pranimit dhe shqyrtimit të ankesës, e kontaktoi portalin në internet, Zhurnal, me kërkesë që kolegjiumi redaktues të deklarohet në lidhje me pretendimet e ankesës. Agjencia e lajmeve Zhurnal dorëzoi përgjigje dhe u ankua në lidhje me ankesën e parashtruar. Nga portali Zhurnal thonë se “ankesa nuk ka asnjë argument në aspekt juridik, për shkak se lajmi i publikuar më datë 10.07.2015 nuk është i bazuar në supozime, por në deklaratën e ish-zëvendës drejtorit të përgjithshëm të RTVM-së, Nijazi Muhamedi, i cili akuzon se mediat e lartëpërmendura e keqpërdorin publikun shqiptar, për shkak se trajtojnë tema që nuk janë në interes të komunitetit shqiptar në Maqedoni”. Në vazhdim thuhet se “në atë tekst nuk ka spekulime, për shkak se portalet në internet që janë përmendur në tekst bëjnë pjesë në grupin e projektit të Metamorfozis, e poashtu personi që e ka regjistruar domenin është Filip Neshkovski. Në atë tekst nuk është përdorur gjuhë e urrejtjes, por akuzë nga ana e z. Muhamedit se keqpërdoren para nga donatorët e  huaj që finansojnë edhe një pjesë të mediave në gjuhën shqipe.” Në vazhdim të letrës thuhet se “akuza bëhet nga ana e z. Muhamedit, i cili është ekspert i madh në fushën e komunikologjisë dhe funksionimit të mediave në Maqedoni.” Redaksia e Zhurnalit, sipas sqarimit, vetëm e ka përcjellë deklaratën e tij dhe, sipas kësaj, “si redaksi nuk kemi faj dhe prandaj vendosëm që teksti të mos hiqet nga agjencia jonë e lajmeve.”

Komisioni për ankesa gjeti se ankesa në lidhje me tekstin është e BAZUAR.

***

Në mbledhjen e mbajtur më 25.08.2015, Komisioni për ankesa i shqyrtoi pretendimet e ankueses Elida Zylbeari, e shqyrtoi tekstin e përmendur, e poashtu e shqyrtoi edhe përgjigjen e marrë nga Zhurnali.

Komisioni konstatoi se autori e fillon tekstin me pohimin se “Shqiptarët e Maqedonisë informohen nga media me maska “shqipfolëse” të cilët kontrollohen përmes politikës redaktuese nga pronarët maqedonas.”, dhe me këtë rast në vazhdim të tekstit nuk ofron fakte dhe argumente për këtë pohim. Komisioni këtë pohim e vlerësoi si defetist dhe tendencioz dhe se nuk mund të interpretohet si mjet i të shprehurit stilistik, për shkak se autori u mvesh dimension etnik (në kundërshtim me shkencën politike-juridike dhe ekonomike) raporteve universale ekonomike të tregut – të drejtës për punë dhe pronësi, por edhe të drejtës për liri të të shprehurit dhe të menduarit. Aq më tepër që, autori mendimin e tij e kamulfon si fakte.

Më tej autori prezanton një intervistë me ish-zëvendësdrejtorin e Radio televizionit të Maqedonisë (RTVM), Nijazi Muhamedin, i cili poashtu u jep dimension etnik raporteve universale ekonomike të tregut. Në mes tjerash ai thotë: “Këto portale bëjnë destabilizimin e shoqërisë dhe krijojnë një risocializim me një agjendë të huaj. Bëjnë propagandë ku diskursin e ideologjisë maqedonase e interpretojnë si shqiptare. Duken si shqipe, mirëpo vetëm germat janë shqip. Janë agjenda të huaja që mediatizojnë ideologjinë maqedonase ndër shqiptarët. Kësaj i thonë asimilim politik të një populli.

Prandaj, Komisioni gjeti se autori i tekstit gjatë përzgjedhjes së fakteve nuk ka siguruar informatë objektive dhe shqyrtim të të gjitha aspekteve të rëndësishme për temën për të cilën flitet dhe në tekstin konkret nuk e ka siguruar “palën e dytë”. Pastaj, anëtarët e Komisionit konsiderojnë se me mënyrën e këtillë të njëanshme dhe tendencioze të prezantimit të fakteve shkaktohet armiqësi dhe urrejtje ndaj një përkatësie etnike, e me këtë nuk respektohen dallimet etnike në Maqedoni, e poashtu autori e shfrytëzon medien edhe për t’i qëruar hesapet me kolegët e medieve të tjera.

***

Për shkak të kësaj që u tha më lartë, Komisioni për ankesa gjeti se në tekstin “Disa media “shqiptare” me pronarë maqedonas”, të publikuar me datë 10.07.2015, në portalin në internet, zhurnal.mk, është shkelur neni 1 i Kodit të gazetarëve, sipas të cilit verifikimi i të dhënave dhe i saktësisë janë imperative morale të gazetarisë dhe për këtë arsye gazetari është i obliguar që ta verifikojë informatën nga sa më shumë burime që është e mundur, edhe atë së paku nga dy burime të pavarura nga njëri tjetri. Zgjedhja e fakteve duhet të sigurojë informatë objektive dhe shqyrtim të të gjitha aspekteve të rëndësishme për temën për të cilën flitet. Gazetari duhet ta sigurojë “palën e dytë”, gjegjësisht t’u japë mundësi të gjithë atyre që atyre që janë të prekur nga produkti gazetaresk që ta thonë qëndrimin e tyre. Kjo vlen posaçërisht në rastet kur gazetari paraqet dyshime ose akuza ose kur dikush i nënshtrohet sulmit ose kritikës.

Poashtu, Komisioni erdhi në përfundim se në kontributin e përmendur është shkelur edhe neni 10, i cili thotë se media dhe gazetari nuk duhet të publikojnë material i cili ka për qëllim të përhapë armiqësi ose urrejtje, ose nëse gjasat janë të mëdha se materiali i publikuar do të shkaktojë armiqësi ose urrejtje ndaj dikujt për shkak të racës, përkatësisë etnike, gjinisë, fesë, përkatësisë politike, orientimit seksual, gjymtësisë fizike, etj.

Pastaj, Komisioni gjeti se është shkelur neni 11 sipas të cilit gazetari do t’u përmbahet edhe standardeve të pranuara shoqërore të korrektësisë dhe do t’i respektojë dallimet etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.

Komisioni konstatoi se në tekst është shkelur edhe neni 13, sipas të cilit gazetarët kanë të drejtë të mendimit, qëndrimit dhe të gjykimit vlerësues të tyre, mirëpo nuk guxojnë mendimin e tyre ta kamuflojnë si fakte. Duhet të bëhet dallim i qartë se cilat janë faktet dhe informatat, e cili është komenti, supozimi  ose qëndrimi i autorit, që të evitohet dezinformimi dhe manipulimi i publikut.

Komisioni konstatoi se është shkelur edhe neni 15, sipas të cilit gazetari do ta ruajë nderin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do ta nxisë solidaritetin e ndërsjellë dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë medien e tij për t’i qëruar hesapet me individë, duke i përfshirë edhe kolegët e tij.

Në bazë të kësaj që u tha më lartë, Komisioni vendosi sikurse në dispozitiv.

Në punën e Komisionit për ankesa morën pjesë anëtarët Mirçe Adamçevski, Filip Gjurçinovski, Goce Gerasimovski, Teofil Bllazhevski, Sefer Tahiri, Meri Jordanovska dhe Bekim Ajdini.

Obligohet portali në internet, zhurnal.mk, që në përputhje me nenin 18 të Rregullores për punë të Komisionit për ankesa, ta publikojë vendimin e Komisionit për ankesa.

 

Me respekt,
Këshilli për etikë në media i Maqedonisë

Kryetari i Komisionit për ankesa,
Mirçe Adamçevski

LEXO: Të gjitha vendimet e Këshilli për etikë në media i Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Back to top button