Për reagimet e tërbuara të Zhurnalit

Ndoshta do të ishim habitur nga një shkrim i tillë sikur të ishte shkruar nga medium që ka një nam të veçantë në respektimin e etikës dhe profesionalizmit gazetaresk. Do të hamendeshim se ndoshta është bërë ndonjë gabim. Por ky shkrim vjen nga “Zhurnal”  dhe atëherë nuk ka vend për habi dhe hamendje, shkrime dhe reagime të këtij niveli janë të pritshme. “Zhurnali” reagon ndaj një recensioni gazetaresk të bërë nga gazetar me emër dhe mbiemër e jo nga ata gazetaruc nuk gjejnë vendin askund dhe së fundmi struken në zyrat e një redaksie që “godet” me fjalor të ndyrë dhe sarkazëm bajat. Kolegë (nëse mund tu trajtojmë si të tillë), ju lutemi mos e njollosni gazetarinë me shkrime të tilla sepse profesioni ynë është i shenjtë dhe bart përgjegjësi publike, koncept ky aspak i njohur për disa media ku bëni pjesë dhe ju.

E prisnim këtë shkarravinë të shkruar në formë që nuk mund ta quajmë as lajm, duke marrë në qafë edhe një komentues dhe duke mos bërë dallimet themelore gazetareske. Nuk habitemi aspak që ky medium i cili duke u munduar verbërisht të sulmojë, ka mbledhur disa fraza që përdor shpesh propaganda “kuririane” dhe “sitelliane” për të nxirë ata që janë për demokraci, profesionalizëm dhe pluralizëm në media. Mbase dhe nuk mund ta vërejnë këtë “lëshim” apo ndoshta e bëjnë me tendencë naive për të shpërlarë të bërat e veta.

Nuk habitemi as me reagimin e njohur të tyre të një kafshe të tërbuar sa herë që dikush jua thotë të vërtetën në sy. Dhe aq më shumë duke mbjellë gjuhë nacionaliste dhe urrejtje etnike, për të arsyetuar jo-profesionalizmin dhe të paraqiten në sy të botës sikur dinë diçka, por vetëm se kanë zbuluar ujin e ngrohtë. Projektet Portalb, Meta.mk dhe Shërbimi për verifikimin e fakteve vërtetë janë regjistruar nga tekniku që ndodh të jetë maqedonas mirëpo kjo nuk ka aspak të bëje me pronësinë apo politikën redaktuese të këtyre projekteve.
Të dhënat për këta projekte janë publike, dhe secili mund të informohet se kush qëndron pas tyre, kush punon atje, si dhe për qëllimet e tyre dhe kontributin që japin. Kush e ka me rëndësi, mund edhe ta mase nivelin e “shqiptarisë” së këtyre projekteve. Për dallim prej jush, ne udhëhiqemi nga parime etike dhe profesionale dhe pak rëndësi kanë floskulat patetike dhe të harxhuara për “shqiptari”. Shqiptarët në Maqedoni dhe kudo që janë kanë nevojë për mediume profesionale, burime relevante të informatave të verifikuara, transparencë në punë që mes tjerash nënkupton që pas çdo informate të qëndroje gazetar me emër dhe mbiemër dhe me përgjegjësi. Shqiptarët nuk kanë nevojë për shpifje, për propagandë, mashtrime dhe manipulime. Nuk kanë nevojë për informata përplot supozime dhe tendenca denigruese.
Një medium profesional në ueb faqen e vet duhet të ketë një impresum ku shënohen qartë emrat e gazetarëve të cilët punojnë në të. Gjë që Zhurnal nuk e ka, dhe kjo flet për shumë për punën e një gazetarie të papërgjegjshme. Nga mediat e tilla, gjendja e mediave në Maqedoni nga viti në vit rrënohet dhe rangimet për lirinë e mediave bien keq e më keq.

Është koha e fundit që lajmet e bëra nga mediat e ndryshme shqiptare të jenë profesionale dhe redaksitë të marrin përgjegjësinë mbi vete, të respektojnë parimet etike dhe kodin gazetaresk dhe mos manipulojnë lexuesit me tekstet e tyre të pa verifikuara, tendencioze dhe jo-profesionale. Është koha e fundit që gazetarët e Maqedonisë të veprojnë sipas rregullave të gazetarisë e jo sipas bindjeve të rrugaçërisë dhe disa pronarëve që kanë synim vetëm profitin. Është koha e fundit ti respektoni lexuesit dhe të drejtën e tyre. Është koha e fundit ta respektoni profesionin e gazetarisë!

Recensionet e projektit të “Fondacionit Metamorfozis” të quajtur “Shërbimi për verifikimin e fakteve” tekstet e të cilëve përcillen edhe në Portalb.mk në rubrikën “Verifikimi i fakteve” kanë vetëm një qëllim: të detektojnë manipulimet gazetareske të mediumeve e gjithë kjo në shërbim të lexuesve sepse ata kanë të drejtë të informohen në mënyrë të drejtë dhe të saktë, pa shtrembërime dhe tendenca. Tekstet që recensohen nga metodologjia e qartë dhe transparente, nuk janë vetëm nga “Zhurnal “por nga të gjithë mediat përfshirë këtu edhe Portalb.

Sikur kolegët e “Zhurnal”, energjinë dhe mundin e harxhuar për të prodhuar dezinformata, ta shfrytëzonin për të hulumtuar, mësuar dhe për të konsultuar ekspertë, atëherë vërtetë do kishin lajme të mira dhe nuk do të ballafaqoheshin me recension dhe me punën e tyre jo-profesionale. Në vend se të sulmoni projektet e tjerëve, punoni pak në përmirësimin e vetes, atëherë padyshim që nuk do të ishit tërbuar kaq shumë por do të kontribuonit edhe ju që së bashku ta përmirësojmë gjendjen e mediave në vend për të mirën e qytetarëve – lexuesve tanë.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Respekte per juve portalb. Jeni shembull i një mediumi të lirë, të pavarur dhe të drejtë. Në fillim u duk se do të dështoni pasi që mentaliteti ynë kërkonte që secilit ti shkohet për qejfi, duke ia lëvduar ose sharë idhullin – partinë, mirëpo ju ia dolet duke mbajtur profesionalizmin dhe duke qenë të drejtë.

Back to top button