BESA: Me marrëveshjen e mbrëmshme u zyrtarizua sërish koalicioni anti-shiptar VMRO-BDI-PDSH

Marrëveshja e arritur mbrëmë nën ndërmjetësimin e eurokomisarit Hahn, megjithëse synon ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale politike, për Lëvizjen BESA është edhe një dëshmi se aktorët kryesorë politikë në vend nuk duan ta kuptojnë se në Maqedoni nuk është problem akëcila figurë politike, porse problemi qëndron në vetë sistemin juridiko-politik të shtetit, kumton kjo parti.

“Derisa në atë marrëveshje nuk thuhet asgjë se do të ndryshojnë mekanizmat e funksionimit të shtetit, veçmas në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike, ka pak ose aspak shpresë se kjo krizë nuk do të na përsëritet edhe në të ardhmen. Kjo marrëveshje nuk dha përgjigje për këto çështje:

– zgjidhja e problemit të emrit të shtetit;
– regjistrimi i popullsisë;
– kodi zgjedhor;
– departizimi i prokurorisë dhe gjyqësorit;
– liria e mediave;
– zbardhja e rastit të Kumanovës dhe e rasteve të tjera të montuara politike (“Monstra”, “Sopot”, “Brodec”)
– përdorimi i gjuhës shqipe;
– vendimmarrja konsensuale;
– shpërndarja e drejtë e buxhetit.

BESA konsideron se Maqedonia nuk ka vetëm problem ndërpartiak. Në të vërtetë, tensioni LSDM-VMRO është vetëm manifestim dhe pasojë e këtij shteti të ndërtuar keq. Problemi i Maqedonisë është sistemi që, duke dashur ta mbrojë shtetin njëetnik maqedonas nga shqiptarët, vazhdon të prodhojë diskriminim, ndërsa paranoja e kësaj frike së fundi eskaloi edhe brenda llojit.

Mbrëmë, përveç tjerash, u zyrtarizua edhe një herë koalicioni i ardhshëm multienik parazgjedhor, por antishtetëror dhe antishqiptar – VMRO-BDI-PDSH. Përfaqësuesit shqiptarë, me pjesëmarrjen e tyre në bisedime vetëm si vota të Gruevskit, pa arritur të ngrenë asnjë temë shqiptare, na bindën edhe një herë se ata nuk e mbrojnë më interesin shqiptar, por thjesht Gruevskin, vetveten dhe klanet e tyre.

Për këto arsye Lëvizja BESA gjykon se as kjo marrëveshje nuk do jetë e suksesshme në kuptim të kthimit të demokracisë, lirisë, drejtësisë dhe barazisë.

Me këtë rast deklarojmë se Maqedonia e ka vetëm një zgjidhje – në kushte të paqes, pa presion dhe me vullnet të mirë të bëhet RIDEFINIMI i sistemit shtetëror, duke prodhuar një shtet të mirëqenies dhe konsensualitetit shqiptaro-maqedonas. BESA është e bindur se vetëm ashtu hapet rruga për kohezion shtetëror, hapet perspektiva euro-integruese dhe hapen shtigjet për mirëqenie ekonomike të vendit. Në të kundërtën, rrezikojmë riciklim të krizave në forma edhe më të avancuara.” thuhet në kumtesën e BESA-s.

LEXO: Taravari: Na u lidh pakti pozitë-opozitë maqedonase
LEXO: Bujar Osmani: Shqiptarët përfituan stabilitet politik dhe rikthim të rrugës drejtë BE-së
LEXO: RDK: Mos-implementimi i marrëveshjes mund të shkaktojë krizë më të thellë
LEXO: PPD: Përshëndesim marrëveshjen, pyesim partitë shqiptare cili ishte roli i tyre?!

Lajme të ngjashme

Back to top button