Maqedoni, edhe një protestë e ndarë e shqiptarëve, pse?

Më 13 qershor, do të organizohet marsh protestues në Shkup në të cilin do të shprehet revolta e shqiptarëve për gjendjen e keqe politiko-sociale në të cilën ndodhen aktualisht ata. Këto protesta do të jenë nën organizimin e Lëvizjes BESA, ku nga aty shpjeguan se marshi do ketë karakter gjithëshqiptar dhe se Lëvizja BESA vetëm e inicializon marshin. Ndërkaq asnjë nga partitë opozitare shqiptare nuk bënë thirrje për pjesëmarrje në protestat e 17 majit, përveç PPD-së.

Në pyetjen e Portalb, pse protestat mbarë-shqiptarë të 13 qershorit dallojnë nga ata qytetare të 17 majit në Shkup ku në të dyja bëhet thirrja e njëjtë: për barazi, liri, kundër diktaturës së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të ngjashme, njëri nga organizatorët e protestës, Afrim Gashi nga Lëvizja Besa jep disa arsye. Sipas tyre, protestat e 13 qershorit janë protesta të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa ato të 17 majit ishin protesta maqedonase që pretendonin të mbulohen nën flamurin qytetarë. 

1.Protestat e 13 qershorit janë protesta të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa ato të 17 majit ishin protesta maqedonase që pretendonin të mbulohen nën flamurin qytetarë. Shqiptarët e Maqedonisë para se të jenë qenie kulturore, janë qenie politike, ndërsa ajo protestë i kërkonte shqiptarët si qenie kulturore, ndërsa maqedonasit i pranonte si qenie politike. Prandaj të bësh protestë shqiptare duke e artikuluar interesin shqiptar në Maqedoni me flamur e me himn kombëtar, kjo përbën dallim shumë të madh. Uroj që këtë shqiptarët ta ndjejnë e nuhasin këtë.
LEXO TË PLOTË QËNDRIMIN E GASHIT: Gashi: Dallimi mes protestave të 17 majit dhe 13 qershorit

Njohësit e çështjeve politike, qytetarë dhe studentë vlerësojnë se shqiptarët duhet të protestojnë poashtu të bashkuar me popujt tjerë pasi që kërkesat e tyre janë pothuajse të njëjta.

Rashidi: tejkalimi të barrierave etnike ende nuk po pranohet me bindje të plotë nga shqiptarët

Gazetari Nazim Rashidi tha për Portalb, se protestat e shqiptarëve po organizohen veçmas atyre maqedonase për arsye se pavarësisht se, si asnjëherë më parë ka tendenca unifikuese dhe tejkalimi të barrierave etnike, sërish artikulimi i këtyre qëndrimeve nga subjekte maqedonase ende nuk po pranohet me bindje të plotë nga shqiptarët.

“Protestat e 13 qershorit kanë dy arsye: E para që lidhet me zhvillimet shoqërore dhe politike dhe që kanë të bëjë me qëndrimet ndaj shqiptarëve, të drejtat e tyre. Kjo ndodh sepse pavarësisht se, si asnjëherë më parë ka tendenca unifikuese dhe tejkalimi të barrierave etnike, sërish artikulimi i këtyre qëndrimeve nga subjekte maqedonase ende nuk po pranohet me bindje të plotë nga shqiptarët. Dhe e dyta, ka të bëjë me demonstrimin e fuqisë të subjekteve të reja politike. Për ta do të jetë testi i parë me të cilin do të shohin vetë, por edhe do ti tregojnë të tjerëve se sa realisht kanë mbështetës”, tha Rashidi.

Ai shtoi se rreziku gjithsesi është që mos të jetë një kopje e veprimit politik aktual, i cili po skadon, dhe si rrjedhojë mund të mungojë vizioni dhe veprimi i ri politik që lidhet edhe me zhvillimet.

“Për këtë arsye, kjo protestë duket se më shumë t’i adresohet klasës politike dominuese dhe do të synojë të tregojë se forca të reja politike po shfaqen. Rreziku gjithsesi është që mos të jetë një kopje e veprimit politik aktual, i cili po skadon, dhe si rrjedhojë mund të mungojë vizioni dhe veprimi i ri politik që lidhet edhe me zhvillimet dhe sidomos reagimet e fundit të njerëzve”, shtoi Rashidi.

Najçeska: Shqiptarët kanë ankesa shtesë prandaj protestojnë veçmas

Profesoresha e fakultetit juridik pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, Mirjana Najçeska, thotë për Portalb se protestat e 13 qershorit kanë pothuajse të njëjtat kërkesa dhe porosi që kishte edhe protesta e 17 majit.

“Mendoj se protestat e 17 majit gjithashtu kishin karakter qytetar me një porosi të qartë pasi që  kategori të ndryshme të qytetarëve në Maqedoni e vlerësojnë që qeveria aktuale nuk është demokratike dhe se nuk ka kushte elementare për praktikumin e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend”, tha Najçeska.

Ajo shtoi se ato bëhen ndaras pasi që disa grupe të qytetarëve vlerësojnë se u janë cenuar të drejta të tjera dhe ato do i kërkojnë në mënyrë të veçantë, ndaras nga grupet tjera.

“Sigurisht që ka grupe të qytetarëve që mendojnë se janë më të cenuar apo më të prekur nga pushteti në të drejtat e tyre të cilat në mënyrë specifike dëshirojnë t’i potencojnë. Megjithatë unë nuk mendoj që bëhet fjalë për ndarje dhe protesta ta shqiptarëve të veçuar nga maqedonasit, këtu po proteston një grup qytetarësh që kanë kërkesa specifike, pak me ndryshe nga kërkesat që kanë grupe të tjera. Situata momentale e devalvimit të sistemit demokratik nxit nevojën që njerëz të ndryshëm të dalin dhe të protestojnë duke kërkuar të drejtat e tyre”, shtoi Najçeska.

Saraqini: Duhet bërë luftë e përbashkët për të drejtat që po thehen brutalisht

Petrit Saraqini, qytetarë dhe aktivist thotë për Portalb se më protesta të ndara shqiptarët kërkojnë të drejtat e tyre kolektive, mirëpo ata harrojnë se janë edhe qytetarë të këtij vendi dhe duhet të protestojnë të gjithë së bashku.

“Shqiptarët kanë shumë arsye për të kërkuar të drejtat e tyre kolektive, mirëpo disa faktorë duke theksuar veçoritë kombëtare harrojnë se shqiptarët përveçse janë shqiptarë, janë edhe qytetarë të këtij vendi. Me heshtjen për thyerjen e të drejtave qytetare në përgjithësi jepet mesazh i oportunitetit politik”, tha Saraqini.

Ai shtoi se rrahjet e gjoksit me kombëtarizim janë vetëm për përfitimin e pikëve politike, dhe asgjë më tepër.

“Për mua rrahjet e gjoksit me kombëtarizim janë vetëm për përfitimin e pikëve politike, dhe asgjë më tepër. Nuk mundesh ti të jesh mirë, nëse fqiu është keq. Duhet bërë luftë e përbashkët për të drejtat që po thehen brutalisht nga elitat politike në pushtet, qoftë ato maqedonase, qoftë ato shqiptare. Kështu të përçarë, as qytetarët maqedonas e as ata shqiptar nuk do të fitojnë gjë, sepse përballë kemi një koalicion funksional dhe multietnik të krimit”, shtoi Saraqini.

Demiri: Të gjithë duhet të protestojnë së bashku dhe jo ndaras

Mariglen Demiri student, vlerëson për Portalb, se protestat nuk duhet të organizohen të ndara dhe se të gjithë se bashku duhet të luftojnë për një të ardhme më të mirë dhe demokratike.

“Nga kjo qeveri vuajnë Shqiptarët, maqedonasit, serbët, boshnjaket, romët, vllehët dhe të gjithë ata që jetojnë këtu. Shqiptarët gjithashtu vuajnë edhe nga ju, lëvizja ‘Besa’ nga përkushtimi dhe brenga juaj e madhe për gjuhën, flamurin dhe simbolet tjera. Shqiptarëve dhe maqedonasve nuk u duhen këto gjëra. Lufta kundër Gruevskit është luftë kundër nacionalizmit, dhe nuk duhet zhvilluar me afirmimin e një nacionalizmi tjetër. Lufta kundër Gruevskit nuk mund të jetë vetëm luftë për ndryshimin e qeverisë dhe ndryshimin e ngjyrës së elitës (inklinim i së cilës jeni edhe ju). Përderisa lufta kundër Gruevskit, kundër kapitalizmit dhe të gjitha marrëdhënieve robëruese në shoqëri nuk bëhet e unifikuar dhe e bashkuar, për mua ju jeni nacionalistë analfabet”, tha Demiri

Aliti: Protestat e 13 qershorit janë gjithëpërfshirëse, me karakter gjithqytetar

Faton Aliti nga radhët e PPD thotë për Portalb se sa i përket karakterit individual ose gjithëpërfshirës të protestave, ato janë megjithatë me karakter gjithqytetar, sepse tek e fundit zbardhja e rastit “Monstra” i tangon të gjithë pa asnjë dallim.

“Ne nuk mendojmë se protestat e 13 Qershorit janë ndryshe nga ata të Majit,sepse në esencë që të dyja janë pjesë e procesit të largimit të kësaj grupe njerëzish të inkriminuar nga pushteti,proces të cilit ne iu bashkëngjitëm që më 17 Maj. Sa i përket protestave ndaras nga të tjerët,përsëri do të them se edhe përskaj disa dallimeve në deklaratat e disa nga iniciuesve të protestave sa i përket karakterit individual ose gjithëpërfshirës,ato janë megjithatë me karakter gjithqytetar,sepse tek e fundit zbardhja e rastit ‘Monstra’ i tangon të gjithë pa asnjë dallim”, tha Aliti.

Ai shtoi se PPD në 25 vite aktivitet politik,disa herë ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë interesin partiak në të mirë të ndonjë interesi më madhor .

“Nga ana tjetër,PPD në 25 vite aktivitet politik,disa herë ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë interesin partiak në të mirë të ndonjë interesi më madhor. Të tillë e vlerësojmë edhe këtë proces të largimit të këtij pushteti të mbrapsht,dhe nuk do merremi me kalkulime kush mundet të përfitojë më shumë ose më pak politikisht. Pikërisht për këtë,ne çmojmë se duhet ti qëndrojmë besnik parimit tonë se do të jemi përkrah çdo aktiviteti që i kontribuon këtij procesi”, tha Aliti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button