Gashi: Dallimi mes protestave të 17 majit dhe 13 qershorit

Në pyetjen e Portalb, pse protestat mbarë-shqiptarë të 13 qershorit dallojnë nga ata qytetare të 17 majit në Shkup ku në të dyja bëhet thirrja e njëjtë: për barazi, liri, kundër diktaturës së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të ngjashme, njëri nga organizatorët e protestës, Afrim Gashi nga Lëvizja Besa jep disa arsye. Sipas tyre, protestat e 13 qershorit janë protesta të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa ato të 17 majit ishin protesta maqedonase që pretendonin të mbulohen nën flamurin qytetarë. 

1.Protestat e 13 qershorit janë protesta të shqiptarëve të Maqedonisë, ndërsa ato të 17 majit ishin protesta maqedonase që pretendonin të mbulohen nën flamurin qytetarë. Shqiptarët e Maqedonisë para se të jenë qenie kulturore, janë qenie politike, ndërsa ajo protestë i kërkonte shqiptarët si qenie kulturore, ndërsa maqedonasit i pranonte si qenie politike. Prandaj të bësh protestë shqiptare duke e artikuluar interesin shqiptar në Maqedoni me flamur e me himn kombëtar, kjo përbën dallim shumë të madh. Uroj që këtë shqiptarët ta ndjejnë e nuhasin këtë.

2.Vrojtimi i çdo analize objektive çon te konstatimi se pa u përmbyllur çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të zhvillojmë konceptin qytetar të shtetit. Ky shtet me këta politikane e ka thelluar shumë hendekun mes shqiptarëve e maqedonasve duke i diskriminuar shqiptarët, duke i marrë paratë e shqiptarëve e duke investuar në projekte njëetnike. Madje, maqedonasit me çdo simbol shtetëror e kanë sforcuar ndërtimin e një shteti me koncept të pastër njëetnik, andaj është iluzore që ne përnjëherë të pranojmë që shtetin ta bëjmë qytetar. Nuk mund t’i mbulojmë këto fakte, duke e mbuluar diskriminimin, pabarazinë dhe padrejtësinë dhe këtë ta bëjmë në emër të shtetit qytetar. Të jemi realistë: ashtu nuk e zgjidhim problemin, por vetëm e shtyjmë shpërthimin e tij. Andaj ne duam ta zgjidhim përfundimisht përmes një marrëveshje të re për shtet të drejtë, të barabartë dhe demokratik. Fundja, secili operacion është i dhimbshëm, por ai i jep shëndet trupit. Pasi të zgjidhet çështja shqiptare dhe pasi të zvogëlohet diferenca e madhe në arsim, kulturë, shkencë, zhvillim ekonomik e investime ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, vetëm atëherë mund të flasim edhe për zhvillimin e konceptit qytetar, sepse edhe shqiptarët kanë probleme të natyrës qytetare në këtë vend. Por, pa u pranuar shqiptarët si komb shtetformues dhe si qenie politike në këtë vend, ne nuk jemi dakord që t’i konsiderojmë këto hendeqe si çështje të përfunduara, të harruara dhe të shtiremi sikur nuk kanë ndodhur fare.

3.Ndonëse protestat e 17 majit dhe 13 qershorit mund të kenë disa pika të përbashkëta dhe kjo është e natyrshme, por vetë fakti se në protestën e 17 majit nuk është dhënë asnjë ofertë për shqiptarët dhe për atë se si e sheh LSDM-ja Maqedoninë, kjo shpie te fakti se edhe LSDM-ja nuk ka koncept të qartë se si e sheh Maqedoninë e pas-Gruevskit dhe ku i sheh shqiptarët në atë Maqedoni. Madje, ata as nuk kanë propozuar që të ketë ndonjë ndryshim më të madh në sistemin juridiko-kushtetues, sistem ky i cili e ka sjellë Maqedoninë në këtë derexhe. Prandaj, konstatimi dhe konsistenca e Lëvizjes BESA është se pa u bërë ridefinimi i Maqedonisë mbi premisat e realitetit demografik në vend, ky vend nuk mund të zhvillohet në asnjë drejtim, aq më pak në drejtim të realizimit të të drejtave elementare njerëzore, të lirisë e barazisë në vend.

4.Koncept i Besës konsiston në vizionin e ndërtimit të shtetit të përbashkët konsensual shqiptaro-maqedonas dhe pa u përmbyllur e rishqyrtuar relacioni mes këtyre dy kombeve më të mëdha në vend, Maqedonia nuk mund të ndërtojë shtet të qëndrueshëm, e aq më pak të pretendojë shtet qytetar. Andaj specifika e protestave të 13 qershorit është sikur dallimi mes formës dhe përmbajtjes. Më 13 qershor do të realizohet protestë shqiptare në Maqedoni, ndërsa në 17 maj protestohej që nga kjo qeveri të bie vetëm Nikolla Gruevski dhe ai të zëvendësohet me Zoran Zaevin, që me asgjë nuk garantohet se nuk do ta vazhdojë me Ali Ahmetin avazin e njëjtë ndaj shqiptarëve në ndërtimin e shtetit njëetnik maqedonas, duke i trajtuar të gjithë të tjerët si qytetarë të rendit të dytë. Shqiptarët duhet të protestojnë dhe ta shprehin qëndrimin dhe interesin e tyre për këtë vend dhe kjo është specifika e protestave të 13 qershorit. Mjaft kemi qenë të ndarë në shqiptarë të LSDM-së e të VMRO-së. Para se të jemi të tillë, ne duhet të jemi vetvetja – të jemi shqiptarë siç na ka falë Zoti. Ne nuk duam t’i marrim askujt asgjë, ama edhe nuk duam t’i falim askujt asgjë nga ajo që na përket neve. Është koha të protestohet shqip, për interesa shqiptare dhe për Maqedoni me shqiptarë të barabartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button