Kongresi tematik nxori në pah atë që nuk donte BDI-ja

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpalosi rezolutën e cila në fund u miratua me vota unanime nga të gjithë delegatët e Kongresi tematik të kësaj partie, të mbajtur më 28 dhe 29 mars në Shkup.

Analistët politik vlerësojnë se nga ky Kongres dolën shumë gjëra për të cilat ndoshta dikush nuk ka qenë në dijeni.

Analisti Ismet Ramadani vlerëson se Kongresi Tematik i BDI-së nuk doli bash ashtu si e prisnin udhëheqësia, sepse në të kishte mjaft kritika.

“Kongresi tematik në një mënyrë edhe nuk doli ashtu siç kishte pritur partia që e organizoi domethënë BDI, për arsye që dy gjera dolën në pah, e para ishte që mysafirët e jashtëm treguan qartë se BDI nuk ka vend që të jetë në bashkëqeverisje me Nikolla Gruevskin. U theksua se nuk kanë ndikuar fare që të ndalojnë situatën momentale si dhe për këtë ata janë ndoshta edhe bashkëfajtor. E dyta nga radhët e BDI-së u vërejt qartë se ka ndarje të vlerësimit të situatës si dhe punës së udhëheqësisë së kësaj partie”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se disa nga vetë anëtarët e BDI-së ishin mjaft kritik për punën e deputetëve si dhe udhëheqësisë së kësaj partie.

“Disa anëtarë ishin shumë kritik ndaj punës së deputetëve si dhe udhëheqësisë, gjë që la përshtypje se në BDI ka dallime në vlerësime dhe në të ardhmen BDI duhet të rivlerësoj mbetjen e saj në qeveri me Gruevskin, sepse u bë e qartë se kjo parti duhet të jetë më e guximshme dhe të jep kontribut më të madh për ë dalë nga kjo situatë”, shtoi Ramadani.

Gjithashtu edhe analisti Xhelal Neziri theksoi se kritikat ishin të qarta, shprehën largimin e BDI-së nga qeveria si dhe dorëheqje e të gjithë funksionarëve të korruptuar.

“Kritikat e shprehura nga ish-diplomatët dhe funksionarët e arsyeshëm të  BDI-së ishin të qarta – largim nga qeveria dhe dorëheqje e të gjithë funksionarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Në konkluzionet e kongresit tematik nuk përmenden askund, gjë që tregon për një pamundësi dhe pafuqi që kjo parti t’i ndërmarrë ato hapa të guximshëm. Si e tillë, ku njerëz me hipoteka mbajnë pozicione të larta partiake dhe shtetërore, nuk mund të jetë faktor për zgjidhjen e krizës politike”, tha për Portalb, Neziri.

Sipas Nezirit, konkluzionet paraqesin një tentim për të mbajtur në jetë anëtarësinë dhe horizontalen e partisë, në një periudhë të defaktorizimit dëshpërues të një partie që ishte shpresa e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button