Abilaqim Ademi përcolli porositë e Kongresit të BDI-së

Sekretari i BDI-së, Abilaqim Ademi shpalosi sot rezolutën e cila në fund u miratua me vota unanime nga të gjithë delegatët e Kongresi tematik të BDI-së të mbajtur më 28 dhe 29 mars në Shkup.

Porosia e Kongresit:

-BDI është parti që i del në ballë të proceseve, parti e guximshme transparente dhe inovative

-BDI patjetër të jetë pjesë e dialogut dhe zgjidhjes përfundimtare të situatës politike në vend

-BDI parti që ka qëndrime konzistente dhe që bën politike konstruktive në interes të qytetarëve dhe vendit

-Transparenca dhe llogaridhënia ngelen parimet bazë të BDI-së

Përmbajtja e Rezolutës:

Bazohet në aktet themeltare të BDI-së, deklaratën për themelimin e BDI-së në vitin 2002, programet politike të miratuara në Kongres, orientimet programore dhe filozofinë politike.

Rezoluta është gjithëpërfshirëse dhe në përmbajtjen e saj ka edhe pjesë që kanë të bëjnë me situatën aktuale politike në vend. Do të shërbejë për politikat tona në të ardhmen, por edhe si qëndrime të BDI-së për tema e përfshira në përmbajtjen e Rezolutës.

Delegatët e Kongresit tematik nëpërmjet rezolutës obligojnë të gjitha organet partiake që të veprojnë në përputhje me përcaktimet programore dhe politike të BDI-së, duke respektuar deri në fund kontributin e secilit anëtar të BDI-së;

BDI konsideron që vendi nuk duhet të zhvendoset nga përcaktimet dhe orientimet euro – atlantike, implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe frymë, dialogu konstruktiv me fqinjët, marrëdhëniet e mira ndëretnike.

BDI kërkon që dialogu në mes subjekteve politike të fillojë pa vonesë, dhe sot përshëndesim fillimin e këtij dialogu në Bruksel, dhe me këtë konsiderojmë që plotësohet edhe kërkesa  jonë që me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar të fillojë dialogu.

BDI kërkon që ky dialog të jetë transparent, gjithëpërfshirës me kyç jen e sektorin civil, ekspertëve, botës akademike.

Konsiderojmë që përfshirja e Bashkimit Demokratik për Integrim në dialogun e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar është e patjetërsueshme dhe paraqet garancë për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike,

Kundërshtojmë çdo përgjim të paligjshëm të qytetarëve dhe e konsiderojnë si të papranueshëm një veprim të tillë.

Kërkojmë nga gjykatat vendore, të ndihmuara nga ekspert ndërkombëtar, të hetojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe sa më të shpejtë përgjegjësinë për përgjimet e paligjshme si dhe njëkohësisht të adresojnë pretendimet e të gjitha palëve të përfshira,

Dakordohemi që çdo zgjidhje e arritur midis partive politike pjesëmarrëse në dialogun e ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar duhet që të përfshijë edhe konsensus kombëtar mbi nevojën për zgjidhje të çështjes së emrit si dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve për fqinjësi të mirë,

Promovojmë vlerën e zhvillimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë,

Demokracia e mirëfilltë konsensuale duhet të përcaktohet me zgjidhje sistemore si e vetmja formë për ushtrim funksional dhe efektiv të pushtetit në vendin tonë,

Konfirmojmë që partnerët koalicionues duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, që mundëson konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje.

Gjykojmë që konsensualiteti nuk u arrit në zgjedhjet presidenciale dhe rrjedhimisht, si pasojë e mungesës së konsensusit midis dy komuniteteve më të mëdha mbi një pozitë kaq të rëndësishme,

Konstatojmë që Presidenti jo legjitim është përjashtues dhe që i mungon legjitimiteti i komunitetit të dytë shumicë në vend, nuk përfaqëson shqiptarët dhe nuk mund të jetë figurë unifikuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë,

Dënojmë pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në konfliktet e huaja nga motive të ndryshme që bien në kundërshtim me përcaktimet tona strategjike kombëtare dhe me ligjet vendore,

Gjykojmë që ideologjitë dhe projektet e huaja të zbatuara nga eksponent vendor dëmtojnë rëndë indin kombëtar dhe të ardhmen Euro-Atlantike të vendit,

Vlerësojnë se vota e shqiptarëve kapitalizohet vetëm nëse është e përqendruar, ndërsa ndarja e potencialit votues shqiptar në më shumë parti dobëson pozitat shqiptare në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv si dhe rrezikon pushtetin vendor në komuna të caktuara,

Kërkojmë vijimin dhe përshpejtimin e procesit të risocializimit të ish Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në frymën e Marrëveshjes së Ohrit

Konsiderojmë që vazhdimësia e risocializimit duhet ti prij procesit të pajtimit përfundimtar, të rris mirëbesimin dhe ti hap rrugë vendimmarrjes konsensuale.

Gjithashtu gjykojmë që ish të burgosurit politik shqiptar duhet të kanë trajtim të barabartë në shtet si dhe të rregullohet statusi i tyre shoqëror,

Respektojmë lirinë e shprehjes dhe të mediave që duhet të përcillet me vetëdije të lartë të përgjegjësisë shoqërore edhe nga bartësit e këtij procesi,

Promovojmë zhvillimin ekonomik dhe shanse të barabarta si modeli më i drejtë i mirëqenies në një shoqërie multietnike, e cila do të arrihet nëpërmjet të rritjes ekonomike të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse. Integrimi ekonomik, rritja e zgjuar e bazuar në dije, zhvillimi i qëndrueshme, kohezioni dhe përfshirja, si dhe qeverisja e mirë janë pesë shtyllat e rritjes së shpejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Frymëzojmë integrimin e diasporës në ekonominë e vendit sepse ajo paraqet një potencial të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik,

Vlerësojmë nevojën për përfshirje dhe kohezion nëpërmjet të qasjes së barabartë në financat publike, zhvillimit lokal dhe rajonal të balancuar, si dhe barazisë sociale, duke mundësuar arsim dhe shëndetësi cilësore për të gjithë, por edhe zhvillim të sportit dhe kulturës që do të mundësojë kohezion ekonomik, social dhe territorial

Këshillojmë vazhdimin e parimit të llogaridhënies së rregullt para qytetarëve nga të gjitha organet e partisë nëpërmjet të organizimit të takimeve të rregullta me qytetarët si dhe përfundimin e zgjedhjeve mbrenda partiake,

Duke njohur kontributin e çdo anëtari dhe aktivisti të BDI-së që nga themelimi i saj, mbetemi të angazhuar në vlerat tona të përbashkëta partiake të cilat janë baza e progresit dhe zhvillimit tonë të përbashkët.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button