Për shqiptarët, shkollat shtetërore po shndërrohen në private

Në shkollat e Shkupit, posaçërisht në ato që kanë më shumë shqiptarë prindërit ankohen se mund të thuhet që më shumë investohet nga prindërit sesa nga vetë komuna apo Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Disa nga prindërit te cilët nuk kanë kushte të mira, ankohen se çdo herë kërkohet diçka të paguhet nga nxënësit.

“Vinë fëmijët dhe kërkojnë të holla në shtëpi se duhet të lyhen klasat dhe ne duhet të paguajmë. Kjo nuk është e drejtë, ne jemi familje pesë antarësh tre fëmijë I kam në shkollë ndërkaq punoj vetëm unë, kur të marrim të holla, ne nuk e kemi për detyrë të rregullojmë shkolla, atë duhet ta bëj MASH ose komuna”, tha për Portalb Beqir Alimi, banor i Shkupit.

“Erdh vendimi që shkollat të dezinfektohen dhe të ruhet pastërtia e nxënësve të cilët duhet t’i lajnë duart shpesh për parandalimin e shpërndarjes së verdhëzës, mirëpo kërkohen të holla nga ne për të t’i blerë ato. Kjo është e turpshme. A po i dërgojmë fëmijët në shkollë shtetërore apo private. Mungon shumë investimi nga institucionet shtetërore. Nuk kam asgjë kundër ndihmesës po kjo shkon sipas mundësive e jo të detyrohemi të paguajmë. Kush ka mjete financiare të ndihmon kush nuk ka të lirohet nga kjo përgjegjësi”, tha Hasan Saiti, po ashtu nga Shkupi.

Prindërit shqiptarë fëmijët e të cilëve ndjekin mësimin në shkollën fillore “Zhivko Brajkovski”, në komunën e Butelit ankohen se mësimdhënësit dhe drejtoresha e kësaj shkolle u kanë kërkuar fëmijëve nga 1500 denarë për material harxhues që nevojitet për zhvillimin e mësimit.

“Nga prindërit kërkohen nga 1500 den  për material harxhues, mirë ne kërkuam llogari bankare për të kryer pagesën por na thanë se nuk pranojnë të bëhet pagesa nëpërmjet bankës por vetëm me pare në  dorë. Unë personalisht kërkova që pagesën ta bëj me kartelë por nuk mu mundësua. Sa është legal ky veprim që po ndodh në këtë shkollë”, tha për Portalb, prindi Bekim Nuhiu.

Prindërit pyesin se sa është e drejtë që ata dhe nxënësit të kryejnë punën e institucioneve shtetërore.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i arsimtarëve shqiptarë pranë shkollës fillore “Panajot Ginovski”, Selajdin Demiri thotë se prindërit ishin ata që formuan një paralele të re në këtë shkollë.

“Numri i nxënësve shqiptarë në këtë shkollë shkon duke u rritur dhe MASH nuk pranonte zgjerimin e paraleleve me pretekstin se nuk ka mjete financiare dhe kështu në vitin 2009 prindërit një zëri vendosën që vet të rregullojnë një klasë dhe një paralele e stërngarkuar të ndahet në dy”, tha Demiri.

Po ashtu investime ka pasur edhe në shkollën fillore “Liman Kaba”, të Lubetenit.

“Gjitha klasat e para janë rregulluar falë investimeve të prindërve. Madje investuan edhe në ndrimin e dritareve. Pasi që nuk investojnë institucionet përkatëse, prindërit shpesh marrin iniciativa sepse duan që fëmijët e tyre të mësojnë në një objekt të denjë për mësim”, tha Xhezmi Abdyrramani, drejtor i kësaj shkolle. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button