Visar Ademi: Komuna e Gostivarit më kufizoi orarin për mbajtjen e fushatës në shesh, kjo qasje përbën diskriminim

Zyra e kandidatit të pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, akuzon Komunën për diskriminim politik, pasi i ka kufizuar orarin e ngjarjes përmbyllëse të fushatës më 17 tetor vetëm deri në ora 19:30, pa arsye ligjore. Sipas Zyrës, kjo tregon trajtim të pabarabartë krahasuar me kandidatët e pushtetit. Pavarësisht pengesave, ngjarja do të mbahet në një lokacion të ri, i cili do të njoftohet më vonë. Ademi thekson se hapësirat publike i përkasin qytetarëve dhe se fushata e tij do të mbetet paqësore dhe qytetare, transmeton Portalb.mk.

“Zyra e kandidatit të pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, njofton publikisht se ngjarja përmbyllëse e fushatës elektorale, e planifikuar për datën 17 tetor 2025, nuk mund të ndalohet dhe as të kushtëzohet nga askush. Më 9 tetor 2025, Zyra e kandidatit ka dorëzuar në Komunën e Gostivarit kërkesën zyrtare për përdorimin e hapësirës publike në qendër të qytetit (Sheshi i Gostivarit), në orarin nga ora 17:00 deri në ora 22:00, për organizimin e ngjarjes përmbyllëse të fushatës. Në vend që të veprojë me neutralitet institucional dhe trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët, Komuna ka vendosur të kufizojë orarin e lejuar vetëm deri në ora 19:30, pa asnjë arsyetim ligjor apo praktik”, thuhet në reagim.

Kjo qasje sipas Ademit përbën diskriminim të qartë politik dhe tentativë për të penguar një kandidat të pavarur që gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

“Ky veprim, i dokumentuar përmes lejes së lëshuar nga Komuna e Gostivarit me datë 14.10.2025, tregon për selektivitet dhe standarde të dyfishta në administrimin e hapësirave publike, pasi kandidatët e lidhur me pushtetin kanë pasur në dispozicion të plota hapësirat dhe oraret e njëjta pa kufizime. Zyra e kandidatit njofton se, pavarësisht këtij pengimi administrativ, ngjarja përmbyllëse do të mbahet – dhe lokacioni i ri do të bëhet publik gjatë ditës së sotme. Administrata komunale mund ta mbajë sheshin për vete,por jo për gjatë – sepse pas 19 tetorit, ai shesh dhe çdo hapësirë publike do t’u kthehen qytetarëve të Gostivarit, aty ku e kanë vendin. Asnjë pushtet nuk mund të përvetësojë hapësirat publike për interesa partiake, e as të ndalë zërin e lirë të qytetarëve. Fushata e z. Visar Ademi është dhe do të mbetet paqësore, qytetare dhe me dinjitet, duke reflektuar energjinë, bashkimin dhe shpresën e qytetarëve të Gostivarit për ndryshim”, thuhet në reagim.

Visar Ademi është kandidat i pavarur për kryetar në Komunën e Gostivarit.

Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.