Vera e nxehtë e sindikatave të RMV-së u shty për në shtator

Marrëveshja për paga më të larta në sektorin publik ka ndarë sindikatat, disa, përfshirë këtu edhe atë të arsimit, janë të pakënaqur me përqindjen për të cilën do të rriten pagat. Sektorët që protestuan kërkonin paga më të larta për 30 përqind, ndërsa morën 10 përqind. Një pjesë e tyre do të vazhdojnë ta shprehin pakënaqësinë e tyre nga muaji shtator, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Për një pjesë të sindikatave vera e “nxehtë” vazhdon, ndërsa një pjesë tjetër e pezulluan atë pas dështimit të marrëveshjes me qeverinë për rritjen e pagave në administratën publike.

Pas një sërë protestash dhe grevash më 10 korrik, qeveria dhe sindikatat ranë dakord për rritje të pagave prej 10 përqind, plus 10.000 denarë si kompensim për pushimin vjetor ose ndryshe siç njihet si K-15. Sot ka mbetur që ata vetëm ta nënshkruajnë marrëveshjen.

Por, marrëveshja i ka përçarë sindikatat, sepse një pjesë e tyre janë të pakënaqur me përqindjen me të cilën do të rriten pagat.

SASHK – Vjeshta do të jetë edhe më e nxehtë

Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), thotë se përveç rritjes së paralajmëruar prej 10 përqind, kërkojnë edhe harmonizimin e pagave me pagën minimale.

“Por unë nuk shoh një gatishmëri të madhe tek autoritetet për atë pjesë. Kjo verë do të jetë e nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave, ndërsa vjeshta ndoshta do të jetë edhe më e nxehtë, nëse nuk gjejmë marrëveshje të përbashkët”, thotë Nedellkov.

Paga minimale nga muaji mars nga 18.000 u rrit në rreth 20.000 denarë. Sindikata kërkon që edhe pagat e tjera të rriten për të njëjtën përqindje si edhe paga minimale, pra për rreth 12 përqind.

SASHK është pjesë e Konfederatës së Sindikatave të Lira, e cila ka dorëzuar kërkesa të reja para nënshkrimit të marrëveshjes së re kolektive në sektorin publik.

Paga më të larta dhe për herë të parë edhe К-15

Marrëveshja e përgjithshme kolektive të cilën duhet ta nënshkruajnë sindikatat dhe autoritetet më 18 korrik, parasheh që të gjithë të punësuarit në sektorin publik të kenë një rritje të pagave prej 10 përqind dhe për herë të parë këtë vit do të marrin K-15 prej 10.000 denarë. Nga viti i ardhshëm, atyre do t’u paguhet regres për pushim vjetor në vlerë prej 30 përqind të pagës mesatare.

Paga më të larta duhet të marrin të punësuarit në institucionet shtetërore, në komuna, institucionet publike, institutet, agjencitë, fondet…

Sipas të dhënave të sindikatave, më shumë se 96 përqind e të punësuarve në administratë dhe drejtësi marrin pagë nën pagën mesatare, e cila është rreth 570 euro.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, pas marrëveshjes tha se punëtorët duhet të jenë të kënaqur, sepse në periudhën e kaluar janë rritur pagat e shumë të punësuarve në sektorin publik.

Por jo të gjithë janë të kënaqur.

Punonjësit e Doganës, të Drejtorisë të të Ardhurave Publike dhe të administratës gjyqësore, të cilët edhe deri më tani kanë protestuar, kanë paralajmëruar se do ta vazhdojnë protestën e tyre edhe në shtator. Ata kërkojnë 30 përqind paga më të larta, plus pagesën e shtesave në pagë që u takojnë me ligj.
Na pret në verë e nxehtë e sindikatave: presion i sektorit publik për paga më të larta

Ka dallime të mëdha sa i përket pagave në gjyqësor, thotë Jasmina Veliçkova, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Gjykatave.

“Raporti mes pagës së gjykatësit dhe nëpunësit është një me pesë, ndërsa mes gjykatësit dhe bashkëpunëtorit profesional raporti është një me tre”.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, ajo bëri të ditur se nga 1 shtatori administrata do të hidhet në grevë të përgjithshme duke bllokuar rrugët dhe duke mos lëshuar vërtetime dhe dokumente të tjera.

Të gjithë duhet ta pranojnë zgjidhjen e arritur për pagat në sektorin publik, tha më 14 korrik në një emision televiziv Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Ai tha se mund të bëhet më shumë, por për këtë duhet të jenë të gatshëm të gjithë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në një kolumnë të datës 15 korrik, tha se me këtë zgjidhje sistematike do të arrihet një sistem real i pagave i harmonizuar me kushtet e tregut të punës.