U shty gjykimi për prindin që sulmoi dy futbollistë në Shtip

Gjykimi i prindit 43-vjeçar i cili sulmoi fizikisht dy futbollistë në ndeshjen midis Shkupit dhe Bregallnicës u shty sot në Gjykatën Themelore të Shtipit. Avokati mbrojtës kërkoi që gjykata t’i sigurojë përkthim në shqip të aktakuzës, si dhe përkthim simultan gjatë gjykimit. Gjykimi është planifikuar të vazhdojë më 29 shtator, transmeton Portal.mk.

Incidenti, për të cilin Prokuroria Themelore Publike e Shtipit ngriti aktakuzë kundër prindit, ndodhi më 24 gusht. Në minutën e 89-të të ndeshjes, gjyqtari dha  karton të dytë të verdhë për një faull, duke përjashtuar kështu nga loja djalin e të dyshuarit, i cili luante për klubin Shkupi.

Prindi u dënua me tetë ditë paraburgim, i cili më vonë u zgjat për 30 ditë.

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) menjëherë vendosi dënimin më të rreptë – përjashtim nga organizata e futbollit të lojtarit nga Shkupi, dhe përveç tij, dy shokëve të tjerë të ekipit të përfshirë në incident iu dha një ndalim tre-mujor nga loja. Një futbollist 15-vjeçar nga Bregallnica në Shtip u dënua gjithashtu me katër ndeshje, i cili u përfshi në lojë të ashpër gjatë sulmit.

Kujtojmë se incidentet në fushat sportive kanë filluar të shtohen në prag të zgjedhjeve lokale. Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë, janë dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.

Ende askush nuk përndiqet për incidentin në Kumanovë edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysëm, edhe pse zyrtarët shqiptar në paraqitjet e tyre publike thonë se janë ndërmarrë masa. Rasti mbetet pa epilog pasi që policia ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal për ngjarjen në ndeshjen parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, më 3 gusht, ku u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve.