Treni që gjithmonë ik
Është karakteristikë e nënqiellit ballkanik që faji gjithmonë të kërkohet te dikush tjeter dhe jo te vetja. Këshru ballkanasve gjithmonë u ik treni. Ata nuk e lëshojnë trenin. Treni thjesht u ik para syve. Fajin e ka treni që niset me orar, jo ata që janë vonuar. Fajin gjithmonë e ka dikush tjetër dhe jo ne.
Edhe treni i Evropës na iku para syve. Ne nuk e lëshuam, ai na iku. Fajin e ka Evropa dhe kriteret e saj të politikës vendimmarëse unanime ku të gjithë shtetet duhet të dakohrdohen për diçka. Fajin e ka Bullgaria që na vendosi veton. Edhe Franca e ka fajin me propozimin francez. Edhe qeveria e kaluar e ka fajin pse e pranoi propozimin francez. Vetëm qeveria e tashme nuk ka asnjë faj. Ata janë tërërisht të përkushtuar për procesin e integrimeve evropiane. Fajin e kanë të tjerët. Fajin e ka treni që ik. Ata që e lëshojnë trenin nuk kanë asnjë faj.
Edhe kur partnerët tanë strategjikë si që është Gjermania na thonë që nuk mund të bëjmë para në integrimet evropiane pa i bërë ndryshimet kushtetuese, ne sërish dëgjojmë atë që duam. Kryeministri na siguron që kemi shumë përkrahje në Evropë dhe thotë që është në bisedime me të gjithë që ta kuptojnë hallin tonë. Por mesazhi është i qartë. Pa ndryshime kushtetuese nuk ka hapje të bisedimeve. Mund të mos na pëlqejë realiteti, por gjërat janë të qarta. Kështu, edhe shumë gjatë kohë do t’i lëshojmë trenat dhe do të vazhdojmë të ankohemi pse ata na ikin.
Ndryshimet kushtetuese u përgatitën në kohën e qeverisë së kaluar. U përgatitën edhe amandamentet. Gjithçka ishte gati për ta bartur edhe këtë barë të rëndë që lidhet me vendimmarrjen shtetëtore. Gjithçka ishte gati për të sjellur edhe një vendim jo të këndshëm për të cilin publiku do t’i urrejë por të cilin burrështetasit duhet ta bëjnë. Sepse pushteti nuk duhet parë si garë popullariteti. Pushteti duhet të zgjidhë probleme sado të vështira qofshin ato.
Ndryshimet e përgatitura nuk kaluan pikërisht për shkak se partia që tani është në pushtet atëherë u zotua se nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar. Dhe me këtë narativ korri fitore të madhe në zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale. Ashtu siç i tërhoqi pas fjalët se nuk do ta përdorë asnjëherë emrin kushtetues të shtetit dhe presidentja e kryeministri filluan ta përdorin atë, ashtu ndryshoi edhe narativi se nuk do të bëhen ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar dhe tani thonë se do të bëhen por në momenin kur ne do të integrohemi në BE dhe jo tani. Dhe ja ku jemi, të ndarë nga Shqipëria me të cilën rrugëtuam bashkë deri tani dhe e cila arriti të hapë bisedimet aderuese këtë javë. Ndërsa ne do të presim deri sa të bëhen ato ndryshimet kushtetuese nën dikatin e Bullgarisë që na pëlqen ose jo është brenda Bashkimit Evropian ndërsa ne jemi jashtë. Derisa kjo të ndodhë neve do të vazhdojnë të na ikin të gjitha trenat.
Në ndonjë të ardhme, ne ndoshta edhe do të arrijmë të hipim në tren në kohën e caktuar. Kjo do të ndodhë në momentin kur do ta kuptojmë se realiteti mund të mos na pëlqejë por duhet të ballafaqohemi me të dhe jo të jetojmë të ëndrra. Por e keqja është se deri sa të hipim tek ai tren vitet po shkojnë, vendi po zbrazet dhe ka gjithnjë e më pak pasagjerë që duan të udhëtojnë me atë tren.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.