Tiranë, opozita në protestë më 7 tetor para kryeministrisë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të opozitës vendosi njëzëri të dielën në mbrëmje, që të zhvillojë pasditen e 7 tetorit një tubim proteste para kryeministrisë për të reaguar, siç u deklarua në mbledhje “kundër padrejtësive të kryeministrit Edi Rama, i cili ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij”, transmeton Zëri i Amerikës.

Në deklaratën e kryesisë drejtuar Këshillit për miratim thuhet se “rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjësuar”, se “kryeministri ka asgjësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, dhe se ka mohuar “të drejtën për një qeveri asnjanëse teknike në zgjedhjet e ardhshme”, duke synuar “deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik”.

Krahas arrestit në shtëpi të ish kryeministrit Sali Berisha, si dhe proceseve hetimore e gjyqësore ndaj disa emrave të tjerë opozitarë, në deklaratë përmendet dënimi me 1 vit burgim i nënkryetarit të grupit parlamentar të PD-së Ervin Salianji nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Hetimet e prokurorisë kishin zbuluar se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person.

Por sipas opozitarëve Salianji “u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm”.

Para se të miratohej vendimi i sotëm për protestën, kryetari i PD-së, Sali Berisha, foli gjatë një fjalimi online nga banesa para Këshillit Kombëtar, për “mosbindje civile” dhe protesta “me sulm, pa kthim prapa deri në fitore” kundër asaj që opozita e quan “shkelje e lirive politike e demokratike prej një regjimi të narkodiktaturës”.

Përfaqësues të shumicës socialiste i kanë hedhur poshtë kritikat për kapje të drejtësisë, duke theksuar se nuk komentojnë në asnjë rast vendimet e gjykatave dhe se kushdo i pandehur në të dy anët e politikës mban vetë përgjegjësi para akuzave të ngritura nga drejtësia.

Ish kryeministri Berisha mbahet në arrest shtëpie, ndërkohë që, pas afro një vit hetime, ai u akuzua dy javë më parë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.

Hetimet e sapombyllura përfshijnë ata të dy dhe 3 persona të tjerë në aferën e dyshuar korruptive në çështjen e ish kompleksit sportiv Partizani, akuza që ata i kanë hedhur poshtë si të manipuluara.

Tensionet dhe përçarjet në gjirin e forumeve të Partisë Demokratike të opozitës, me kongrese, gjyqe e përjashtime të ndërsjellta mes drejtuesve, deri në sulme fizike ndaj selisë, janë një tjetër kapitull plot probleme mes tyre, që ka nisur prej majit 2021, kur ish kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u përcaktuan nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, si të papërshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së zotit Berisha në korrupsion domethënës.

Në përcaktim theksohej se Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.