Sonte në Tetovë hapet ekspozita “Salloni Pranveror 2024” dhe “Salloni Dimëror 2024”

Shoqata e Artistëve Figurativ të Tetovës sonte (10 dhjetor) me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Arteve në Tetovë, hapë ekspozitën kolektive reviale “Salloni Pranveror 2024” dhe “Salloni Dimëror 2024”, transmeton Portalb.mk.

Në këto ekspozita, 35 artistë të artit pamor do të prezantojnë për publikun 64 vepra arti të realizuara në teknikën e pikturës, grafikës dhe fotografisë digjitale.

Arbenita Meta, kryetare e Shoqatës së Artistëve Figurativ të qytetit të Tetovës për Portalb.mk tha se për nëntë vite me radhë realizojnë ekspozitat kolektive reviale “Salloni Pranveror” dhe “Salloni Dimëror”.

“Shoqata e Artistëve Figurativ të qytetit të Tetovës për nëntë  vite me radhë realizon ekspozitat kolektive reviale “Salloni Pranveror” dhe “Salloni Dimëror” me pjesëmarrës anëtarët e shoqatës si dhe ftojmë dhe artistë nga qytetet tjera të vendit dhe nga rajoni. Këtë vit 35 artist/e të artit pamorë para publikut do të ekspozojnë 64 vepra arti nga drejtimet e pikturës, grafikës dhe fotografisë digjitale. Tematikat e veprave janë të ndryshme nga portrete, natyrë e qetë, peisazhe, vepra me kompozicione abstrakte etj. Pikturat janë të realizuara akril dhe vaj në pëlhurë ndërsa grafikat akuatinë dhe teknikë e kombinuar. Ndërsa do prezantohen edhe vepra nga fotografia digjitale dhe mozaikë”, tha Meta.

Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së.