Siljanovska-Davkova: Marrëveshjes me Bullgarinë mund t’i qasemi në mënyrë tjetër, duke filluar nga e drejta kushtetuese e BE-së

Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, thotë se nuk mund t’i përgjigjet pyetjes nëse mund të realizohet  i ashtuquajturi “Propozimi francez plus”, gjegjësisht qëndrimi i Qeverisë që kryeministri Hristijan Mickoski e prezantoi së fundi gjatë vizitës së tij zyrtare në Bruksel, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje në një intervistë për agjencinë shtetërore MIA, Siljanovska-Davkova përsërit qëndrimin e saj se nuk ka asnjë dispozitë në Traktatin për fqinjësi të mirë dhe miqësi me Bullgarinë që thotë se Kushtetuta duhet të ndryshohet dhe nuk mund të ketë sepse, siç thotë, ajo “ka të bëjë me komisionet e famshme historike dhe bisedimet dhe negociatat e tyre”.

Sipas saj, nëse fillojmë me respektimin e vlerave dhe parimeve themelore të së drejtës kushtetuese të Bashkimit Evropian, atëherë Marrëveshjes mund t’i qasemi në një mënyrë tjetër.

“Nuk do të mund të përgjigjem saktësisht, ndonëse në margjinat pata një takim miqësor edhe me presidentin e Bullgarisë, zotin (Rumen) Radev. Fraza më e përsëritur nga të gjitha është se ne duhet të respektojmë marrëveshjet, sigurisht kushdo që njeh të drejtën ndërkombëtare, por edhe të drejtën, e di se nuk ka asnjë dispozitë në Traktatin e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë që thotë se Kushtetuta duhet të ndryshohet, dhe nuk mundet të ketë. Ajo ka të bëjë me komisionet e famshme historike dhe bisedimet dhe negociatat e tyre”, thotë presidentja e vendit, e cila ndodhet në Nju Jork, ku drejton delegacionin e Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara.

“Ajo që e theksoj është: nuk është një përgjigje e drejtpërdrejtë në pyetjen nëse do ta ndryshoni Kornizën Negociative dhe nëse jeni të vetëdijshëm se Korniza Negociative nuk mund të ndryshohet, komenti im është se është e rëndësishme se si e trajtojmë ne kornizën negociuese, sepse përmes interpretimit, nëse pajtohemi miqësisht se do të respektojmë kriteret e Kopenhagës, dhe nëse themi Pacta sunt servanda (Marrëveshjet duhet të respektohen), ndërsa nënkuptojmë Marrëveshjen e Prespës, ku shkruhet qartë se çfarë do të thotë Maqedonia për palën e dytë – territor, domethënë popull me histori dhe gjuhë të vet, ndërsa për çfarë po diskutojmë në ato komisione historike për këtë, që është pjesë e paktit të përmendur në Marrëveshjen e Prespës”, ​​thotë Siljanovska-Davkova.

Presidentja e shtetit duke folur në këtë drejtim thotë se historia, kultura dhe gjuha nuk mund të jenë objekt bisede.

“Atëherë ajo që ne bëjmë në fakt është se ia kujtuar BE-së vlerat dhe parimet themelore të të drejtës kushtetuese të BE-së. Gjithçka për të cilën po flas, identiteti kulturor, identiteti kombëtar, marrëveshjet e bazuara në reciprocitet, mosndërhyrja në punët e brendshme, respektimi i dinjitetit dhe integritetit janë pjesë e të drejtës kushtetuese evropiane. Atëherë mund t’i qasemi Marrëveshjes në një mënyrë tjetër”, thotë ajo në intervistën për MIA.

Përndryshe, “Propozimi francez plus” është shprehja e përdorur nga kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për media në fillim të korrikut, duke komentuar deklaratën e ambasadores amerikane në vend, Angela Ageler, se nuk ka negociata të reja për Prespën, dhe as me Bullgarinë, për përparim drejt BE-së.

“Sa i përket Prespës, ne tashmë e kemi deklaruar qëndrimin tonë shumë vite më parë, se kjo marrëveshje është realitet dhe është pjesë e rendit kushtetues dhe juridik të Maqedonisë si shtet dhe këtu askush nuk duhet të ketë dilema, ndërsa sa i përket ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e të ashtuquajturit Propozimi francez, i cili është shtesë në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, pra rinegocim i Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, dhe në lidhje me këtë ju e dini qëndrimin tonë që ne nuk negociojmë për diktate dhe ultimatume. Nëse Marrëveshja e fqinjësisë së mirë mund të rinegociohet dhe asaj t’i shtohet i ashtuquajturi Propozimi francez, nuk shoh arsye pse të mos shtohet një propozim francez plus apo ndonjë propozim tjetër që do të mbulojë kërkesat e popullit maqedonas, të maqedonasve në Bullgari”, tha Mickoski më 1 korrik.

Shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, në një intervistë për “360 gradë”, të transmetuar më 16 shtator, pak ditë para vizitës së delegacionit të Maqedonisë të udhëhequr nga Mickoski në Bruksel, tha se “propozimi francez plus” mbi të gjitha i referohet ndalimit të bilateralizimit në negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Këtë, siç informon Mickoski, ka qenë edhe mesazhi që ua ka komunikuar liderëve të Bashkimit Evropian – kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në arritjet e vendit dhe çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë faktor vendimtar, tha ai.

“Dhe ajo që thashë atje është se ne tani po luftojmë që të fillojmë negociatat në të cilat do të forcojmë institucionet dhe do të pasurojmë kapacitetet. Nuk po flasim për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Për shkak të çështjeve dypalëshe, për shkak të çështjeve që lidhen me mesjetën, ne nuk mund të zhvillohemi si shtet për shekullin 21, 22, e lëre më të flasim për diçka më shumë”, tha kryeministri nga Brukseli javën e kaluar.