Shkupi po mbytet në mbeturina, çfarë zgjidhjesh po ofrohen?

Shkup i pastër, urban dhe modern – ky është vizioni që ofrojnë kandidatët për kryetarë komune për kryeqytetin, i cili këtë mëngjes u zgjua  me kontejnerë plot me mbeturina dhe mbeturina të shpërndara kudo. Një pamje e këtillë mund të vërehej në disa lagje të Shkupit, për të cilat qytetarët ngritën alarmin duke shpërndarë foto dhe video në rrjetet sociale, shkruan Dojçe vele, njofton Portalb.mk.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski theksoi se Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” nuk po e bën punën për të cilën paguhet nga qytetarët. Në një video-adresim në Facebook, nga përpara kontejnerëve të tejmbushur në qendër të qytetit, Gerasimovski tha se higjienistët e PKQ-së po bëjnë përsëri punën e ndërmarrjes komunale të Shkupit, si në disa vitet e fundit.

“Këtë të hënë në mëngjes banorët e Qendrës po zgjohen në mbeturina. E gjithë komuna është plot me mbeturina, higjienistët tanë janë vazhdimisht në terren, duke bërë gjithçka që ‘Higjiena Komunale’ nuk e ka bërë vitet e fundit”, thotë kryetari i Komunës Qendër.

Problemi me mbeturinat në kryeqytet ka vite që zgjat dhe zgjidhja e këtij problemi të hidhur do të mbetet një detyrim për kryetarët e ardhshëm të komunave të Shkupit pas zgjedhjeve lokale në tetor.

“Një qytet pa deponi”

Kryetari i Komunës së Kisella Vodës dhe kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, u porositi së fundmi banorëve të Shkupit se ai qëndron para tyre jo si një politikan që premton mrekulli, por si një qenie njerëzore – si dikush që thith të njëjtin ajër çdo mëngjes, ngec në të njëjtat bllokime trafiku dhe sheh të njëjtat deponi.

“Dua ta shoh Shkupin si një qytet në të cilin fëmijët tanë do të rriten në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm”, thotë Gjorgjievski, i cili konsideron se vizioni i tij për Shkupin është “i madh dhe i arritshëm”.

“Parqe dhe korridore të reja të gjelbra me të cilat do ta shndërrojmë grinë në një oaz të gjelbër. Transport publik i vërtetë, bulevarde të reja, garazhe shumëkatëshe dhe rend në trafik. Shkolla më të mira dhe mbështetje për të rinjtë – sepse ata janë e ardhmja e Shkupit. Zgjidhje smart dhe shërbime digjitale, sepse Shkupi meriton të jetë një qytet modern evropian”, premton kandidati për kryetar komune.

Ai është i bindur se Shkupi mund të jetë një qytet pa deponi, me ajër të pastër, parqe të reja, shkolla moderne, transport publik funksional dhe urbanizëm të rregullt.

15 parqe në 15 muaj

Parqe në vend të deponive dhe mbeturinave – njofton kandidatja e LSDM-së për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova, e cila premton ta pastrojë Shkupin brenda tre muajsh. Ish-ministrja e Mjedisit Jetësor tha së fundmi se situata është kritike: “Për katër vjet e kemi parë qytetin të zhytet në mbeturina. Shkupi mban erë si kurrë më parë, ndotja dhe pluhuri janë përditshmëri dhe mbeturinat përhapin sëmundje. Qytetarët ankohen, por administrata aktuale nuk reagon”, vlerësoi ajo.

Shukova njoftoi modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave, automjete të reja për mbledhje më të shpejtë dhe më efikase, më shumë stacione transferimi për të shkurtuar kohën e transportit deri te Drislla, instalimin e kontejnerëve inteligjentë me sensorë për të monitoruar mbushjen e tyre në kohë reale dhe një orar të qartë publik për mbledhjen e mbeturinave, sipas llojit dhe sipas ditës.

Sipas saj, letra, qelqi, plastika, alumini dhe mbeturinat e ndërtimit do të trajtohen si një burim që do të ripërdoret, dhe jo si mbeturina që ndotin. “Qytetarët paguajnë për një qytet të pastër – dhe do ta kenë atë”, premton Shukova, e cila njoftoi se në 15 muajt e parë do të fillojë realizimi i planit për 15 parqe të reja në të gjitha komunat e Shkupit dhe mbjellja e 10.000 pemëve, përfshirë fidanët e frutave.

Në vend të pastrimit të qytetit – po bëhen pazare

“Mirëmëngjes Shkupi! Nëse bëni dush dhe pastroni çdo mëngjes para se të dilni nga shtëpia, e njëjta gjë vlen edhe për qytetin… Çdo mëngjes duhet të jetë i pastër dhe i rregullt për qytetarët. Nuk ka filozofi në një qytet të pastër, vetëm organizim të mirë, matematikisht të saktë dhe inxhinierikisht të saktë.” Kështu e komentoi kandidati i pavarur për kryetar komune të Shkupit, Goran Markovski, i cili mbështetet nga “Të Pavarurit Së Bashku”, situatën në kryeqytet, i cili është përsëri i mbuluar me mbeturina.

Në një situatë ku banorët e Shkupit u pritën nga kontejnerë të mbushur plot me mbeturina, trotuare mbi të cilat nxënësit dhe prindërit nuk mund të ecin sepse janë të mbushur me mbeturina, Markovski kritikon se po bëhen përsëri marrëveshje për të ndarë pozicionet e drejtorëve.

“Ky nuk është një koncept për zhvillimin e Shkupit, por një vazhdim i “politikës së pazareve”, thotë ai, duke theksuar se është koha të flasim për njerëz të vërtetë në vendet e duhura, dhe jo që për drejtorët të bëhën marrëveshje paraprakisht.

“Propozimi im, plani i “Të Pavarurve Së Bashku” është që drejtorët e ndërmarrjeve të zgjidhen përmes konkurseve publike (që nuk do të jenë farsë), duke vlerësuar kandidatët për drejtorë bazuar në cilësinë e tyre, duke monitoruar punën e tyre dhe duke i zëvendësuar ata nëse nuk japin rezultate”, thotë Markovski.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.